Çfarë do bëhet për politikanin jashtë listave dhe “turivarur”?!
– Pas publikimit të listave u turbulluan “ujrat e politikës” dhe është krijuar një situatë turbulente në blloqet kryesore politike.
– Tendenca e shfaqur e qejfmbetjes, apo hatërmbetjes për “mungesë vlerësimi” nga partia apo lidershipi kryesor, është një patologji e vjetër.
– Shoqërisht është e udhës që politikanët për të garantuar identitetin social dhe personalitetin politik, duhet të jenë të vetpërmbajtur dhe modest.
– Një pjesë e ish kandidatëve janë figura politikisht të amortizuara dhe kulturalisht të “kalçifikuara” prej kohësh.
– Natyrsisht është e njohur teza (e Marksit për të thënë të vërtetën) se marrëdhëniet njerëzore apo politike në shoqëri janë së pari marrëdhënie interesash.
Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”
Ishte e natyrshme dhe e parashikueshme që reagimi personal për të mbeturit” jashtë listave”, apo pa trajtime pozicionale referenciale do të shoqërohej me perturbacione të personalizuara. Sepse disa politikanë të mbetur jashtë listave, jo vetëm po shfaqin një nervozizëm të lexueshëm, por nganjëherë intensiteti i pakënaqësisë, i ka bërë ata të duken sikur po “hanë veten”, që nuk janë në listat e mbyllura e për pasojë të sigurta apo diskutueshme dhe elektoralisht të “peshueshme” nga konkurenca politike dhe rivaliteti i individualizuar. Nuk është aq shumë shqetësuese sjellja e tyre personale, sepse kjo sjellje e nominalizuar e lidhur me emra konkret nuk ka asnjë rëndësi për jetën sociale dhe opinionin publik. Ajo që na shqetëson si qytetarë është sindroma e përhapur si pandemi në shoqërinë shqiptare e shfaqur në formën e “pandemisë” së idolatrizimit të politikës dhe vlerave sui generis të njeriut politik dhe statusit të pretenduar për pozita preferencuiale, favorizuese e dominante në shoqëri, duke sjellë një shembull të deformuar dhe “infektues” edhe për të rinjtë e shumtë që aspirojnë politikën apo që duan të hyjnë në elitën intelektuale të këtij vendi. Pikërisht kjo është arsyeja pse pas publikimit të listave u turbulluan “ujrat e politikës” dhe është krijuar një situatë turbulente në blloqet kryesore politike, që janë në një farë mënyre “luanët elektoralë” kryesorë, të cilët akoma janë gladiatorët dominantë të arenës politike aktuale. Shoqëria u përball me reagime naive e të shëmtuara tipike për natyrën e politikës ballkanike, që shpesh herë e dëshmon këtë identitet të politikës toksike. Për pasojë dolën në evidencë kufizimet, cenet nepotike, krahinariste, personalizuese, hatërmbetëse e deri në deklarime elektorale “hakmarrëse” ndaj partive që i refuzuan si kandidatë të mundshëm, apo që nuk u përfshinë as në listat e hapura e as ato të mbyllura.
Ajo që na shqetëson si qytetarë është sindroma e përhapur si pandemi në shoqërinë shqiptare e shfaqur në formën e “pandemisë” së idolatrizimit të politikës dhe vlerave sui generis të njeriut politik dhe statusit të pretenduar për pozita preferenciale, favorizuese e dominante në shoqëri, duke sjellë një shembull të deformuar dhe “infektues” edhe për të rinjtë e shumtë që aspirojnë politikën, apo që duan të hyjnë në elitën intelektuale të këtij vendi.

Tendenca e shfaqur e qejfmbetjes
Kjo tendencë e shfaqur e qejfmbetjes, apo hatërmbetjes për “mungesë vlerësimi” nga partia apo lidershipi kryesor, është një patologji e vjetër, e kalçifikuar dhe tipike për sjelljen e politikanëve tanë, të cilët kanë harruar një të vërtetë të përjetshme dhe universale se postet politike sado të rëndësishme që të jenë janë të përkohshme e kalimtare. I tillë është edhe emri, fama kalimtare e pozita e përkohëshme e shumicës absolutet të atyre që e varin “kërrabën e jetës” vetëm tek politika dhe posti politik, i fituar me meritë, apo me makinacione makiaveliste, me sjellje dinjtoze apo servile dhe hipokrite, kjo ka pak rëndësi. Shoqërisht është e udhës që politikanët për të garantuar identitetin social dhe personalitetin politik, jo vetëm duhet të jenë të vetpërmbajtur dhe modest, por mbi të gjitha është në nderin e tyre personal, që nuk duhet të harrojnë se në integritetin tërësor të tyre, nuk është kryesore dhe gjithçka qenia në listën që të bën ose jo deputet, por personaliteti, i cili është kapitali më i madh human, që të jep pushtet dhe sovranitet social si njeri. Qoftë edhe kur rikkthehesh në qënie politikisht periferike, apo edhe në situatë normale ekstrapolitike. Me vjen keq kur shikoj në ekranet e medias tradicionale, apo në rrjetet sociale, deputetë të transformuar në njerëz të vegjël, qaramanë, që nuk duan të pranojnë që e shkuara e tyre e përcaktuar nga statusi i nderuar i deputetit, nuk do të thotë se gjithnjë do të ketë një të ardhme të tillë të menduar apo përfytyruar si gjendje konstante, apo ca më pak, pozicioni politik duhet të jetë “fiks i parashikuar”. Nuk është fare burrërore dhe dinjitoze, shfaqja e deputetëve të shtiren si të “persekutuar” nga partia e tyre, apo të shfaqen me sinqeritet publik fals, sjellje moralisht të dyshimta në komunikimin publik.
Politikani serioz është ai burrë, që di të heshtë atëhere kur nuk ka gjë të mençur, apo të vlefshme për të thënë si “njeri politik”. Është e natyrshme që në momente dëshpërimi apo ngjarjeje të papritur, nuk është e lehtë të bësh vlerësim objektiv të mundësive ekzistenciale personale dhe nevojave alternative të politikës, aq më pak kur je njeri i vogël, i paaftë të garantosh veten, personalitetin e njohur publik, duke shmangur përndjekjen e un-it, të egos, të kësaj hije, siç ka thënë Niçe, që jo vetëm nuk i ndahet njeriut, por e ndjek atë këmba këmbës nga pas…
Precedenti listave dhe rinovimi “elitës politike”
Duke e vlerësuar sociologjikisht debatin publik, kontestimet individuale për atë që ndodhi në procesin e hartimit të listave, duke e këtë ngjarje përtej dukjes, në kapërxim dhe përtej ndikimeve direkte apo të tërthora të veprimit linear e statutor, më duket se nuk e kam gabim, nëse ky moment, kjo shfaqje e shëmtuar dhe patologji politike, duhet të shërbejë si shkak që ontologjikisht të flasim për këtë ngjarje, për efektet politike dhe ekstrapolitike të saj, duke shpresuar se ndoshta ky është një moment që duhet vlerësuar në thelbin e vet, sepse kjo fushatë elektorale me shumë aktorë dhe struktura politike konkurenciale të diversifikuara, me shumë konkurentë nominalisht të ndryshëm, mund të jenë një pikë kthese me rëndësi, mbase deri në kufijtë e rinj të një sinjali me rëndësi kruaciale. Situata si po zhvillohen ngjarjet politike, intensiteti i larmishëm moshor i kësaj beteje konkurenciale, ka shumë mundësi të kthehet në një “momentum”, për të shënuar fillimin e një procesi ndryshimesh, spostimesh e rinovimesh, që mund të bëhet casus beli për të sjellë ndryshimet e duhura konceptuale, por dhe strukturore kaq shumë të pritura në tipologjinë e politikës tradicionale dhe përmirësime në skakierën e elitave aktuale. Një pjesë prej të cilave janë figura politikisht të amortizuara dhe kulturalisht të “kalçifikuara” prej kohësh. Në synimin për ta diagnostikuar këtë patologji të politikës sonë, e cila shpërtheu papritur dhe me intensitet politik, por sidomos mediatik (pa llogaritur mëritë egoiste të zhvilluar nën surdinë), duke e parë këtë reagim si sindromë të integruar sociopolitike e psiko-karakteriale, personalisht i kam dëgjuar ankesat publike dhe argumentimet mbrojtëse, ankimimet dhe glorifikimet narcistike, në dukje dhe në thelb krejt subjektiviste e të amortizuara të disa deputetëve. Disa më janë dukur deklarata infantile, me logjikë të përciptë politike, pa frikë edhe cinike. Besoj se deputetët qejfmbetur, që u hoqën apo që nuk u inkorporuan në listat e partive respektive, nuk i ngrënë kreditet politike personale në këtë mënyrë, as duke kërkuar mbështetje publike, apo duke grishur keqardhje militante apo keqardhje sociale. Politikani serioz është ai burrë, që di të heshtë atëhere kur nuk ka gjë të mençur apo të vlefshme për të thënë si “njeri politik”. Është e natyrshme që në momente dëshpërimi apo ngjarjeje të papritur, nuk është e lehtë të bësh vlerësim objektiv të mundësive ekzistenciale personale dhe nevojave alternative të politikës, aq më pak kur je njeri i vogël, i paaftë të garantosh veten, personalitetin e njohur publik, duke shmangur përndjekjen e un-it, të egos, të kësaj hije, siç ka thënë Niçe, që jo vetëm nuk i ndahet njeriut por e ndjek atë këmba këmbës nga pas. Kjo ngjarje është një moment për të bërë edhe refleksione sociolpolitike, kulturore, psikologjike, pse jo edhe morale. Një nga difektet e zbuluara në këto momente, është fakti i qëndrimit dikotomik e ambivalent. Nuk ka bërë efekt pozitiv një lloj qëndrimi dikotomik, i shoqëruar më një formë banale të hipokrizisë. Sepse u shfaq e agravuar sëmundja e politikës, që nuk është e panjohur, e cila në esencë ka të bëjë me dyfaqësinë e politikanit të përciptë, kalimtar që rastësisht apo në mënyrë të pamerituar ka mundur të penetrojë në strukturat e elitës politike. Ngjarja tregoi jo vetëm integritetin e lëkundur qytetar, por edhe një lloj hipokrizie identitare, të atyre që “flasin ndryshe nga çfarë mendojnë dhe mendojnë ndryshe nga çfarë flasin”. Sepse duke bërë një retrospektivë të shkurtër të ditirambeve të politikanëve tanë, kur janë të sigurt apo kur pozitat e tyre lëkunden për shkaqe personale apo sociale, strukturore, apo individuale, duket që nuk janë as koherentë e as të sinqertë me veten dhe “partinë e adhuruar” të tyre. Është fakt që të gjithë deputetët e të gjithë krahëve politikë, para publikimit të listave, kur diskutonin në forumet e tyre, apo kur ligjëronin me slogane mediatike për nevojat e rinovimit të strukturave politike dhe domosdoshmërinë e qarkullimit të elitave, për të shmangur “kënetizimin e partive” kanë shfaqur ide të tjera optimiste e solidarizuese. Kur i shikon nga kjo optikë, ata kanë qënë koherentë dhe modernë, me sjellje etike e durim dialektik në favor të ndryshimeve të domosdoshme. Por kjo sjellje politike, ky qëndrim nominal dhe reagim i personalizuar, ka patur vlerë dhe ka qenë koherent vetëm kur kjo çështje (rinovimi dhe qarkullimi elitave”, që është artikuluar me goxha elokuencë prej tyre, por vetëm teorikisht dhe me slogane neutrale, jashtë mundësisë së përfshirjes së personalizuar nga efektet e këtyre “operacioneve politike”, duke mbajtur qëndrim ex-katedra apo duke diskutuar problemin në parim, en block por pa përgjegjësinë vetjake të qëndrimeve false e hipokrite të nominalizuara dhe kritereve egoiste të personalizuara. Të gjithë politikanët, deputetë ose jo, gjithnjë janë shfaqur dakord me nevojën që ka politika dhe partitë politike për ndryshime politike e kulturore, ndryshime thelbësore dhe ristrukturime të strukturës aktuale parlamentare. Epo kjo gjë, ky ndryshim nuk është abstrakt dhe nuk mund të ndodhë pa bërë edhe disa “flijime politike”, përmes rregullit të artë, që politika e realizon nëpërmjet mekanizmit të rinovimit strukturor, qarkullimit freskues të elitave, nëpërmjet inkorporimit të njerëzve të rinj, përfshirjes së hapur të energjive të reja elektorale dhe politike.
Asnjë reformë që nuk lë pasoja, qoftë edhe në politikë, nuk është reformë, por kontinuitet që garanton statuskuonë, gjëndjen latante, konformizmin, si ideologji që pengon ndryshimin e duhur në momentin e kërkuar. Në këtë kontekst, ky fenomen ka të përfshirë edhe substancën materiale të ndryshimit, nuk mund të kalonte pa shfaqjen e ndjenjave të dëshpërimit egoist, pozave narciziste të disa njerëzve, të cilët për të patur statusin e politikanit permanent, nuk e kanë për gjë që t’i blatojnë vetes merita të qena apo të amplifikuara.
Nuk ka politikë pa “flijime”
Personalisht duke parë në këtë kontekst, besoj se kemi përballë një moment historik, i cili sipas meje mund të ketë edhe dimensionin e një “revolucioni i heshtur”, që me siguri do sjellë ndryshime sasiore, por edhe cilësore në skakierën e elitës politike shqiptare (nuk është thjesht marksiste kjo dialektikë ndryshimi). Gjithmonë veprimet revolucionare (transformuese), dinamike apo të heshtura nuk kalojnë pa pasoja. Asnjë reformë që nuk lë pasoja, qoftë edhe në politikë, nuk është reformë, por kontinuitet që garanton status kuonë, gjëndjen latante, konformizmin, si ideologji që pengon ndryshimin e duhur në momentin e kërkuar. Në këtë kontekst, ky fenomen ka të përfshirë edhe substancën materiale të ndryshimit, nuk mund të kalonte pa shfaqjen e ndjenjave të dëshpërimit egoist, pozave narciziste të disa njerëzve, të cilët për të patur statusin e politikanit permanent, nuk e kanë për gjë që t’i blatojnë vetes merita të qena apo të amplifikuara. Një fenomen që u lexua dhe u artikulua tek disa deputetë ekzistues por edhe tek disa “mëtonjës” që dëshirojnë të bëhen deputetë, ose dolën nga listat apo atyre që nuk mundën të hyjnë në to. Natyrisht është e njohur teza (e Marksit për të thënë të vërtetën) se marrëdhëniet njerëzore apo politike në shoqëri janë së pari marrëdhënie interesash. Kjo do të thotë se ky është njeriu, kjo është natyra e tij, qoftë kur është i zakonshëm, apo njeri politik. Sa herë që gjërat, rrethanat, faktet, ngjarjet nuk shkojnë në favor të tij, ndodh shperthimi i zemërimit personal, edhe pse sikurse po duket, ato shfaqen të shoqëruara me ambalazhe argumentuese sociale apo ekstrapolitike. Veçse sikurse po duket nga deklaratat e disa deputetëve të mbetur jashtë listave, zemërimi i tyre, edhe pse i “ambalazhuar” për të mos tingëlluar i vrazhdë, është evident, si fakt që buron nga cënimi politik i interesit vetjak. Mësimi edhe në dukje formal dhe statistikor që del nga “leximi” listave, është një ngjarje me “kërcitje të fortë” të skakirës aktuale parlamentare, që është në logjikën progresive e demokratike, se asnjë ndryshim strukturor apo përmirësim performance i politikës, sidomos i strukturës parlamentare, nuk mund të ndodh me sentimentalizëm apo pa bërë “flijimet” e duhura, si mjet organik dhe mekanizëm natyral i ripërtëritës. Është parim themelor i politikës modern, ajo që ka thënë filozofi Althusier, sipas të cilit nuk ka politikë konsekuente pa “bërë flijime”. Nëse listat nuk do të kishin pësuar tronditje dhe nuk do të ishin bërë ndryshime thelbësore, atëhere do të mbeteshim tek idolatrizimi pa kushte, kalçifikimi formal dhe kockëzimi pa meritë koherente i elitës ekzistuese parlamentare. Një pjesë e të cilëve, janë të përfshirë në to, për meritat e kontributin vleror dhe historik dhe që kanë statusin e “gjeneratorit” politik, përbëjnë bërthamën konsistente, pjesën autoritare, karizmatike të kontinuitetit të natyrshëm politik e parlamentar.