Gati arrestimi i komisionerëve  që ndërhyn në kutitë e votimit

Pas fillimit  të hetimeve nga SPAK dhe Prokuroria si dhe shkeljeve të gjetura nga  hapja e kutive, përgatiten prangat për abuzuesit që  tjetërsuan vullnetin e qytetarëve. Prof. Kristaq Kume: KAS po tregon mungesë të theksuar vullneti për zbatimin e ligjit elektoral ndërsa anëtarët e saj po sillen si shërbëtor partie ku 1 person votoi 20 herë.

 

Sigal

Prof. Kristaq Kume: KAS po tregon mungesë vullneti për zbatimin e ligjit elektoral

Vjedhja e zgjedhjeve u provua. Pse SPAK nuk arreston komisionerë, numërues dhe personat që votuan shumë herë?

Hapja e kutive të numërimit në Qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës dhe numërimi i tyre në KAS, dëshmoi që zgjedhjet u vodhën, sepse shumë persona kanë numëruar dhe dhjetëra herë edhe për disa të tjerë. Ka numërues të Qendrave të Votimit që kanë votuar disa herë, ka numërues të tjerë që kanë tjetërsuar fletën e votimit, duke shënuar kryqe të tjera dhe e kanë nxjerrë fletëvotimin e pavlefshëm, ndaj edhe kemi mbi 83 mijë fletëvotimi të pavlefshme. Në shumë kuti votimi kanë ndërhyrë pasi janë mbyllur, madje ka dyshime që këto ndërhyrje në kutitë e votimit kanë ndodhur në KQZ, nga persona që janë të autorizuar nga KQZ-ja në procesin zgjedhor. Të gjitha këto prova tashmë, janë të dokumentuara. Atëhere, përse SPAK, që ka përgjegjësinë të hetojë krimet zgjedhore, nuk ka filluar arrestimet? Sot pritet që KAS të vendosë nëse do të përsëriten votimet në qarqet Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.

Prof. Kristaq Kume: KAS ka detyrimin që të sigurojë  provat e krimit zgjedhor

Duke ju referuar asaj për çfarë parashikon Kodi Zgjedhor, provat janë një dhe jo të dyllojshme. Dhe duke iu referuar po Kodit Zgjedhor, subjektet që ankimohen, ky Kod u njeh të drejtën edhe në kushtet, kur nuk kanë prova, por janë vetë fakte, në kushte kur nuk kanë mundësi reale dhe e vërtetojnë, që nuk kanë mundësi për të gjetur provat, është KAS, që duhet t’i sigurojë, që të gjendet provat. Ky është një rregull i vendosur në Kodin Zgjedhor i vendosur që në vitin 2012, dhe që jo vetëm duhet shikohet me kujdes, por duhet përdorur si i tillë, për të gjithë procesin zgjedhor në përgjithësi. Jemi në kushtet, kur një palë e quan masakër elektorale dhe jo zgjedhje demokratike, kurse mazhoranca e quan që ka arritur të realizohet sipas pritshmërive, si një proces zgjedhor demokratik. Dhe në këtë rast futet në lojë KAS, që ndodhet përpara një kërkese ankimuese dhe për të marrë vendimet në plotësi të saj apo jo, do të ishte shumë e udhës veçanërisht kësaj radhe, që KAS të plotësonte këtë mundësi që i jep ligji, sipas pretendimeve që i jepet ankimuesit. Dhe organet nuk mund ta anashkalojnë këtë pjesë.

PD e LSI paraqesin në KAS pretendimet për shkeljet ligjore në Qarkun e Vlorës

KAS dje,  shqyrtoi ankesat e PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Vlorës. PD dhe LSI kanë paraqitur pretendimet e tyre, teksa përfaqësuesi i demokratëve, Marash Logu ka akuzuar me emra se Damian Gjiknuri, Alket Hyseni, Vilma Bello dhe drejtorët Klodian Troci e Erion Osmanaj, janë përfshirë në shitblerjen e votave ose ndikimin tek votuesit, me qëllim deformimin e vullnetit të tyre për 25 prillin. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji i kërkoi opozitës mos vijonte më me kërkesat e tjera ankimore, pasi nuk po sillte asnjë gjë të re, teksa i kërkoi KAS të refuzojë shqyrtimin e ankesave për Vlorën. Përfaqësuesi i PD-së: “Është qëlluar në Selenicë në një lokal me simpatizantë të PD-së, nga një simpatizant i PS-së, çka bëri që demokratët mos marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. U pa dhe në rezultat ku kjo zonë ishte dobët për PD. Arjan Shabanaj nga Selenica, pas vizitës së kryetarit të PD-së në këtë zonë, rezulton i humbur. Mund të jetë për aktivitetin politik të tij, pasi ishte kërcënuar disa herë për aktivitetin politik të tij.

Denoncimet

Më 2 prill 2021, PD ka kallëzuar në SPAK shtetasin Afrim Qendro, nënkryetarin e Vlorës, Klodian Trocin e Kadastrës dhe Erion Osmanaj, drejtorin e OSHEE, që ngritën strukturë kriminale për blerjen e votës. Ne vlerësojmë se shitblerja e votave përbën shkelje të rëndë të nenit 78, mjaftueshëm për t’i shpallur të pavlefshme. Blerja e votave nuk u realizua vetëm me të holla, por dhe bonuse, të mira materiale. Në Vlorë janë konstatuar ndihma ushqimore për qëllime zgjedhore, është përdorur nga disa figura. Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në datën 25 shkurt 2021, Këshilli Bashkiak i Vlorës, ka miratuar një vendim për dhënien e kredive të buta, në kundërshtim me nenet që, në periudhën 4-mujore para zgjedhjeve, ia ndalon. Edhe në seancat e mëparshme kemi relatuar vendime të Këshillit të Ministrave. Më 24 prill 2021, Agjencia në Vlorë ka shpërndarë tollona nafte për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve. Vendosja e shtetit në shërbim të partisë duke përdorur burimet shtetërore, iu është kërkuar punonjësve të OST të angazhohen për vota për PS. Sa i përket punësimeve në administratë, kemi pasur mundësi të parashtrojmë shtimin prej rreth 13 mijë punonjësish në një periudhë 4-mujore. Kemi referuar se vetëm shpenzimet për paga, u rritën në mars-prill me 63 milionë euro më shumë se në 2020.  Dhënia e lejeve të legalizimit dhe ndërtimit gjatë fushatës zgjedhore, kanë të bëjnë në fakt me tenderat dhe koncesionet në periudhën e ndaluar nga Kodi Zgjedhor. 24 dhjetor, Alket Hyseni ka publikuar një veprimtari publike me drejtorin Artan Lame, duke shpërndarë legalizime për qytetarët e Vlorës. Vullnet Sinaj shihet pranë Drejtorisë së Kadastrës duke shpërndarë leje legalizimi. Qindra qytetarë në Vlorë kanë marrë këto ditë njoftime nga IKMT për prishje banesash e biznesesh, qartazi pas fushatës, duke iu premtuar më pare, se nuk i prishej. Shteti përdoret si mekanizëm për të qenë në funksion të plotë të partisë. Ministria e Infrastrukturës shpalli në 6 janar tenderin me objekt për projektin e portit turistik në Vlorë. Po ashtu në kërkesën tonë, vihet dhe përdorimi i të dhënave personale, jo vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë. Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për të ndaluar hyrjen për 500 mijë shqiptarë nga Greqia e Maqedonia e Veriut është kundër, kishte për qëllim të ndalonte mbështetësit e opozitës të votonin në 25 prill.

Përfaqësuesja e LSI-së: Emigrantëve iu mohua e drejta e votimit

U vendos karantina për shqiptarët me banim në Greqi e Maqedoninë e Veriut, dhe ky është një mohim i të drejtës kushtetuese. U mor 4 ditë para zgjedhjeve dhe u provua se vendimi i Komitetit dhe ai i Ministrisë së Shëndetësisë ishin akte politike dhe pengoi këta qytetarë në të drejtën për votën. U pa qartë dhe anulimi i këtij vendimi më 3 maj. Dëshmon për vullnet të orientuar politikisht ndaj qytetarëve me banim në Greqi e Maqedoninë e Veriut. Edhe pse nuk kishte dalë akt rregullues, duket se vetëm mbi bazën e njoftimit public, në pikën kufitare me Greqinë kërkonin akt vetëkarantimi, ndërkohë që s’kishte vendim publik në Fletoren Zyrtare. Cenoi rëndë të drejtat e qytetarëve. Pjesëmarrja më e lartë e zgjedhësve e konstatuar në ato pararendëse kanë qenë determinante për LSI. Treguesit e KQZ-së, tregon qartë pse vendimi i Ministrisë ka patur për qëllim të godasë politikisht LSI. Edhe vendimi i KQZ për miratimin e tabelës përmbledhëse për Vlorën, kandidatët dhe subjektet është i paligjshëm. Të shpallen të pavlefshme zgjedhjet për qarkun e Vlorës!

LSI  sjell fakte të reja për votimin e dyfishtë në Gjirokastër: 73 raste të dyshimta

Ledio Braho, anëtar i KAS: Jemi në kushtet e një vepre penale të konsumuar nga këta komisionerë

Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Altin Kaziaj, ka bërë me dije dje në KAS se në bazë të dokumentacionit, ka 73 raste të dyshimta, duke kërkuar hetim. Pro hetimit është shprehur dhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso. Por Eridian Salianji i Partisë Socialiste pretendon të kundërtën, duke u shprehur se vetëm një rast ka tentuar që të ushtrojë të drejtën për të votuar dy herë.

Denoncimi

Altin Kaziaj: Dokumentacioni i ZAZ dhe personave që kemi kontestuar për Gjirokastrën, ndërkohë që duhet të ishin të vetëkarantinuar. Mendojmë se KAS duhet të investojnë për qartësimin e pozicioneve të tyre. Ishin persona që mund t’i thërrisnit këtu dhe për të parë pasaportën e këtyre personave.

Eridian Salianji, PS: Nuk kemi kërkesa për prova të tjera shtesë.

Altin Kaziaj, LSI: Për ne është e qartë tabela e lidhur me dokumentin që është dhënë ditën e djeshme. Është marrë hapësirë për të dhënë një të vërtetë, ndërkohë që ne gjejmë shumë të qartë tabelën, është e sqaruar se 12 shenja gishtash kanë përdorur tentativa për 70 persona. Rastet e dyfishta janë parashikuar në kolonën e tretë.

Ivi Kaso: Të dhënat që na u paraqitën sipas provës janë eksplicite. Në të gjithë zonën zgjedhore është e qartë. Kohën dhe momentin për hetimin zgjidheni ju. Provat janë eksplicite dhe flasin qartë për paligjshmëri të ndodhur, në një masë të caktuar, në gjithë zonën zgjedhore, dhe lista që i bashkëngjitet kërkesës sonë, është po ashtu, po aq e qartë.

Ledio Braho: I kërkoj administratës së KQZ-së që të zbatojë detyrën, të paktën për rastet e komisionerëve apo administratës zgjedhore që është konstatuar në kushtet e votimit të dyfishtë. Në dijeninë time, jemi në kushtet e një vepre penale të konsumuar nga këta komisionerë. Administrata e KQZ-së duhet të procedojë, nëse nuk ka proceduar ende.

KAS rrëzon kërkesën e PD-së dhe i jep dritën e gjelbër asaj të LSI-së

KAS vendosi dje, rrëzimin e kërkesës së PD-së për marrje të informacioneve shtesë nga institucionet shtetërore dhe entet e tjera publike, si dhe ka pranuar kërkesën e LSI-së për marrje të informacioneve nga administrata e KQZ-së, se sa pajisje PEI kanë funksionuar në qarkun e Vlorës ditën e zgjedhjeve.

Ivi Kaso: Shkelje e çdo standardi zgjedhor rrëzimi i kërkesës së opozitës nga KAS

Për të tretën herë radhazi KAS ka refuzuar marrjen e provave. Provat tona janë thelbësore për të provuar masakrën zgjedhore. Se dëshmojnë sjelljen në kundërshtim me ligjin dhe kundër vetë KQZ. Ky refuzim i marrjes së provave është më e nevojshme për të zbuluar masakrën zgjedhore. Ditë pas dite po dëshmohen sjellje që e kanë karakterizuar këtë proces. Sot është ulëritëse dhe heshtja e KAS-it për marrjen e tyre. Është shkelje e çdo standardi zgjedhor, që shkon kundër interesit të qytetarëve sot. Çdo veprim i KAS-it për të hedhur poshtë kërkesat tona, shkon kundër transparencës dhe interesit të qytetarëve.

Petrit Vasili: Zgjedhjet kanë rënë!

Zgjedhjet ranë përfundimisht pas provës së tmerrshme të Gjirokastrës! Fakti! Vendimi i KZAZ Nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia. Përjashtimi i mijra shqiptarëve nga Greqia, ndërsa ‘rilindasit’ erdhën pas datës karantinës dhe qeveria i futi në komisione rrëzoi përfundimisht 25 prillin! Qindra mijra shqiptarë në Greqi u përjashtuan nga votimi përmes një vendimi kriminal antikushtetues të datës 19 prill, që i detyronte të karantinoheshin për dy javë kushdo që vinte nga Greqia. U provua botërisht se ‘rilindasit’,që jetojnë në Greqi erdhën lirisht në Shqipëri, nuk ju nënshtruan fare karantinës, u bënë edhe komisionerë edhe votuan. Ky është krim zgjedhor i pafalshëm, që duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe. Me vullnet criminal, qeveria mafioze e Edi Ramës nëpërmjet Komitetit të Ekspertëve mori një vendim, i cili rrëzoi zgjedhjet e 25 prillit. Një Komitet Ekspertësh mjekësor u bë pjesë e puçit ndaj zgjedhjeve, duke marrë përsipër përgjegjësi të rënda penale, sepse karantina u vendos në datë 19 prill, kur Greqia kishte 1800 raste me Covid në ditë dhe karantina u hoq, kur në Greqi kishte 3400 raste të reja në ditë. Prova që ‘rilindasit’ hynë pa karantinë në Shqipëri dhe u bënë numërues në komisionet e votimit dhe votues, ndërsa qindra mijra shqiptarëve ju ndalua votimi, ka rrëzuar dhe i ka bërë zero zgjedhjet e 25 prillit. Zgjedhjet kanë rënë!

Endrit Braimllari: ‘Rilindja’ ka mbushur kutitë edhe pas përfundimit të votimit

LSI, nëpërmjet kandidatëve të saj për deputetë në të gjithë Shqipërinë, ka bërë publike denoncimet sesi po nisej të manipulohej procesi i votimit, që nga përdorimi i administratës publike, përdorimi i policisë, lidhja me struktura kriminale në bashkitë e vendit. Është e qartë se 25 prilli ka qenë një masakër e vërtetë. Çdo ditë e më shumë po vërtetohet kjo gjë nga kutitë që po hapen. Ky proces nisi kohë më parë, që nga shkatërrimi që Rama i bëri të gjithë paanshmërisë që mund të kishte në këtë proces. Duke përdorur në mënyrë abuzive administratën publike, kohë më parë dolën denoncime sesi drejtorët e rilindjes ushtronin presion ndaj punonjësve për të sjellë vota për PS. U pa qartë sesi dejtorë të rilindjes u përfshinë në fushatë gjatë orarit të punës. U pa qartë sesi kryetarët e bashkive shkelnin rëndë ligjin dhe kodin zgjedhor, ku merrnin pjesë aktivisht në fushatë dhe përdornin struktura kriminale. Kemi disa kallëzime për drejtues të ‘rilindjes’ apo edhe për kryetarët e bashkive dhe nuk ka akoma asnjë vendim nga gjykatat apo edhe nga SPAK, për krimet zgjedhore. Kjo masakër u orkestrua para 25 prillit dhe u ekzekutua në 25 prill.

Silva Caka: Masakra zgjedhore po konfirmohet çdo ditë

Masakra zgjedhore e 25 prillit tashmë konfirmohet me fakte të reja. Për Gjirokastrën dhe Beratin kanë dalë prova të tjera, të cilat rrëzojnë plotësisht procesin kriminal të 25 prillit. ‘Rilindja’, më 25 prill, përdori administratën publike, grupet e strukturuara kriminale, Policinë e Shtetit, por më e rënda ka të bëjë me deformimin e vullnetit të qytetarëve brenda në kutitë e votimit. Operacioni për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit filloi para ditës së votimit, u ekzekutua ditën e votimit dhe vazhdon ende, në sytë e gjithë shqiptarëve, në KQZ. Është provuar me fakte konkrete, nga hapja e kutive të Beratit, manipulimi i procesit zgjedhor dhe ndërhyrja drejtpërdrejtë në kuti, ku rezulton se ka më shumë fletë votimi, sesa votues në listë. Një tjetër fakt i rëndë, është që shtetasit janë lejuar të votojnë disa herë, fenomen që është përdorur gjerësisht në të 12 qarqet e vendit. Ky fakt na nxjerr në përfundimin se kjo masakër, është e orkestruar me urdhër të Edi Ramës.

KAS po sillet si shërbëtor i ‘Rilindjes’, po fshehin provat e krimit elektoral

“Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), me kërkesë të dy anëtarëve z. Braho dhe z. Cefa, pranoi të merrte vetëm tre prova. Konkretisht: Në foton e parë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Gjirokastër. Aty rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili. Në foton e dytë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Berat, nga ku rezulton se shenjat e gishtërinjve të 21 personave janë përdorur për identifikimin e 57 zgjedhësve ose 21 persona kanë votuar 57 herë, ose rreth 3 herë/secili. Në foton e tretë kemi vendimin e KZAZ Nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia. Vetëm me tre prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KAS-i, nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë radhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit.

Ja si votoi 1 person 20 herë në Gjirokastër

KAS ka shtyrë seancën e djeshme për shqyrtimin e kërkesave ankimore për Qarkun e Gjirokastrës. Seanca do të vijojë sot teksa anëtari i KAS-it Ledio Braho, theksoi se, palëve do i lihet kohë edhe për qarkun e Beratit, duke vijuar me të, pasi të mbarohet me Gjirokastrën. Po ashtu pritet që të shqyrtohen edhe kërkesat ankimore për Vlorën. Gazetari Vehap Kola ka ironizuar me faktin se, persona të ndryshëm kanë votuar disa herë në Gjirokastër. “Çfarë e ka bërë të mundur që një njeri të votojë 20 herë në Gjirokastër?

  1. Ka kaluar 20 herë në komision dhe nuk i është vënë boja në gisht.
  2. Ka kaluar 20 herë Pajisjen Elektronike të Indentifikimit dhe është lejuar të votojë pa vënë gishtin për verifikim.
  3. 1-20 komisione kanë lejuar të votojë pa i vënë bojën në gisht dhe pa vendosur gishtin në Pajisjen Elektronike të Identifikimit.
  4. Rreth 100 vetë, anëtarë të deri 20 komisioneve të votimit, në 20 qendra votimi kanë bashkëpunuar për të shkelur ligjin, duke lejuar dikë të votojë 20 herë. Akoma asnjë hetim nuk është hapur për këtë krim zgjedhor. Arsyeja: nuk kanë vdekur autorët që t’i arrestojë SPAK,” shkruan Vehap Kola.