Gerd Hoxha: Rekomandimet tona për Reformën në Drejtësi shkuan në Venecia

441
Ditën e djeshme, kreu i bordit të Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha ka qenë i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24. Kreu i Unionit të Gjyqtarëve ka folur për rolin e ekspertëve dhe gjyqtarëve për reformën në drejtësi. Ndër të tjera, Hoxha ka thënë, se shqiptarët dhe gjyqtarët e duan reformën dhe sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo e fundit varet nga politikanët, pasi janë këta, ata të cilët do ta miratojnë këtë reformë. “Shqiptarët duan reformë dhe e duan sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe gjyqtarët e duan, sepse do na mundësojë të ecim më para dhe sa më shpejt. Por varet nga mënyra se si sillen ata persona që po e bëjnë këtë reformë. Jemi republikë parlamentare, reforma do të miratohet nga politikanë dhe jo ekspertë. Ne na ngelet vetëm të presim dhe të shohim. Gjithsecili i nxjerr vetë rezultatet edhe shqiptarët i nxjerrin vetë rezultatet”, deklaroi kreu i Unionit të gjyqtarëve Hoxha. Problemi kryesor sipas Hoxhës ka të bëjë me numrin e inspektorëve, ndërsa shtoi se mjaft i nevojshëm është dhe trajnimi për punonjësit e institucioneve ekzistuese. 
Iniciativa jonë në Komisionin e Venecias
“Komisioni i Venecias evidentoi numrin e madh të institucioneve. Opinioni ynë në Venecia ishte një iniciativë jona personale”, tha ai. Gjithashtu Hoxha vlerësoi draftin e Ministrisë së Drejtësisë. “Ne dje kemi marrë draftin e Ministrisë së Drejtësisë. Draftin tjetër që është shumë më i rëndësishëm ende nuk e kemi. Drafti i Ministrisë së Drejtësisë reflekton më shumë ato që Komisioni i Venecias ka thënë”, shtoi Hoxha. “Ne duhet të kemi parasysh disa parime themelore. Jemi republikë parlamentare që funksionon në bazë të ndarjes së pushteteve. Duke qenë se jam gjyqtar bazohem vetëm në fakte. Shqipëria nuk është si 25 vjet më parë apo si 15 vjet më parë kur u ndryshua kushtetuta. Ne duhet t’u lëmë kohë këtyre njerëzve që janë arsimuar në shkollë të mirë apo kësaj kushtetute për t’u zhvilluar. Ne për shkak të profesionit jemi disa të mbyllur. Unioni i Gjyqtarëve dëshiron që këtë vit dhe vitin tjetër të organizojë takime të përbashkëta që t’ia bëjmë më transparent procesin publikut dhe gazetarët të na mësojnë se si të bëjmë PR. Sa i përket draftit të Ministrisë së Drejtësisë, patjetër që ai kënaq më së tepërmi pritshmëritë e gjyqësorit”, theksoi më tej kreu i Unionit të Gjyqtarëve. Më pas Hoxha është shprehur se, në draftin e fundit të dhjetorit shumë pak ishin marrë parasysh rekomandimet e Venecias. “Ishte i njëjti numër institucionesh. Tribunali siç ishte përpiluar në draftin e dhjetorit nuk ishte një trupë e tillë, që ofronte garanci. Draftuesit kanë pasur merakun dhe ankimet e shpeshta në gjykatë mund të vonojnë reformën. U jemi referuar disa modeleve të gabuara që kanë dhënë rezultate të gabuara”, – është shprehur kreu i Unionit të Gjyqtarëve, lidhur me Reformën në Drejtësi, e cila sipas tij varet nga politikanët dhe jo nga ekspertët. 
Sigal