Zef Bushati:“Kryetarët e partive tradhtojnë elektoratin e tyre kur zgjidhen deputetë të PD-së”

451
Sigal

 Zef Bushati, Kryetar i Aleancës Demokristiane:

-Zoti Bushati, partitë përbërëse të koalicioneve midis tyre, nuk kanë bazë as afërsinë politike, as ideologjike, për pasojë as alternativa të përbashkëta. Atëherë, përse elektorati duhet t’u besojë këtyre koalicioneve?

– Në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” hymë  për interesa reciproke. Lideri socialist Rama si dhe lideri iLSI-së Meta e konsideruan pjesëmarrjen e ADK-së në koalicion si “ një vlerë e shtuar”, ku të gjithë së bashku me kontributet e gjithsecilit do të mundësojmë rotacionin politik në Shqipëri. Elektorati beson çdo pjesë të këtij koalicioni, sepse sheh dhe gjen aty përfaqësimin e bindjeve të veta, nëpërmjet programeve dhe drejtuesve.

– PDK-ja, që ju keni themeluar, tashmë ka kaluar në disa duar, ku, siç  thuhet, kjo është bërë nëpërmjet shitjes, si një plaçkë tregu. Ju vjen keq për këtë katandi të PDK-së ?

– Krejt normale për mua që të ndjej dhimbje. Është një investim që i ka marrë 10 vite jetës sime. Së bashku me kolegë të tjerë e themeluam dhe i dhamë jetë PDK-së, e çuam në parlament, në qeveri dhe e renditëm forcën e tretë politike. Gjithsesi, mund të them një të vërtetë: Ata, të cilët e themeluan PDK-në, janë të bashkuar në Aleanca Demokristiane. Ne besojmë se do ta realizojmë në këto zgjedhje “rilindjen demokristiane” me rezultatin tonë.

– Elektorati katolik, duke u ndodhur përballë 3 partive politike, mbi bazën e çfarë kriteri mund të zgjedhë alternativën e tij? Kujt dhe përse duhet t’i japë votën ?

– Politika është e ndarë nga feja. Ideologjia jonë e ka burimin tek filozofia demokristiane.. Ne nuk bëjmë propagandë fetare. Por propagandojmë filozofinë dhe ideologjinë tonë, doktrinën tonë demokristiane, që është doktrinë e ndërtimit dhe e zhvillimit të shoqërisë.

– Koalicionin e zgjedhin kryetarët e partive nëse u plotësohen interesat e tyre personale apo interesat e elektoratit që duan të përfaqësojnë ?

– Koalicionet nuk mendoj se duhet të jenë bashkim për interesat personale të kryetarëve. Pikërisht, se mendoj kështu, kemi kërkuar që asnjë nga kryetarët e partive në cilindo koalicion të mos përfshihet në listën e partisë së madhe. Për mua, kolegët e mi tradhtuan partitë e tyre, tradhtuan elektoratin e tyre. Mediu nuk zgjidhet nga elektorati republikan, Ndoka nga ai demokristrian, Spahiu nga ai legalist, Idrizi nga ai Çam, Xhuveli nga ai i Agrares…ata do të zgjidhen nga elektorati i PD-së. Dhe pas zgjedhjeve ata ligjërisht janë deputetë të PD-së. Kjo nuk është e ndershme.

-Cila është alternativa politike e ADK-së  në këtë fushatë zgjedhore?

– ADK-ja do të ofrojë një vizion të ri nëpërmjet potencialeve intelektuale në radhët e saj, dhe i ka propozuar PS-së dheLSI-së, ngritjen e një Komisioni Shtetëror Anti-korrupsion, duke propozuar programe e paketa ligjore, që do të fokusojnë dhe mundësojnë një luftë efektive dhe fitimtare mbi këtë sëmundje të rrezikshme. Ato e kanë mirëpritur propozimin tonë.

-Përse është i nevojshëm rotacioni politik?

– Nevoja për të plotësuar kushtet e integrimit të Shqipërisë në BE kërkojnë një ndryshim të madh të cilësisë dhe standardeve konceptuale të qeverisjes, të funksionimit të demokracisë në një shtet evropian dhe të një shteti ligjor. Kërkohen reforma të rëndësishme strukturore, ekonomike e sociale, që të përmirësojnë dhe të japin siguri të plotë dhe një ecuri të qartë të Shqipërisë drejt standardeve të vendeve të BE-së, veçanërisht për mënyrën e re të qeverisjes e të jetesës së njerëzve. Në këtë aspekt, ADK-ja do japë një kontribut të veçantë.

– Përse keni bindjen që e majta do të ketë vullnet politik për një mirëqeverisje, ndryshe nga e djathta?

– Berisha dhe qeveritë e tij, janë konsumuar 8 vite, duke implementuar standardet e tij dhe nuk mund t’i ndryshojë ato. Edi Rama, si lider i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” po paraqet çdo ditë koncepte euro atlantike për drejtimin e shtetit shqiptar me cilësi dhe standarde bashkëkohore.

– Faleminderit!