Frika nga humbja dhe rritja e LSI, militantë të PS dhe Policia “terror” në fushatë

510
Ajo që ka nisur të ndodhë në disa zona të nxehta të vendit, mes militantëve të forcave politike në këto zgjedhje është e frikshme. LSI denoncon përpjekjen e PS për të terrorizuar votuesit
Një ngjarje e pakëndshme është bërë shkak gjatë ditës së djeshme për të nisur debati i fortë mes forcave politike, me qëllim ndaljen e dhunës në fushatë. Mësohet se një anëtarë i Partisë lëvizja Socialiste për Integrim është dhunuar gjatë ditës së djeshme nga militant të Partisë Socialiste në Zharrës, aty ku ditë më parë ishin po banorët e këtij fshati që dëbuan sekretarin e PS-së Gramoz Ruçi. Por “lufta” duket se tashmë ka zbritur në terren. Militantët e PS-së janë irrituar dhe kanë nisur të konfliktohen me anëtarët e LSI-së të cilët, janë në terren për të bërë fushatë. Kështu nga zyrat e LSI-së në Fier thuhet se Orgest Grembi, student, ka vendosur të votojë për këtë forcë politike, por një gjë e tillë është bërë shkak që ai të goditet nga persona të tjerë. Por ajo që është më e frikshme, është fakti se personi që është kallëzuar si autor i kësaj ngjarje, dyshohet të ketë qenë me precedent të mëparshëm penal. Ky është rasti i dytë i dhunës pas atij të kallëzuar disa ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Duket se militantët e forcave politike janë acaruar. Por nuk është vetëm kjo. Në këtë lojë është futur edhe Policia e Shtetit. Jo në pak raste, LSI ka hedhur akuza ndaj policisë. Madje rasti më i freskët është ai i qytetit të Beratit, ku sipas LSI-së, kryesuesi i listës së Partisë Socialiste, Blendi Klosi, lëviz në të gjithë qytetin i shoqëruar me elementë kriminalë me qëllim që të bëjë terror te votuesit e LSI-së. E gjitha kjo përkthehet në frikë të pakontestueshme. E për rastin e djeshëm në Zharrës kanë ardhur dhe reagimet e fuqishme. Kanë qenë drejtuesit e LSI-së ata që kërkuan distancimin e Partisë Socialiste nga elementët kriminalë. Madje shkuan më tej. Ata i bënë thirrje policisë, të cilën e konsiderojnë të inkriminuar, të mos bëhet pjesë e lojërave të poshtra të PS-së, e cila, sipas saj, tashmë e ndjen frikën më shumë se kurrë. Ndërsa në Elbasan sipas burimeve të policisë u plagosën tre persona për shkak të fushatës, në Zharrës, studenti u qëllua me levë. Ndërkohë në Berat, elementë kriminalë janë përdorur nga kandidatët e PS-së.
Sigal