Gentian Çala: Ne nuk jemi vetëm “rama ik”, por…

509
Sigal

Shqiptarët nuk duhet të na mbështesin vetëm se i themi “ik” regjimit aktual, i personalizuar kaq shumë te individi Rama. Duhet të ketë diçka më shumë se kjo, ata duhet ta mbështesin Opozitën e sotme, si alternativë për të dalë nga bataku ku kemi hyrë, ku kemi ngecur, e i cili e ka zhytur këtë shoqëri në pesimizëm dhe braktisje.

A po ia dalim?! Mbetet për tu provuar kjo gjë.

Mazhoranca refuzon zgjedhjet se ka shteruar nga idetë, është brejtur nga mosbesimi dhe e di qartësisht se një garë elektorale e nxjerr humbëse. Kurse Opozita, pasi ka gjetur kundërshtarin, i duhet të gjejë ritmin e nevojshëm të një projekti të ri, që ngjall besim, që ngjall shpresë, jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete, pa arnime, pa pseudoreforma, pa kompromise pushteti apo pa riciklim gabimesh të shkuara.

Ne jemi një hap nga kapërcimi i tranzicionit të gjatë. Por, kësaj here sfida është edhe me mbijetesën e kombit që po bëhet si një dunë rëre që era po e hedh nga të mundet nëpër botë. Nuk duhet vetëm një aksion opozitar dosido, as një kalim i thjeshtë pushteti nga njëra dorë te tjetra, por një kalim nga një vizion i dështuar te një vizion përtëritës. Ndaj duhet menduar çdo hap dhe duhet ngulmuar fort.

Disa e mendojnë se këta që qeverisin do të lodhen, do të ikin një ditë dhe opozita do ti zerë vendin. Kjo është thjesht naive dhe po kaq e pashpresë. Opozita duhet të vijë në pushtet vetëm pse dikush ikën, por si alternativë më e mirë nga oferta e pushtetit aktual. Ikja e Ramës nuk duhet mbushur me ardhjen e një Rame tjetër, por një moment ndryshimi thelbësor në qeverisje, administratë, raportin me të drejtën, raporti me qytetarët, premisë zhvillimi ekonomik e ndarje pushtetesh.

Demokracia nuk mund të jetë thjesht fasadë e dikujt që pushtetin e merr me “ushtarët” e tij dhe e ndan me ta. Ajo duhet të jetë vizion i atyre që pushtetin e venë në funksion të të gjithëve dhe për të gjithë. Principet duhet të udhëheqin jo konjukturat politike të momentit apo përfitimet. Kjo mazhorancë po shkon, përgjegjësia bie mbi opozitën, që me kod të ndryshuar apo të pandryshuar, me sistemin aktual apo me një tjetër, të rikthehet në pushtet, me të vetmin qëllim:

Përtëritjen e vendit dhe të vlerave demokratike!