Genc Gjonçaj:“KQZ-ja dhe administrata e saj janë thjesht seksione politike të PD-së”

518
Sigal

*përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ

Paraprakisht, mund t’ju them se përsëri kemi probleme me dublimet dhe adresat e zgjedhësve

Genc Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i KQZ-së, në intervistën për “Telegraf” jep alarmin e gjendjes reale të listave zgjedhore,  e mundësisë së manipulimit të të  dhënave, të cilat i deklaroi të sakta zv.ministri i Brendshëm, Pone. Opozita edhe pse e cilëson KQZ-në me 4 anëtarë si seksion politik të PD-së, vazhdon të ketë praninë e saj , nëpërmjet përfaqësuesve ligjorë të saj. Këtë situatë, zoti Gjonçaj e shpjegon: “Ne jemi  në KQZ për të mbajtur qëndrimet tona, lidhur me çdo vendimmarrje të KQZ- së dhe procesin zgjedhor në përgjithësi”.

– Zoti Gjonçaj, pardje zv.ministri i Brendshëm, zoti Pone tha se është hartuar lista përfundimtare e zgjedhjeve, u zgjidhën të gjitha problemet, dhe siguroi se asnjë votues nuk do të mund të votojë 2 herë. Sipas jush, cila është e vërteta për listat zgjedhore?

E vërteta e listave është krejt tjetër. Qeverisja e Partisë Demokratike nuk arriti dot, edhe pas 8 vitesh në pushtet, të hartonte lista korrekte zgjedhësish për të siguruar një mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Megjithatë, grupi i ekspertëve tanë është duke punuar për nxjerrjen e të dhënave përfundimtare dhe besoj se për pak ditë do të keni një qëndrim lidhur me deklaratën e z. Poni. Megjithatë, paraprakisht mund t’ju them se përsëri kemi probleme me dublimet dhe adresat e zgjedhësve, problematika që i kemi adresuar në seancat publike të KQZ- së, kur janë shqyrtuar raportet e auditeve.

– A nuk është paradoks politik i PS-së, që nga njëra anë deklaron se KQZ-ja është cënuar dhe se   vendimmarrjet e saj, me 4 anëtarë, nuk mund të kenë legjitimitetin, dhe nga ana tjetër, ju, si përfaqësuesi ligjor i PS-së, merrni pjesë rregullisht  dhe me pyetjet, kritikat tuaja, bëheni  palë?

Së pari, vendimi i dorëheqjes i tre anëtarëve të KQZ -së është një veprim personal, i cili do të duhet të përshëndetet si një akt qytetarie i tyre, kundrejt përdorimit të Kuvendit jashtë çdo rregulli e arsyetimi ligjor e kushtetues nga mazhoranca qeverisëse, duke iu referuar këtu shkarkimit të z. Muho e prandaj nuk duhet të lidhet prezenca ime si përfaqësues i PS-së në KQZ, me mungesën e tyre.

Së dyti, veprimi i lartcituar i Kuvendit me të vërtetë cënoi legjitimitetin e KQZ-së në raport me zgjedhjet e Qershorit 2013, por ka akoma dhe pak kohë, ku autorët të cilët kryen veprimin, pra, mazhoranca qeverisëse, të reflektojë dhe t’i kthejë legjitimitetin e prekur nga Kuvendi këtij institucioni, duke dakortësuar për zgjidhje, të cilat e rikthejnë besimin te ky institucion.

Së treti, prezenca e përfaqësuesve ligjorë të opozitës  në KQZ është e rëndësishme për procesin, pasi ne nuk kemi bojkotuar këtë proces, siç dhe do të ishte edhe dëshira e mazhorancës. Ne jemi aty për të mbajtur qëndrimet tona, lidhur me çdo vendimmarrje të KQZ- së dhe procesin zgjedhor në përgjithësi.

– Përse opozita i kërkon kësaj KQZ-je me 4 anëtarë të shqyrtojë problemet që i interesojnë drejtpërdrejt opozitës dhe e pranon vendimmarrjen e saj, sikurse ishte zëvendësimi i anëtarëve të KZAZ-ve, ndërsa nuk njeh vendimmarrjet e tjera?

– Neve, si opozitë,  na intereson i gjithë procesi zgjedhor dhe jo vendimmarrje të caktuara, sikundër pyesni ju.

– Kështu, a nuk zbaton  opozita këtu një politikë me 2 standarde?

Jo, ajo që intereson opozitën me prezencën e saj në KQZ janë zgjedhjet e lira. Në asnjë rast nuk do të lejojmë që të përsëriten eksperiencat negative të zgjedhjeve të mëparshme, që përveç se kanë dëmtuar interesat e drejtpërdrejta të opozitës, kanë cënuar në mënyrë të rëndë standardet e zgjedhjeve shqiptare dhe më shumë akoma integrimin e vendit në Familjen Euro- Atlantike.

– Në problematikat që trajtohen në KQZ, a ka selektim të qëllimtë nga kryetarja e KQZ-së? Konkretisht, cilat janë problemet që ju shqetësojnë juve nga ky selektim, në shërbim të interesave partiake?

Me përjashtim të znj.Lleshi, pjesa tjetër e komisionit ka qenë në zgjedhjet e mëparshme, veçanërisht në ato të 2011-ës dhe e ka marrë vlerësimin për sjelljen e saj në raport me ato zgjedhje, sjellje e cila sipas ndërkombëtarëve të OSBE/ODIR- it  minoi procesin e besimit mes palëve. Sot KQZ-ja ka të njëjtët anëtarë të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011, duke kuptuar që kompozimi i KQZ -së për mazhorancën është thjesht dhe vetëm çështje emrash dhe numrash vendimmarrës dhe jo interes për të pasur një KQZ të pavarur nga partitë politike.

Sfida e znj.Lleshi ishte që të ngrihej mbi palët, por mesa duket, as ajo nuk mund t’i rezistojë dot trysnisë së mazhorancës. Dhe kjo tashmë është e evidentuar. KQZ-ja dhe administrata e saj janë thjesht seksione politike të   Partisë Demokratike.

– Deri tani a ka marrë KQZ-ja me 4 anëtarë vendime të cilat janë të detyrueshme të merren me votë të cilësuar? Nëse ka marrë, a mund të jenë këto vendime legjitime?

Me cënimin e legjitimitetit të KQZ- së nga ana e mazhorancës dhe duke mos konsideruar zgjidhjet që synojnë riformatimin e KQZ- së, tashmë përgjegjësia për organizimin edhe zhvillimin e zgjedhjeve është vetëm e saj dhe në këtë kuadër do të duhet të shihet dhe përgjigjja për pyetjen tuaj.

– Faleminderit!

 Mazhoranca frikësohet nga vota e popullit, ndaj prek KQZ-në

– Mund të quhet i pranueshëm dhe legjitim një rezultat zgjedhor, i deklaruar nga KQZ-ja me 4 anëtarë?

– Veprimi i fundit i Kuvendit, për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, i arsyetuar gjoja për balancim politik, më ngjan me zgjedhjet e vitit 2011-s kur në përfundim të lojës KQZ-ja  e asokohe, por që ngjan si një pikë loti me këtë KQZ të sotme, ndryshoi rregullat e lojës kur gara kishte përfunduar, ndërsa sot, më keq akoma, u ndryshua arbitri i saj. Dhe kjo ndodh sa herë kur mazhoranca frikësohet nga vota e popullit dhe sa herë ajo nuk ka kontroll mbi ndonjë pushtet të caktuar, qoftë ky dhe ai që organizon zgjedhjet. Për mazhorancën është më e rëndësishme qenia në pushtet, sesa e ardhmja evropiane dhe perëndimore e Shqipërisë. Dhe kjo është një fatkeqësi, nga e cila shqiptarët do të shpëtojnë më 23 Qershor, me apo pa një komision qendror zgjedhor të pavarur.