Fenomeni “Bode”, vizioni i progresit të Rilindjes Socialiste

538
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kandidatura e ish-ministrit të Financave të qeverive “Berisha” 2005 – 2013 Ridvan Bode si anëtar i Bordit të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë e propozuar nga mazhoranca socialiste është vizioni progresist i Rilindjes Socialiste? Kandidatura e Ridvan Biodes, i cili, siç e pohon edhe kryeministri Rama, e ka pranuar propozimin e mazhorancës socialiste ndryshon tërësisht nga kandidatura Florion Mimës, deputetit të PD-së, e propozuar po nga qeveria socialiste. Deputeti Mima nuk e pranoi propozimin e qeverisë së Ramës, sepse nuk mund të braktisë PD-në, idetë, parimet e tij politike. Ndërsa Ridvan Bode, edhe pse deri në 2013 ishte numri 2 i PD-së, njeriu më i fuqishëm, që drejtoi ekonominë e qeverisë së Berishës për 8 vite, e pranoi, duke treguar qartazi se deri tani Bode ia kishte me të pabesë PD-së, elektoratit të PD-së, që i kishte dhënë votëbesimin në zgjedhje. Bode, ishte ministri i qeverive “Berisha” që u akuzua më shumë se kushdo nga opozita socialiste, nga kryetari i PS-së, Edi Rama për korrupsionet ekonomike, për shkatërrimin e ekonomisë, për akuzën e “Tokës së Djegur” që la në financat e Shqipërisë pas 2013-s, për borxhet e shumta, që kryeministri Rama ka deklaruar se pagoi qeveria e tij. Madje, kur shumë kush priste që qeveria socialiste të depozitonte në prokurori dosjet e denoncimeve për korrupsion të ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, çuditërisht, mazhoranca socialiste depoziton në Parlament Ridvan Boden si kandidatin e saj në BSH. Mirë Bode u vetëzbulua se “opozitën” ndaj kryetarit të PD-së e bëri për karrigen e humbur në PD dhe jo për parime, derisa pranoi të jetë kandidati i mazhorancës së PS-së për në BSH, po PS-ja si mund t’i shpjegohet elektoratit të vet, pse ndryshoi “Bode”, nga rruga që kishte premtuar në prokurori, ta çojë në kolltukun e Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë? Të besojmë, në aftësitë profesionale të Ridvan Bodes, që, sipas denoncimeve, akuzave të PS-së shkatërroi ekonominë shqiptare, si ministër i Financave në 8 vitet e qeverisjes “Berisha”? Apo, atëherë PS-ja në opozitë demagoge, gënjeu, që e denoncoi ministrin e Financave Boden, ndërkohë, që tani në qeverisje PS-ja ka dështuar në ekonomi, në financa për fajin e saj, e jo për faj të ish-ministrit Bode, sa kërkon ekspertizën, përvojën, mençurinë e Ish-ministrit Ridvan Bode?