Fluturimi drejt Hagës/ Haradinaj, mesazh pak para nisjes. Ja çfarë thotë

237

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka treguar se po niset për të shkuar në Hagë, ku do të intervistohet si i dyshuar nga Gjykata Speciale. Me nje mesazh ne faqen e tij ne Facebook, ai ka përsëritur se taksa do të qëndrojë deri në njohje nga Serbia. 

Mesazhi i Haradinajt 

Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën!

Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje.

Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!

RH

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në orën 12:30, do të niset për Hagë. Kështu kanë bërë me dije burime të Express-it brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Por, Qeveria nuk jep orar të saktë se kur do të udhëtojë drejt Mbretërisë së Holandës shefi në dorëheqje i Qeverisë.

Haradinaj do të udhëtojë për në Vjenë për të vazhduar më pas drejt kryeqytetit holandez. E gjatë një interviste ekskluzive dhënë mbrëmë për emisionin Pressing, Haradinaj ka konfirmuar se sot do të niset për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Hagë.

“Po, nesër udhëtoj për në Hagë”, ka thënë Haradinaj. Ndërkohë nga zyra e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pranuar të flasin për detajet e fluturimit me arsyetimin se të dhënat për këtë punë ruhen për shkak të sigurisë.

Haradinaj, të premten e javës së kaluar, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar.

Kjo ishte edhe arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi ai deklaroi se nuk dëshiron të shkojë në cilësinë e shefit të Qeverisë së Kosovës.

“Kur shkon kryetari i Qeverisë, e bart nocionin, rrezikohet nocioni i sovranitetit. E krijojmë një precedent të keq kur shefi i Qeverisë së shtetit është i dorëzuar diku, unë nuk ia kam bërë këtë Kosovës. Nuk është se unë iu iki përgjegjësive, por s’kam dashur ta çoj Kosovën para hetuesve, e kam çu Ramushin. Nuk e çoj kryeministrin, as Kosovën para hetuesve, ashtu si ka pasë me i ndodhë Kosovës do të ishte një precedent, një model i keq i shtetit, do të ishte një dëshmi që ne jemi të prekshëm”, ka thënë Haradinaj të hënën në Pressing. /Express/