Gjermania frenon: Jo negociata pa goditur krimin

552
Vetëm pak ditë para takimit Merkel-Rama, kryetari i Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestag fshikullon qeverinë shqiptare
Gëzimi i Shqipërisë për marrjen e një rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE është frenuar dukshëm. Përpara vendimit final në fund të qershorit, qeveria shqiptare do të kalojë disa prova dhe duket se më e vështira do të jetë në Berlin. Aty ku do të mbërrijë nesër në mesditë kryeministri shqiptar, Edi Rama, për të trokitur në zyrën e kancelares Merkel. Pikërisht një deputet i CDU-së, partisë së Merkelit, dhe kryetar i Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestagun gjerman, Gunter Krichbaum, ka folur sërish për rekomandimin e Komisionit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë. Sipas tij, Shqipëria nuk është ende gati dhe se vendimi për të çelur negociatat është i parakohshëm. I anatemuar nga një pjesë e medias në Tiranë dhe i kthyer në qendër të polemikës Rama-Basha, deputeti gjerman nuk është kursyer në kritika ndaj qeverisë shqiptare për çështjen e krimit dhe korrupsionit. “Së pari dhe më kryesorja, problem janë korrupsioni dhe niveli i lartë i krimit të organizuar”, tha Gunther Krichbaum. Ai ka dhënë një intervistë për gjermanen “Tagesspiegel”, të cilën e ka postuar edhe në faqen e tij në “Facebook”. Sipas Krichbaum, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë problemet kryesore të Shqipërisë. Edhe më parë, kryetari i Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestagun gjerman ka deklaruar se parlamenti gjerman do të konsiderojë, jo vetëm raportin e Komisionit Evropian, por edhe raporte dhe informacione të tjera për të vendosur ose jo miratimin e hapjes së negociatave. “Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Evropës, por edhe unë personalisht, dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e ‘Transparency International’, raportin e Bankës Botërore dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i CDU-CSU, kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta, dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit”, është shprehur deputeti gjerman.

Çështja e negociatave dhe qëndrimi që do të mbajë Gjermania në samitin e fundqershorit do të jetë edhe në qendër të takimit Merkel-Rama. Kancelarja gjermane do ta presë homologun e saj shqiptar të mërkurën në orën 15:30, ndërsa sot në Tiranë do të jetë një tjetër zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Në bazë të procedurave që ndjek Bashkimi Evropian, rekomandimi i 17 prillit nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë duhet të miratohet nga takimi i krerëve të shteteve e qeverive të vendeve anëtare. Disa shtete janë shprehur skeptike me përparimin e Shqipërisë, veçanërisht në fusha të tilla si lufta ndaj krimit e korrupsionit dhe emigracioni i paligjshëm. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe frenimi i trafikut të drogës renditen si problematike për Tiranën zyrtare. 


Sigal