Gishtat e Kajmakut shqiptar, të njëjta me Jorgon e Greqisë/ Prokuroria zbardh hetimin ndaj kreut të bashkisë së Vorës, i cili rezulton subjekt i ligjit të Dekriminalizimit, pasi ka fshehur dënimin e tij në Greqi. Pas konfirmimit të shenjave të gishtave, organi i hetimit i kërkon KQZ, heqjen e mandatit. Ja kryebashkiakët e tjerë që rrezikojnë shkarkimet

427
Sigal

Ja cilët janë kryebashkiakët e tjerë me rekorde kriminale: PD-ja: Të shkarkohen!

Prokuroria informon KQZ: Kryebashkiaku Kajmaku është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit

Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimin për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i akuzuar nga PD-ja për dënim dhe pjesë e ligjit të Dekriminalizimit. Prokuroria ka dërguar materialin për kryebashkiakun e Vorës Kajmaku në adresë të PD-së dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke konkluduar se ai është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Prokuroria në materialin e saj përcakton se është vërtetuar se Kajmaku nuk ka deklaruar arrestimin në Greqi, si dhe hetimin atje. Ai, sipas ligjit, e ka pasur detyrim ta bëjë dhe nuk e ka bërë në formularin e Dekriminalizimit. KQZ-ja duhet të vendosë në lidhje me këtë çështje që ka qenë tejet e debatueshme mes PD-së dhe qeverisë.

Bardhi: U konfirmua Kajmaku është Jorgo Toto, të shkarkohet!

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi pohoi theksoi se Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje selisë blu, e mbi bazën e saj vërteton se mbi bazën e shenjave të gishtërinjve, përputhen me të Agim Kajmakut me atë të Jorgo Totos, shtetasi të dënuar në Greqi për falsifikim të kartëmonedhave. “Në vendimin e prokurorisë i mbërritur vetëm pak minuta më parë në PD rezulton se zyra qendrore e Interpol Tirana, datë 24.9. 2019 ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga Interpol Athina rezulton se nga gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut me ato në databazën në Greqi ka përputhshmëri me ato të Jorgo Toto. Prokuroria ka sqaruar se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto është i njëjti person”, deklaroi Bardhi, i cili citoi shkresën e dërguar me firmën e kryeprokurores Arta Marku. Më tej numri dy i PD-së theksoi se Prokuroria saktëson se “nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim. Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”.

PD: Kajmaku të shkarkohet!

Për zyrtarin e lartë të PD-së, Prokuroria ka dalë në përfundimin se Agim Kajmaku duhet të skualifikohet menjëherë nga funksioni publik. “Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka të qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka të lidhur me krimin. Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019”, theksoi Bardhi.