Flutura Açka: Në teatrin absurd nuk jam më spektatore

143
Sigal

Ishin ata të dy, Mercier dhe Kamier. E udhë të gjatë zunë për Europë a Skëterrë, Kur shiu i lagte e vetja iu dukej herë qen e herë minj! Ndalnin nën një strehë, e veten pyesnin: ku shkon, o njeri? Ecim, i thosh tjetri, mbërrijmë një ditë atje për ku ende s’jemi nisur! Çadra Mercierit i përgjigjet majtas, era Kamierit ia kthen djathtas. Mbi ta e lodhur vështron nata: Krijesat pa kokë, Pa vertebra, Pa shputa, Pa hije rrënuar nga bryma e përjetshme e hutimit, që nga qielli u bie. Kujdes, asaj mase pa masë i thotë populli, Dhe jashtë kësaj salle asnjëri prej tyre, nuk po kërkon të blejë zemërgjerësinë tuaj! Shihni si zjen! A e ndjeni vrajën që i keni shkaktuar, apo s’jua ndien? Ç’bëni këtu? Duke kërcitur gishtërinjtë e kuruar. Papagallë që rënkoni nga vetëkënaqja! Është koha ta ndërroni kostumin shik! Është dita ta kurdisni zemrekun e dhimbjes! Është ora ta vrisni akrepin e ngimjes! Ndaj shpejt, ndërrojeni garderobën e gjakut para se gjaku i fundit shqiptar ta braktisë Shqipërinë! Demokracia nuk është mbretëri që kur të ikni ju të fiket në zi! Ju s’jeni Shqipëria, Ju jeni një hiçgjë, që do t’ju fshijë historia: edhe mua bashkë me ju, po të sillem si ju! A ju pëlqen kah jugu? Po ju beszdis kur fryn veriut thëllimi? Po pse pra, po ecni drejt Lindjes, që t’i bini më gjatë për kah Perëndimi? Ja kështu bujare gjindja me Mercierë e Kamierë, me Europë e Skëterrë, me ata që kujtojnë se janë zotër të gjithçkasë, por s’janë veçse hamenj të mjerë të asgjasë. Deri kur ta kuptojnë këtë,?Do të vazhdojnë të tyren mjeshtëri? Dhe qentë e lagur nga shiu i paprerë dhe mijtë e tkurrur nga acari do t’u përmjerin një ditë te varri.