“Akrobacia” 313 milionë lekë me tenderin abuziv të një rruge 28 km në Gjirokastër

664
Një raport kontrolli e konkluzionesh “blozë” abuzimesh, bërë me Vendimin Nr. 161, datë 11. 12. 2014 është skeduar prej KLSH edhe për veprimtarinë ekonomike-financiare të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve me qendër në Gjirokastër, deri në korrik 2014, duke lënë detyra për ndëshkime e kthim milionash në arkën e shtetit
Abuzimet e shumta, provohen me dokumente shkresore të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, të Komisionit të Prokurimeve Publike, të APP, të dosjes së tenderit 313 milionësh, të dosjes së KVO të kësaj drejtorie, të dosjeve të ARRSH, të denoncimeve të shumë firmave private viktima të pazareve të kupolë së kësaj drejtorie rajonale dhe sidomos të deklarimeve të vartësve të drejtorit të rrugëve të rajonit të Gjirokastrës, që flasin jo vetëm për rastin e tenderit “karamele” të rrugës K/Dhuvjan-Libohovë+Rruga Valare-Erind-Çajup!
Tenderët me rrugët, si ato pak “metër” që janë ndërtuar edhe ato qindra kilometër që rikonstruktohen e mirëmbahen me praktikën “rutinë”, duke paguar miliarda që dalin nga buxheti i shtetit (taksat e shqiptarëve) dhe përfundojnë si pasuri e llogari bankare private në xhepat e shefave të rrugëve, rezulton se janë bërë e po vazhdojnë të bëhen “viktimë” e babëzisë së shfrenuar të klanit “Haxhinasto-Xhika” edhe nëpër drejtoritë rajonale rrugore të Shqipërisë. Duke ndjekur “Modelin Xhika” të tenderëve abuzivë, drejtorët rajonal të rrugëve vazhdojnë të bëjnë tenderë rrugësh në miliona e miliarda lekë nga buxheti i shtetit, duke shkelur procedurat, duke shpërfillur ligjin, duke bërë përzgjedhje klienteliste fituesish, duke bërë makinacione në përcaktim procedurash e termash të referencave, duke paracaktuar fituesin nëpër restorante, duke lejuar ndryshime e thjeshtime projekti gjatë punimeve, duke pranuar në garë firma me dokumentacion fals, të mangët e madje të dënuara për abuzime, duke dekonspiruar ofertat e paraqitura tek klientët e tyre, duke skualifikuar firma me vendime “kaçakçe”. 

Rruga duhej mirëmbajtur në nëntor-dhjetor 2015, kontrata e tenderit u lidh në prill 2016! 
Kështu ka ndodhur edhe me një tender skandaloz, me objekt “mirëmbajtje rutinë dimërore rrugësh” në një zonë të Gjirokastrës! Dosja denoncuese e ardhur disa ditë më parë në redaksinë e gazetës “Telegraf”, ka lidhje me praktikat abuzive që “çeta” komanduese e Drejtorisë Rajonale Jugore të Rrugëve me qendër në Gjirokastër, ka zhvilluar edhe me një tender “të vogël”, për mirëmbajtje rrugësh dimërore me vlerë 26 milionë, 848 mijë e 408 lekë, pa detyrimin 20% TVSH, ose mbi 313 milionë lekë në total! Denoncimi ka lidhje me tenderin, me objekt prokurimi “Mirëmbajtje rutinë e dimërore të rrugës K/Dhuvjan-Libohovë+Rruga Valare-Erind-Çajup, me gjatësi 28 kilometër”. Pas verifikimit të letrës së ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, u bë verifikimi dhe investigimi, mbështetur në dokumente zyrtare e jo në “fjalë rrugësh”! Çfarë ka ndodhur me këtë tender? Përse, nuk është realizuar objekti i shërbimit të këtij tenderi (prokurimi), për të mirëmbajtur rrugën në muajt e dimrit nëntor-dhjetor 2015 dhe në muajt janar-shkurt 2016? Për çfarë shkaqesh, ky tender u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike dhe në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës e u cilësua “me fitues të shpallur në shkelje të plotë e absolute të procedurave e ligjit”? Cilët janë shkaktarët ligjor, që lanë rrugën pa mirëmbajtje dimërore, duke i shkaktuar asaj dëmtime të mëdha dhe rreziqe për jetën e banorëve të zonës gjatë qarkullimit. Duke i përmbajtur vetëm provave shkresore zyrtare, zbulohen “akrobacitë” që janë bërë nga drejtori dhe vartësit e tij në bashkëpunim, me këtë tender të cilësuar edhe nga drejtësia si “i zhvilluar në shkelje të ligjit”! Po flasim konkretisht. Në fund të muajit gusht 2015, Drejtoria Rajonale e Rrugëve me qendër në Gjirokastër, ka shpallur publikisht në Buletinin e Prokurimit Publik, një njoftim për zhvillim tenderi, me objekt “mirëmbajtje rutinë dhe dimërore të rrugës K/Dhuvjan-Libohovë+Rruga Valare-Erind-Çajup, me gjatësi 28 kilometër. Nuk e dimë, nëse vlera e fondit limit të ofertuar nga “ustallarët” e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve të Gjirokastrës është llogaritur në përputhje me volumin e punës që ka realisht mirëmbajtja e kësaj rruge në stinë dimri, por dimë faktin që edhe pse tenderi u bë, nuk u konkretizua si shërbim! Pse? Sepse tenderi u “gatua” me shkelje të plota në seleksionimin, përzgjedhjen dhe shpalljen e fituesit dhe “ustallarëve” të llojit “Nasi”, që duhej të përlanin fitimet e tenderit 313 milionësh! 
Komisioni Prokurimeve Publike dhe gjykata, bllokuan tenderin e “gatuar” me shkelje ligji 
Tenderi “Nasi”, me kosto sa vlera e ndërtimit të një shkolle të re, parashikonte mirëmbajtjen rutinë e dimërore të 28 kilometrave rrugë, duke nisur nga nëntori 2015. Por kjo mirëmbajtje dimërore e rrugës nuk nisi dhe nuk u krye faktikisht, për shkak se u bllokua tenderi “Procedurë e Hapur”, me Nr. REF-06999-08-24-2015, me objekt: “Mirëmbajtje rutinë e dimërore me performancë Rruga K/Dhuvjan-Libohove+Rruga Valare-Erind-Çajup me gjatësi 28 km”, zhvilluar në datën 18. 09. 2015, nga Autoriteti Kontraktor Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër. Por shërbimi i mirëmbajtjes së dimërore të rrugës, nuk u nisi dhe nuk u realizua, paçka se në datën 14. 10. 2015 u shpall njoftimi i fituesit e paçka, se në datën 16. 10. 2015 u lidh kontrata midis autoritetit kontraktor që është Drejtoria e Rrugëve Rajonale e Gjirokastër dhe firmës (….) së shpallur fituese prej “kupolës” së kësaj drejtorie, “komandanti” i të cilës, për t’iu shmangur përgjegjësisë administrative e ligjore përballë këtij abuzimi të rëndë, ia kalon “mëkatin” Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, anëtarët e të cilit janë vartës të bindur të tij (siç deklarojnë)! U duk, sikur puna do të niste e rruga do të mirëmbahej edhe këtë dimër që kaloi, por gjithçka “ngriu”, mbasi tenderi u bë objekt gjykimi në KPP dhe në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës. Këto dy institucione, me vendime të formës së prerë, vendosën të shpallin paligjshmërinë e praktikës së zhvillimit të tenderit dhe paligjshmërinë e fituesit të shpallur prej “çetës” tenderuese të drejtorit Nasi. Ndaj dhe çështja e tenderit për të bërë punët e dimrit, zgjati nga tetori 2015 e deri sot në pra të beharit, në muajin prill 2016, kur u lidh një tjetër kontratë me një tjetër fitues, por që sipas kontratës së re të detyruara me vendime të KPP e gjykatës, duhet të nis të kryej punime në nëntor 2016! Kujtojmë, që ky tender është për një periudhë 24 muaj, pra për dy stinë dimri. por do bëhet vetëm për një dimër, mbasi një dimër iku pa bërë shërbime në rrugë, duke e lënë atë në mëshirë të fatit! 
Dosjet e rrugëve të Rajonit Gjirokastër, një “gropë e zezë” që duhet hapur 
Gazeta “Telegraf”, kontaktoi me burimet e saj në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve në Gjirokastër dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, prej të cilëve mësoi, se abuzimi me këtë tender është një “thërrmijë”, mbasi në këtë drejtori rajonale rrugësh është bërë dhe po vazhdon të bëhet batërdia me fondet publike. E gjithë veprimtaria e këtij autoriteti rrugor rajonal është një “gropë e zezë” krimesh ekonomike-financiare, me bazë tenderët që kanë firmën e drejtuesve e të saj dhe “bekimin” e plotë të drejtorit Dashamir Xhika, i cili prej 3 muajsh është “klient” i drejtësisë për abuzime me tenderët e rrugëve, zbuluar prej KLSH e cila e çoi Xhikën për ndjekje penale në prokurori! Një raport kontrolli e konkluzionesh “blozë” abuzimesh, bërë me Vendimin Nr. 161, datë 11. 12. 2014 është skeduar prej KLSH edhe për veprimtarinë ekonomike-financiare të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve me qendër në Gjirokastër, deri në korrik 2014, duke lënë detyra për ndëshkime e kthim milionash në arkën e shtetit. Por këto detyrime ligjore të lëna nga KLSH me afate e me veprim “menjëherë” nuk po zbatohen prej Drejtorit të Rrugëve Rajonale të Gjirokastrës Dh. Nasi, i cili deklaron “konfidencialisht për miqtë”, se ka mbrojtjen e një deputeti që e ka mbrojtur dhe e ka rigraduar në poste të larta edhe në momente “delikate”, kur duhej të ishte atje ku rrëfehet me zë të lartë emri i “nënës dhe i babait”! Gazeta “Telegraf”, do të zbardh të plotë dosjen e rrugëve të rajonit jugor fijet të cilës shkojnë deri tek tavolina e drejtorit Xhika. Do të zbardhet, mbështetur në dokumente e prova shkresore të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, të Komisionit të Prokurimeve Publike, të APP, të dosjes së tenderit 313 milionësh, të dosjes së KVO të kësaj drejtorie, të dosjeve të ARRSH, të denoncimeve të shumë firmave private viktima të pazareve të kupolë së kësaj drejtorie rajonale dhe sidomos të deklarimeve të vartësve të drejtorit të rrugëve të rajonit të Gjirokastrës, që flasin jo vetëm për rastin e tenderit “karamele” të rrugës K/Dhuvjan-Libohovë+Rruga Valare-Erind-Çajup!
Sigal