Gerdi Xhanari: Arsyetimi i Presidentit për mosdekretimin, nuk mund të jetë objekt debati dhe nuk mund të diskutohet

681
Sigal

Gerdi Xhanari, jurist

Mendoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me një demonstrim arrogance nga ana e Kryeministrit, duke çuar një kandidaturë të pa konsultuar më parë, që përkthehet në një thyerje të fortë të etikës institucionale

Arsyetimi i Presidentit për mosdekretimin, nuk mund të jetë objekt debati dhe nuk mund të diskutohet

Jakup B. GJOÇA

Gerdi Xhanari, jurist në intervistën për gazetën “Telegraf” sqaron ngërçin institucional midis Kryeministrit dhe Presidencës. Zoti Xhanari thotë se vendosja e fotos së zv.ministrit të Brendshëm Lleshaj në sajtin e qeverisë nuk është e ligjshme, por një kapriçio e çuar deri në fund nga Kryeministri. Zoti Xhanari argumenton se Kushtetuta Presidentit i jep kompetenca për dekretim dhe shkarkim të ministrave, si edhe të drejtën kushtetuese për mordekretim, sikurse në analogji, edhe Kuvendi kur voton ose rrëzon dekretet e Presidentit për krerët e institucioneve kushtetuese. Zoti Xhanari thotë se arsyetimi i Presidentit për mosdekretimin, nuk mund të jetë objekt debati dhe nuk mund të diskutohet. Zoti Xhanari argumenton se përse zv.ministri, sipas Kushtetutës, kurrë nuk mund të kryejë funksionet e ministrit, edhe sikur t’ia delegojë ato kryeministri.

 

– Zoti Xhanari në sajtin zyrtar të Kryeministrisë është vendosur dje fotoja e zv.ministrit të Brendshëm Lleshaj bashkë me fotografitë e ministrave të tjerë nën siglën “Qeveria”. A është normal dhe i ligjshëm ky veprim i kryeministrit?

– Është fakt që nuk kemi Ministër të Brendshëm të emëruar, përderisa nuk kemi një Dekret të Presidentit dhe një votim nga Parlamenti për Z. Lleshaj. Vetë emërimi i Tij në postin e zëvendës ministrit të Brendshëm tregon që edhe vetë Kryeministri e pranon që nuk ka një ministër të Brendshëm në detyrë. Gjithashtu, ka edhe një element juridik, ku përcakton që Zëvendësministri nuk mund të votojë në Këshillin e Ministrave. Gjithashtu, ju nuk keni parë asnjëherë që një zëvendësministër të ulet në vendin e caktuar për Ministrat në Parlament!! Pra, absolutisht nuk mund të jetë e ligjshme kjo puna e fotos së zv.ministrit Lleshaj publikuar në sajtin e qeverisë, por veçse një kapriçio e çuar deri në fund nga Kryeministri.

  Derisa mungon Gjykata Kushtetuese që të bëjë interpretimin e dekretimit të Presidentit për mosemërimin e ministrit të Brendshëm, a është e ligjshme që Kryeministri dhe deputetë të pohojnë se Presidenti shkeli Kushtetutën me mosemërimin e ministrit të Brendshëm?

-Në fakt ndodhemi tashmë në një ngërç të dukshëm kushtetues, të cilin vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta zgjidhte. Vendin e kësaj gjykate tashmë e kanë marrë në dorë vetë Kryeministri dhe deputetë të mazhorancës, me interpretimet e gjithanshme juridike, mbi antikushtetuetshmërinë e vendimit të Presidentit të Republikës, edhe pse shumica e këtyre interpretuesve, nuk janë jurist, por janë në profesion veterinerë, merceologë, apo njerëz të biznesit të tenderëve. Mendoj se është një sulm politik ndaj Presidentit Ilir Meta.

– Zoti Xhanari, a është analog mosemërimi i ministrit nga Presidenti me mosvotimin e kandidaturës/ave të krerëve të institucioneve Kushtetuese dhe anëtarëve të GJ.L. e GJ.K nga Parlamenti, kur ato i përcjell aty për votim Presidenti?

– Kushtetuta ne nenin 98 të saj, parashikon emërimin e ministrave: 1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Ndërsa për anëtarët ë GJ. Kushtetuese dhe GJ. Së Lartë, nenet 125 dhe 136 të saj, përpara miratimit të reformës në drejtësi: Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Pra emërimi, apo shkarkimi i një ministri bëhet me Dekret nga Presidenti. Dhe Kushtetuta në asnjë rresht të saj nuk e quan antikushtetues veprimin e mosdekretimit të një ministri, sipas propozimit të sjellë nga Kryeministri. Njëlloj si në rastin, kur një propozim të Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, apo të Gjykatës së Lartë, mund ta rrëzojë një shumicë parlamentare kundra këtij propozimi.

– Është i detyruar me ligj Presidenti të bëjë me dije publikisht arsyetimin e refuzimit të një kandidature të propozuar nga Kryeministri për ministër?

– Presidenti e bëri publik vendimin e tij, duke mos e dekretuar kandidatin e Kryeministrit z. z. Lleshaj. Pra Presidenti nuk fshehu asgjë përpara Kushtetutës dhe popullit. Duke qenë garant i stabilitetit dhe përfaqëson unitetin e vendit, sipas Kushtetutës, mendoj se arsyetimi i Presidentit për mosdekretimin e z. Lleshaj, ka lidhje pikërisht me këtë element. Pra, arsyetimi i Presidentit për mosdekretimin, nuk mund të jetë objekt debati dhe nuk mund të diskutohet.

 A është i detyruar në bazë të Kushtetutën, Kryeministri të bashkëpunojë me Presidentin për kandidaturat e ministrave përpara se ato të përcillen në Presidencë për emërim?

– Nuk është e shprehur në asnjë nen të Kushtetutës. Por nga nënteksti është i qartë, kur flitet për rolin e Presidentit, si përfaqësues i unitetit dhe kur shikon nenin 92, mbi kompetencat e Tij. Qoftë edhe në aspektin formal, një paraqitje paraprake dhe një diskutim paraprak i kandidaturës së një ministri, midis Kryeministrit dhe Presidentit. Mendoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me një demonstrim arrogance nga ana e Kryeministrit, duke çuar një kandidaturë të pa konsultuar më parë, që përkthehet në një thyerje te fortë të etikës institucionale.

Derisa të riformatohet Gjykata Kushtetuese a e lejon Kushtetuta Kryeministrin të komandojë zv.ministrin me detyra funksionale të ministrit? ( Domethënë Zv.ministri a mundet të kryejnë Detyrën e ministrit, edhe pse ka besimin e Kryeministrit?).

– Për këtë i duhet të referohemi Ligjit mbi Këshillin e Ministrave. Në Nenin 6 të tij, shprehet qartë se kur ministri është i pamundur për të kryer detyrën, atëherë mund të zëvendësohet përkohësisht nga një prej zëvendësministrave të atij dikasteri. Por vini re, vetëm përkohësisht. Gjithashtu përcaktohet që kompetencat që i kalohen për të ushtruar zëvendësministrit duhet të delegohen nga Ministri në detyrë! Pra këtë mandatim apo delegim, mund ta bëjë vetëm ministri në detyrë dhe nuk mund ta kryejë Kryeministri, apo edhe Këshilli i Ministrave, sepse është nul, edhe nëse e bën. Edhe deklaratat e fundit të përfaqësuesve ndërkombëtarë flasin për zgjedhjen e një drejtuesi kushtetues dhe me kompetenca të plota në Ministrinë e Brendshme.

– Duke u nisur nga ky ngërç institucional Kryeministri- Parlament, a gjykoni se Kushtetuta jonë ka boshllëqe të kompetencave të Kryeministrit, Presidentit dhe Parlamentit?

Mendoj se Kushtetuta është e qartë në atë që shpreh mbi procedurën e dekretimit, apo mosdekretimit të ministrave të qeverisë. Gjithsesi, nëse do të kishim funksionale Gjykata Kushtetuese tashmë do të kishim mundësinë të kuptonim të gjithë se nga anon peshorja e drejtësisë. Por fakti që Kryeministri i përcjell përsëri të njëjtin emër, Presidentit të Republikës, tregon që më shumë sesa interpretim kushtetues, ka nevojë për demonstrim force. Kryeministri ka kërkuar “shah mat” me oficerin e Tij. Të shohim nëse kjo betejë shahu do të përfundojë me “rënien e Mbretit”, “humbjen e oficerit” apo edhe “remi”.