Gentian Çala: Na duhet një strategji kombëtare kundër shpopullimit të vendit

501
Sigal

Me mijëra çifte prindërore të mbetur vetëm, ekonomia e vendit dhe e ardhmja e tij, ikja e trurit, ikja e shtresës së mesme, e plot të tjera si kjo, kërkojnë një përgjigje nga opozita shqiptare, si e vetmja mundësi për ndryshim. Tashmë nevojitet të kemi një strategji të qartë kombëtare të qeverisjes së ardhshme se si mund të zgjidhet ky problem jetik i vendit.

Këtu nuk bëhet fjalë për strategji që thuren për aspekte demagogjike apo në funksion të një fushate elektorale, por për një dokument të qartë, me objektiva dhe tregues të matshëm, me mbështetje financiare dhe me hapa konkretë. Synimi i strategjisë duhet të jetë përmirësimi i bilancit demografik, frenimi i ikjes së burimeve njerëzore nga vendi dhe motivimi i rikthimit të të ikurve (posaçërisht të atyre që shkollohen jashtë vendit).

Opozita shqiptare duhet ta nisë dhe ta ndërmarrë këtë aksion, ai duhet të jetë bosht i qeverisjes së ardhshme shqiptare paralelisht me sfidat e tjera të shumta që ka vendi. Heshtja, mohimi apo mospranimi i fenomenit të braktisjes së vendit duhet të marrin fund. Popullsia e vendit është aseti që duhet mbrojtur nga shteti, me të gjitha mjetet që ka. Opozita shqiptare nuk duhet të mbesë vetëm në fazën e dëshmimit të fenomenit, por duhet ti tregojë të gjithëve se kjo sëmundje e ka një kurë.

Të jetosh në realitetin e sotëm global, nënkupton që shumëkush do të joshet drejt viseve të tjera, drejt vendeve me ekonomi më të fortë, drejt vendeve me standarte më të mira jetese, drejt vendeve më të sigurta. Ndaj, ajo që na tërheq te një vendi tjetër, ajo duhet synuar të arrihet në vendin tënd. Ndryshimi politik sjell injiktimin e shpresës, gjë e cila rrit mundësinë e qëndrimit dhe zvogëlon ritmin e largimeve nga vendi. Beteja për mbijetesën e vendit është e lidhur ngushtë me përmirësimin e parametrave demografikë.

Duhet rikthyer besimi dhe duhet plan konkret që shpopullimi i vendit të frenohet. Kjo është beteja jonë për sot dhe brezat e ardhshëm!