Gjoni në Pekin për Forumin e Bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore

444
Lëvizja Socialiste për Integrim u përfaqësua prej Sekretarit Ndërkombëtar Ralf Gjoni në punimet e Forumit të Liderëve të Rinj Politikë të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore që po zhvillohet këtë javë në Pekin. 
Përfaqësues të rinj politik nga partitë politike të pellgut të Evropës Qendrore e Lindore u mblodhën këtë javë në Pekin në forumin e dytë mbi bashkëpunimin që Republika Popullore e Kinës ka nisur me vendet e këtij rajoni të rëndësishëm të Evropës, në kuadër të platformës së Rripit të Rrugës së Mëndafshit, që Kina projekton për të forcuar ndërlidhjen infrastrukturore aziatike me vendet evropiane. 
Gjatë qëndrimit të tyre në Pekin, përfaqësuesit politikë u pritën në një takim të veçantë nga Zv. Presidenti i Republikës Popullore të Kinës z. Li Yanchao, i cili shprehu vullnetin e Kinës për të zgjeruar kontaktet me të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe veçanërisht me liderët e rinj të cilët përfaqësojnë të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së u shpreh: “Zoti Zv. President, dëshiroj në emër të delegacionit shqiptar t’ju falënderoj për pritjen e ngrohtë që na keni rezervuar, shenjë kjo e vëmendjes së veçantë që Kina i kushton forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit tonë, i cili është një pellg strategjik dhe shumë i rëndësishëm për intensifikimin e bashkëpunimit dhe ndërlidhjeve mes hapësirës evropiane dhe asaj aziatike. 
Shqipëria, si një vend me lidhje historike të ngushta me Kinën dhe popullin kinez, është e gatshme të shërbejë si një platforme për investimet kineze në rajonin e Ballkanit, si një vend me marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, por edhe si një vend dhe popull mik i vjetër i popullit kinez. 
Shqipëria mbështet, jo vetëm intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, por edhe rritjen e shkëmbimeve njerëzore, kryesisht mes të rinjve tanë të cilët duhet të shumëfishojnë kontaktet e tyre”. 
Gjate kësaj vizite në Pekin, z. Gjoni zhvilloi edhe një vizitë të veçantë në ambientet e Radios Ndërkombëtare të Kinës dhe u prit nga ekipi i shërbimit shqip të kësaj radioje, ku u vlerësua historia e gjatë e këtij shërbimi në gjuhën shqipe si dhe vëmendja, që RNK i kushton lidhjeve me popullin shqiptar. 
Pjesëmarrësit patën rastin gjithashtu të zhvillojnë vizita të veçanta në disa zona industriale e teknologjike, si dhe pranë komuniteteve lokale ku vlerësuan investimet e gjithanshme urbanistike dhe zhvillimet e mëdha infrastrukturore të Kinës gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Sigal