Gënjeshtra e njëmijtë…

398
Sigal

Nga Gentian Çala

Në kohën që shumë nga ne nuk punojnë ose punojnë online, ka punonjës shëndetësorë që po punojnë vazhdimisht, kryesisht ata të Urgjencave Spitalore, të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, ekipet e Epidemiologjisë në nivel Vendor dhe Mjekët e Familjes. Me të drejtë ju premtua një shpërblim prej 1000 euro për mjekët dhe 500 për punonjësit shëndetësorë, por nuk ndodhi. Ndarja e tyre në “punonjës të linjës së parë të luftës ndaj Covid-19” është e paqartë dhe keqkuptuese për aq kohë sa nuk sqarohet. Kjo deklaratë është bërë qëllimisht evazive, për të krijuar një iluzion vlerësimi.

Kjo duket gënjeshtra e njëmijtë, pasi kemi dëgjuar shumë të tilla nga KM-ja ndër vite, por për mua, njëra nga më të paskrupulltat dhe më vetëdemaskuese. Zhgënjimi ndër bluzat e bardha dukej i dhimbshëm. E si mund të pranoj se gënjeu edhe në këtë situatë, pikërisht ai që disa javë më parë fryhej duke thënë se “bluzat e bardha do ti shpërblejmë”. Gënjeshtra është më shumë demotivuese se sa mospremtimi. Askush nuk ia kërkoi dhe askush nuk ju qa. Duhet ti vijë turp dhe të reflektojë, madje menjëherë!

Gënjeshtra e njëmijtë e Ramë babës me 40 hajdutë. Kjo më vjen në mëndje. Mendësia e fragmentimit të punonjësve të të njëjtit sistem, e vlerësimit të disave dhe e mosvlerësimit të disa të tjerëve, është jo vetëm diskriminuese, por edhe lënduese. Edhe kur nuk ia kërkojnë, ky e sajon vetë dhe e bën. Sot, u përpoq të sqaronte “keqkuptimin”, të cilin vetë e kishte sajuar, sepse kështu ia donte propaganda. Unë jam mjek, kam punuar këto ditë aq sa më është kërkuar nga pacientët. Nuk dua asnjë shpërblim sepse nuk kam bërë asgjë të jashtëzakonshme, përkundrazi, por punonjësve të urgjencës dhe ekipet e ndjekies epidemiologjike besoj se e meritojnë ti shpërbleni.

Unë besoj se ata do ta bënin këtë edhe pa i ofruar ndonjë shpërblim, sepse po kontribuojnë për familjet dhe kombin e tyre. Ju i keni prekur për të të shumtën herë në besimin e tyre te institucionet. Pastaj habitemi pse kemi aq shumë bluza të bardha kudo nëpër botë?!
Në fund ju po humbni KM-ë, ju po humbni!