Fronti i Majtë bashkon shqiptarët në luftën për të siguruar një sistem demokratik qeverisës

401
Sigal

Këshilli i Përgjithshëm i Frontit të Majtë u mblodh të premten, më datë 6 qershor, në orën 10:00 në mbledhjen e tij të dytë. Delegatët ishin përfaqësues nga Partia e Punës e Shqipërisë, drejtuar nga Muharrem Xhafa, Partia e Punës e Riorganizuar, drejtuar nga Marko Dajti, Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, drejtuar nga Astrit Kosturi dhe Partia “Toleranca e re” që përfaqëson minoritetet, drejtuar nga Avdi Keçi. Mbledhjen e drejtoi një nga figurat më të spikatura të së majtës, Prof. Dr. Muharrem Xhafa, si më i moshuari ndër delegatët. Në rendin e ditës ishte e vetmja pikë që kishte mbetur pezull: zgjedhja e kryetarit. Dy kandidatët, Marko Dajti dhe Astrit Kosturi, ishin dy figurat politike që u përballën me pyetjet dhe diskutimet e delegatëve të pranishëm. Paraqitja e platformave politike nga kandidatët u pasua nga votimi i fshehtë i gjithë anëtarëve të KP të Frontit të Majtë. Pas një gare të fortë, fitues u shpall Marko Dajti, me një diferencë të ngushtë votash. Me këtë mbledhje konsolidohet sistemi organizativ i Frontit të Majtë, një risi në politikën shqiptare që ka si mision rikthimin në identitet të vlerave më të mira të së majtës shqiptare. Filozofia, nga  e cila do të udhëhiqet Fronti i Majtë është ajo e aksionit radikal, pa kompromis. Pavarësisht se, është pjesë e koalicionit qeverisës, Fronti i Majtë angazhohet të jetë në ballë të luftës për mbrojtjen e shtresave të varfra dhe atyre në nevojë, si nga abuzimet e pushtetit, ashtu edhe nga abuzimet e kapitalit privat. Një luftë e tillë do të jetë padyshim një kontribut i rëndësishëm politik edhe për vetë forcat e koalicionit, të cilat nuk duhet të harrojnë në asnjë moment se si dhe përse morën nga populli mandatin për të qeverisur. Fronti i Majtë deklarohet njëkohësisht, si vazhdues i denjë i organizatave politike që kanë arritur të bashkojnë shqiptarët “pa dallim feje, krahine e ideje” në luftën për të siguruar një sistem demokratik qeverisës, të ndershëm dhe të aftë për të siguruar mirëqenien e shqiptarëve. Ne ftojmë të mblidhen rreth tij gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë që e kanë kuptuar se sistemi politik që po dominon skenën shqiptare prej më shumë se 20 vjetësh është totalisht i kalbur dhe ka nevojë për një lëvizje të re që nuk premton, por vepron.

Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit të Majtë