Gara për kreun e PD-së, Elezi: Të shtyhet procesi zgjedhor, po kryhet në kundërshtim me Statutin

128
Sigal

Ibsen Elezi, i cili garon përballë Sali Berishës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, më 10 maj kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve për 14 ditë pasi kohën në dispozicion e cilësoi ta pamjaftueshme.

Kjo kërkesë u rrëzua një ditë më vonë nga Komisioni i Rithemelimit, i cili vendosi të linte në fuqi datën 22 maj.

Në një deklaratë për mediet pasditen e sotme, Elezi ripërsëriti dhe njëherë kërkesën për të shtyrë procesin zgjedhor pasi sipas tij po kryhet në kundërshtim me Statutin e PD-së.

Elezi: I jam drejtuar komisionit me një kërkesë që ka të bëjë me shtyrjen e datës për zgjedhjet e kryetarit. Vendosa të konkurroj në pozicionin e kryetarit të PDSH. Pas regjistrimit tim si kandidat po konstatoj një sërë shkeljesh statutore dhe ligjore. Asnjë nga elementët e primares dhe debatit nuk po zbatohet në këtë proces. Gjithashtu ka pasur edhe defekte të rënda me listat, kjo e pohuar edhe nga komisioni elektoral. Procesi zgjedhor po kryhet në kundërshtim me statutin e PD.

Është konstatuar nga ana ime që nuk është ngritur komisioni i Apelimit. Ky komision është i vetmi organ që garanton mbarëvajtjen e procesit sipas normave statuore. Për sa më sipër, duke qenë se Komisioni i Rithemelimit ka premtuar disa herë demokratizimin dhe garën e drejtë kërkoj riparimin e listave të anëtarësisë para se të vazhdojë të kryhet ky proces zgjedhor, dhe shtyrjen e procesit zgjedhor deri në plotësimin e këtyre kërkesave minimale statutore.