Flet Prof. Kristaq Kume : Administrata zgjedhore të ndërtohet sipas parimit të përfaqësimit dhe balancimit politik. Rinumërimi i votave dhe shkelësit e ligjit

151
Sigal

 

Prof.Dr. Kristaq Kume

Administrata zgjedhore duhet të ndërtohet mbi bazën e parimit të përfaqësimit dhe balancimit politik

Rinumërimi i votave nuk ndikon në rezultatet e zgjedhjeve, por është një mundësi për të gjetur shkelësit e ligjit

Intervistoi: Mimoza Erebara

Megjithëse zgjedhjet kanë përfunduar me kohë, problematikat që ngritën ato janë të pranishme dhe presin jo vetëm interpretime e komente, por më tepër presin një zgjidhje. Një zgjidhje e cila të ishte në balancë me të gjitha partitë politike, me të gjithë spektrin politik në vend, e për më tepër për të përmbushur më së miri kërkesat dhe detyrimet ndaj qytetarëve, që tek e fundit janë ata që përjetojnë më së shumti si në rastet kur ato janë të rregullta, ashtu edhe në ato me parregullsi. Proceset zgjedhore janë inisiativa madhore, jo vetëm për partitë garuese, por edhe për vetë të ardhmen e qytetarëve, pasi prej rezultatit të tyre përcaktohet edhe e ardhmja e vendit. Pikërisht për këto problematika që dolën nga Procesi Zgjedhor i 25 Prillit 2021, për parregullsitë e njohura edhe nga vëshguesit ndërkombëtarë, folëm me z. Kristaq Kume, si një nga ekspertët e ligjit për KQZ.

Mënyra e administrimit të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, tregoi se komisionet kolegjiale të KQZ, nuk arritën të shmangnin siç kërkon fryma dhe gërma e ligjit, presionin e partive politike në vendimmarrjen e tyre

 Z Kristaq, zgjedhjet ka kohë që  kanë përfunduar, por çështja e tyre mbetet e hapur prej denoncimeve për parregullsi në atë proces.A mendoni se komisionerët e KQZ duhet të jenë të depolitizuar, nëse po, cili do të ishte impakti i kësaj zgjedhjeje, dhe nëse jo, cilat do ishin disa nga arsyet e një qëndrimi të tillë?

Me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, KQZ u konceptua si një institucion me 2 komponentë: a) komisioneri shtetëror (si organ monopartiak); b)komisioneri kolegjial, si rregullator i të gjithë procesit. Ideja fillestare që shoqëronte këtë propozim në ndryshimin e strukturës së KQZ, kishte në pjesë të saj edhe rregullat me zgjedhjen e anëtarëve për të cilat mbizotëronte parimi – zgjedhje jopolitike. Si rezultat i pamundësisë, mes opozitës dhe mazhorancës, jashtë parlamentare në Këshillin Politik, në Kodin Zgjedhor në KQZ u përfshinë edhe dispozita kalimtare në zbatim të të cilave, anëtarët e KQZ aktuale, u zgjodhën si rezultat i dakordësisë politike mes palëve. Një zgjedhje,që praktikisht,për mua, e bëri të vështirë sjelljen e ndryshimeve të këtij komisioni, në krahasim me të mëparshmit, i cili përbëhej nga 7 anëtarë të zgjedhur nga partitë politike pjesmarrëse në zgjedhje. Mënyra e administrimit të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, tregoi se komisionet kolegjiale të KQZ, nuk arritën të shmangnin siç kërkon fryma dhe gërma e ligjit, presionin e partive politike në vendimmarrjen e tyre. Kjo sjellje e komisioneve e rivendos në tryezë diskutimin për të gjetur rrugët e mundësitë që do të bëjnë sa më shumë, sa më mirë të pavarur vendimmarrjen e këtij institucioni nga partitë politike. Me këtë rast po prezantoj një ide:  Mënyra sesi Komisioneri shtetëror Celibashi, administroi procesin zgjedhor, tregoi se një, funksionon më mirë se sa një organ kolegjial i zgjedhur nga partitë politike.(Vendimi për të ndryshuar strukturën e KQZ u mor duke u mbështetur në përvojën e Kanadasë, ku KQZ atje është institucion mono, sikur ka qenë edhe tek ne Prokuroria përpara këtyre zgjedhjeve të fundit). Por tek ne  ndodhi që vërtetë u mor përvoja kanadeze, por iu shtuan edhe dy komisione, pra iu adaptua një zgjidhje “shqiptare”, duke e ndërlikuar përsëri zgjidhjen.

Rinumërimi i disa kutive të votimit, të cilat në fakt edhe pse numri i votave për subjekte të caktuara politike pjesmarrëse në zgjedhje ndryshoi,(në Shkodër, psh.,) nuk sjell asnjë ndryshim në rezultatin e përgjithshëm. Nëse është kështu, përse u ndërmor një veprim i tillë?

Në Reformën e kaluar zgjedhore, rezultat i së cilës ishte edhe marrëveshja e 5 Qershorit në Këshillin Politik, opozita e atëhershme vëmendje të veçantë i ka kushtuar rregullimeve ligjore që do të gjykonin sipas saj në zvogëlimin e hapësirave për shkelje dhe ndërhyrje joligjore në procesin zgjedhor. Duke rënë dakort me mazhorancën që administrata zgjedhore të ndërtohet mbi bazën e parimit të përfaqësimit dhe balancimit politik, opozita kërkonte në të njëjtën kohë që në ligj, (Kodin Zgjedhor), të ndërtoheshin mekanizma për kontrollin e punës të kësaj administrate, siç është përshembull vendosja në qendrat e votimit të kamerave si pjesë e këtyre organizmave. Opozita kërkoi që në Kod të parashikohej rivlerësimi i fletëve të votimit, ose mundësitë për rivlerësim e tyre, fletëve të votimit, për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Nëpërmjet saj opozita synonte të ndërtonte një mundësi më shumë ndaj komisioneve për të zbatuar ligjin. Siç dihet, rezultatet nga rinumërimi nuk ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve, por janë një mundësi për të gjetur prova për shkeljen e ligjit nga ana e komisionerëve. Një mekanizëm detyrues ndaj komisionerëve, nëse nuk zbatojnë ligjin.

Opozita kërkoi që në Kod të parashikohej rivlerësimi i fletëve të votimit, ose mundësitë për rivlerësim e tyre, fletëve të votimit, për vlefshmërinë e zgjedhjeve

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet paraprake dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve, komisionerë në zgjedhjet e 25 prillit, D.XH., A.C. Si duhet ta “lexojmë” këtë vendim?

Gjatë procesit zgjedhor, subjektet zgjedhore, dhe jo vetëm, kanë depozituar denoncime tek SPAK, për shkelje të ligjit, Kodit Zgjedhor, vepra të konsumuara nga qytetarët përfaqësues të forcave politike, por jo vetëm. Në trajtimin e tyre SPAK ka të përcaktuara procedura të cilat siç dihet, zgjatin në kohë. Fakti që sot kemi një çështje të tillë penale, tregon se procesi është në veprim e sipër. E rëndësishme është se si do të vazhdojë dhe çfarë vendimi do të merret. E dëshirueshme do të ishte një vendimmarrje që i dënon shkelësit e ligjit zgjedhor. Një ndër problemet e rëndësishme me të cilat janë përballur proceset zgjedhore të mëparshme, ka qenë efikasiteti në punë i institucioneve ligjzbatuese për identifikimin, hetimin dhe gjykimin e shkeljeve ligjore në procesin zgjedhor. Fakti që SPAK është në veprim tregon se ndryshimet e bëra në ligjin zgjedhor kanë filluar të japin efektet e tyre, ndonëse ngadalë.

Faleminderit!