Fjala e Kryetares së Delegacionit Shqiptar znj. Valentina Leskaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës

426
Fjala e Kryetares së Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës znj. Valentina Leskaj, në Komitetin Politik të Asamblesë Parlamentare të KiE
Debati për zbatimin e Rezolutës për Kosovën
Kryetarja e Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, znj. Valentina Leskaj mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të KiE.
Në këtë mbledhje u zhvillua debati për zbatimin e Rezolutës për Kosovën 2094 të miratuar në muajin Janar të vitit 2016.
Znj. Leskaj në fjalën e saj vuri theksin tek progresi i bërë nga pala Kosovare në përmbushjen e rezolutës si edhe problematikat që janë hasur. Ndër të tjera, znj. Leskaj ngriti edhe problemin se delegacionit kosovar ende nuk i janë përcaktuar vendet sipas standardit të një delegacioni dhe e drejta e fjalës në aulën kryesore, duke shtuar se: “Është për të ardhur keq që plot një vit pas miratimit të kësaj Rezolute nuk ka progres real në përmbushjen e paragrafit 13 të saj. Kuvendi i Kosovës e ka kryer detyrën e tij në këtë aspekt, duke caktuar një delegacion, në përputhje me kërkesat e Asamblesë, të përbërë nga përfaqësues të mazhorancës, të opozitës dhe nga minoritetet, si dhe duke respektuar balancën gjinore dhe ka treguar vullnet të qartë për bashkëpunim me Këshillin dhe Institucionet e tij si Komisioni i Venecias. Natyrisht miratimi i delegacionit, pjesëmarrja në veprimtarinë e komiteteve, marrja e fjalës në to, është e rëndësishme, por ndërkohë, një vit pas miratimit të rezolutës, delegacionit kosovar ende nuk i janë përcaktuar vendet sipas standardit të një delegacioni dhe e drejta e fjalës në aulën kryesore. Rezoluta rekomandon qartë ngritjen e nivelit të dialogut dhe të ngresh nivelin e dialogut, nuk do të thotë të trajtohesh si vizitor dhe të ndjekësh punimet nga Galeria, pa pasur të drejtë të hysh në sallë dhe pa të drejtën e fjalës. Të bllokosh situatën nga njëra pale siç po bën këtu pala serbe, nuk e ndihmon dialogun”
Fjala e plotë e znj. Leskaj, mbajtur në Komitetin Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës
Së pari dëshiroj të falënderoj Z. Jensen, për angazhimin e tij serioz për zbatimin e rezolutës 2094 mbi Kosovën. 
Mirëpres vendimin e Asamblesë për miratimin e delegacionit të Kosovës në Këshillin e Europës. 
Ndërkohë dëshiroj të them se Kosova ka bërë progres në plotësimin e rekomandimeve të rezolutës 2094 të KiE, ka bërë progres në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në koordinimin e veprimtarisë së institucioneve ligjzbatuese, për sundimin e ligjit, ngritjen e Gjykatës Speciale etj.
Kosova ka shprehur angazhim serioz në vazhdimin e negociatave me Serbinë nën kujdesin e BE.
Pa dyshim që ka vend për përmirësim. Demokracia nuk vjen Brenda ditës, është një proces dhe kërkon kohën e vet, por e rëndësishme është se Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës ka provuar vullnet të qartë për të vazhduar në rrugën e plotësimit të standardeve të KiE: demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Jemi një vit tashmë pas miratimit të Rezolutës 2094 të Asamblesë Parlamentare të KiE, qysh nga Janari 2016, e cila u rekomandon autoriteteve kosovare, në nenin 12 të saj, citoj, “të intensifikojnë dialogun me Këshillin e Evropës dhe organet e institucionet e tij” dhe në nenin 13, “Asambleja merr përsipër të ngrejë nivelin e dialogut me Kosovën dhe rekomandon që Byroja e Asamblesë të modifikojë formatin aktual të bashkëpunimit me forcat politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me synim që të ftojë Kuvendin e Kosovës të zgjedhë një delegacion, i cili të sigurojë përfaqësimin e minoriteteve, përveç mazhorancës dhe opozitës. 
Është për të ardhur keq që plot një vit pas miratimit të kësaj Rezolute nuk ka progres real në përmbushjen e paragrafit 13 të saj.
Kuvendi i Kosovës e ka kryer detyrën e tij në këtë aspekt, duke caktuar një delegacion, në përputhje me kërkesat e Asamblesë, të përbërë nga përfaqësues të mazhorancës, të opozitës dhe nga minoritetet, si dhe duke respektuar balancën gjinore dhe ka treguar vullnet të qartë për bashkëpunim me Këshillin dhe Institucionet e tij si Komisioni i Venecias.
Natyrisht miratimi i delegacionit, pjesëmarrja në veprimtarinë e komiteteve, marrja e fjalës në to, është e rëndësishme po ndërkohë, një vit pas miratimit të rezolutës, delegacionit kosovar ende nuk i janë përcaktuar vendet sipas standardit të një delegacioni dhe e drejta e fjalës në aulën kryesore. 
Rezoluta rekomandon qartë ngritjen e nivelit të dialogut dhe të ngresh nivelin e dialogut, nuk do të thotë të trajtohesh si vizitor dhe të ndjekësh punimet nga Galeria, pa pasur të drejtë të hysh në sallë dhe pa të drejtën e fjalës. 
Të bllokosh situatën nga njëra pale siç po bën këtu pala serbe, nuk e ndihmon dialogun. 
Gjuha e ndarjes, e përjashtimit të tjetrit nuk ndihmon. Kjo nuk është gjuha e Këshillit të Europës. Nga ana tjetër, unë besoj se kjo situatë ku vetëm njëra pale mund të flasë, nuk është e mire për Kosovën, nuk është e mire për Serbinë dhe nuk është e mire për gjithë rajonin. Dhe besoj nuk është e mirë as për ne këtu në Asamblenë e Këshillit të Evropës. 
Përfaqësuesi i minoritetit është pjesë e delegacionit. Në se jeni të interesuar për të drejtat e minoritetit, siç pretendoni, jepuni atyre të drejtën të flasin këtu në Asamble.
Ballkani nuk është më ai i 10 viteve më pare madje as ai i 5 viteve më parë. Rajoni ka hyrë në një rrugë të re pa kthim. 
Dëshiroj të jap një shembull konkret, me propozimin e kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama, dhe atij serb, z. Aleksandër Vucic, u ngrit në Tiranë një Zyra e Bashkëpunimit Rinor të Ballkanit. Kjo zyrë jep një mesazh të rëndësishëm për të parë nga e ardhmja jo nga e shkuar. Kush e mendonte këtë 10 apo 15 vjet më parë. Unë i ftoj kolegët të shohin nga e ardhmja.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është krenare për statusin e saj si shtëpia e të zgjedhurve nga e gjithë hapësira pan-evropiane. Dhe në fakt është organizata avantguardë në promovimin e lirisë së fjalës, ndaj nuk mund t’i mohojë një delegacioni vendin në sallën plenare dhe të drejtën e fjalës.
Sigal