Forumi Mysliman reagon: Boll dhunuat ambientet e xhamisë!

520
Sigal

Forumi Mysliman i Shqipërisë i kërkon Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, që të mos e përsërisë më këtë sjellje poshtëruese për objektet e kultit, për xhaminë dhe për besimtarët myslimanë.

 Forumi Mysliman i Shqipërisë: Gjatë ditëve të dy protestave të fundit të zhvilluara para godinës së Kuvendit të Shqipërisë, forca të shumta të policisë së shtetit janë futur, strehuar dhe kanë qëndruar në ambientet, në oborrin dhe në rrethimin e Xhamisë së Re që po ndërtohet. Forumi Mysliman i Shqipërisë e konsideron këtë akt, si shkelje të rëndë të parimeve të paprekshmërisë së objekte të kultit, si thyerje të papranueshme të laicitetit dhe si ndërhyrje të dënueshme të policisë së shtetit dhe të vetë shtetit jo thjesht në objekte, që administrohen nga Komuniteti Mysliman dhe janë pronë e pa tëhuajsueshme e besimtarëve, por si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e Komunitetit Mysliman dhe në çështjet e fesë. Objekti i çdo xhamie, si edhe objekti i çdo kishe apo i çdo sinagoge, nuk mund të dhunohet kurrë në një mënyrë kaq brutale nga policia e shtetit dhe nga vetë shteti, duke shkatërruar plotësisht çdo kufi ndarës mes shtetit dhe fesë. Nuk do të guxonin kurrë në asnjë vend demokratik, që forcat e policisë të përdornin si bazë, apo si vendstrehim, apo si vend fshehjeje oborrin, bodrumet apo ambientet e tjera të një kishe, një xhamie apo sinagoge. Forumi Mysliman i Shqipërisë i bën thirrje qeverisë shqiptare, të mos dhunojë objektet e kultit dhe Xhaminë e Re të Tiranës si deri më tani. Forumi Mysliman i Shqipërisë i kërkon Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, që të mos e përsërisë më këtë sjellje poshtëruese për objektet e kultit, për xhaminë dhe për besimtarët myslimanë.