Genc Pollo: Të vërtetat e hidhura shqiptare në Parlamentin Europian

48
Sigal

Genc Pollo – Ish Ministër e Deputet

“Në raportin e rezolutës thuhet se jemi diku midis shtetit të dështuar (failed state) e shtetit të kapur (captured state).”

Një vit më parë në shënimin “Të vërtetat e hidhura shqiptare sot në Parlamentin Europian” komentoja mbi rezolutën “Shqipëria 2021” të miratuar nga eurodeputetët. Këtë muaj rezoluta “Shqipëria 2022” e votuar me konsensus të gjerë në Strasburg konfirmon sërish se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Europian, e vlerëson pozitivisht ndër të tjera linjëzimin 100% të Tiranës me politikat e masat e Brukselit kundrejt agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Por ashtu si një vit më parë rezoluta rreshton probleme që nuk janë të denja për një shtet kandidat, i cili prej një viti negocion anëtarësimin në BE; madje të krijojnë përshtypjen se jemi diku midis shtetit të dështuar (failed state) e shtetit të kapur (captured state). Në kontrast me këtë radiografi të qartë ishte fjalimi optimist i përfaqësuesit të Komisionit Europian në seancë plenare. Po për këtë problem do të kemi një shënim më vete. Për të ndihmuar informimin e publikut po listoj këtu pasazhet relevante të rezolutës:

1- Shkeljet e rregullores në Kuvend; Shpreh keqardhjen për konfrontimin e qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorikën nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë përfshi këtu shkeljet e rregullores parlamentare;

2-Cungimi i rolit të opozitës parlamentare; Shpreh shqetësimin e tij për zvogëlimin e hapësirës për rolin mbikëqyrës parlamentar të opozitës,

3-Refuzimi i komisionit hetimor parlamentar pёr ҁёshtjen McGonigal; Duke përfshirë refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare; respektimi i të drejtave dhe përgjegjësive të opozitës;

4- Moslejimi i PD reale të garojë në zgjedhjet lokale; U bën thirrje autoriteteve të garantojnë lirinë e asociimit, duke përfshirë partitë politike dhe lirinë për të kandiduar në zgjedhje,

5- Votëblerja e probleme të tjera me zgjedhjet; Shpreh keqardhje për faktin që partitë kryesore politike nuk kanë arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias; u bën thirrje autoriteteve të garantojnë lirinë e organizimit, duke përfshirë partitë politike, dhe lirinë për të kandiduar në zgjedhje, duke përfshirë të gjitha pakicat dhe të gjitha seksionet e opozitës, pa ndërhyrje shtetërore ose të tjera të panevojshme, duke përmirësuar më tej aksesin dhe integritetin zgjedhor dhe duke parandaluar blerjen e votave dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, duke përfshirë dixhitalizimin, mbrojtjen e të dhënave dhe aksesin e barabartë në media, në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i drejtë, i hapur dhe transparent.

6- Kundra amnistisë fiskalo-kriminale dhe pasaportave të arta;
Mbështet heqjen e dispozitave të projektligjit për amnisti fiskale dhe penale dhe skemën e propozuar të nënshtetësisë për investim (“pasaporta e artë”) që janë të papajtueshme me normat dhe politikën e vizave të BE-së dhe që mund të paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, korrupsionin dhe krimin e organizuar; vë në dukje, në këtë drejtim, pezullimin e shpallur të skemës “nënshtetësi për investim” dhe synimin e qeverisë shqiptare për të kërkuar ekspertizë të BE-së për rishikimin e projekt-amnistisë fiskale dhe penale. Thekson detyrimin e autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimin publik, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit; thekson nevojën për të forcuar masat mbrojtëse, transparencën dhe kushtëzimin në kuadër të një procesi të shqyrtimit strategjik të investimeve të huaja dhe për të ndjekur penalisht incidentet e korrupsionit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, duke luftuar njëkohësisht evazionin fiskal, ndërtimet e paligjshme dhe anashkalimin e sanksioneve; rikujton se procedurat e dhënies së kontratës për projektet e infrastrukturës,

7- Kundër aferës Al Abaar me Portin Durrës; Projekti lidhur me Portin e Durrësit, duhet të jetë në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit;

8- Problem me marrveshjet jo-viza që qeveria Rama bën me të tretët; Inkurajon Shqipërinë të rrisë përpjekjet për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit e saj dhe për të harmonizuar më tej politikën e saj të vizave me listën e vendeve të treta të BE-së që kërkojnë vizë.

9- Dënon patronazhistët; Dënon përdorimin e paautorizuar të të dhënave private të qytetarëve, përfshirë nga partitë politike, dhe u bën thirrje autoriteteve të marrin masa urgjente për të parandaluar rrjedhjet e të dhënave dhe për të përshpejtuar për afrimin me acquis të BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale;

10- Beleri burgoset që qeveria të kapë pronat në Himarë; Shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të Komunës së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve komunale të majit, i cili cënoi prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryebashkiakun e zgjedhur të marrë detyrën, pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite. Nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe akuzat për zaptim nga shteti;

11-Përkeqësim i thellë i lirisë së medias e të shprehjes; Shpreh keqardhje për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias; -thekson rolin e qeverisë shqiptare dhe liderëve politikë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për realizimin e këtyre lirive. Dënon përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe për të fshehur në mënyrë arbitrare informacionin publik, të tilla si vendimet për të ndaluar pjesmarrjen e gazetarëve në konferencat e shtypit të qeverisë, si dhe dështimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe organeve të medias; dënon çdo dhunë ndaj tyre; Shpreh shqetësimin e tij për retorikën e qëndrueshme nxitëse, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë, zyrtarë publikë dhe figura të tjera publike; bën thirrje për hetime për të gjitha sulmet kundër mediave kritike dhe që autoritetet të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmeve kundër gazetarëve. Dënon çdo përpjekje rregullatore për të rritur kontrollin politik mbi institucionet e medias; mirëpret, në këtë kontekst, tërheqjen e projektligjit kundër shpifjes në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias; Nxit Qeverinë Shqiptare të sigurojë pavarësinë e transmetuesit publik dhe rregullatorit të medias dhe transparencën e pronësisë së medias, financimit dhe reklamimit publik; shpreh keqardhje për faktin se shumicës së mediave shqiptare u mungojnë modele të qëndrueshme biznesi dhe financim transparent; U kërkon të gjithë aktorëve dhe autoriteteve politike që të ndalojnë përdorimin dhe të dënojnë gjuhën e urrejtjes, fushatat e shpifjeve dhe ngacmimet e organizatave të pavarura të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe të sigurojnë që autorët të sillen para drejtësisë;

12-Problemet e financave me hidrocentralin Skavicë e Aeroportin e Vlorës; Për përmirësimin e transparencës, sjelljes, zbatimit dhe monitorimit të vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik mjedisor, veçanërisht; për projektet me pasoja të mëdha mjedisore dhe socio-ekonomike, si projekti i hidrocentralit të Skavicës; shpreh shqetësimin e tij për ndikimin ekonomik dhe mjedisor të projekteve zhvillimore jokonkurruese të financuara nga jashtë; si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës dhe ndalimi i zhvillimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura.