Fatmir Xhafaj tregon se pse e mbrojti Rama në rastin e përgjimit të të vëllait

422
Sigal

Ende vazhdon misteri se përse, përpara se ta largonte nga qeveria, Edi Rama e mbrojti Fatmir Xhafajn, kur opozita publikoi përgjimin e të vëllait Agronit. Dhe madje kryeministri i doli për zot një prove që nuk u vërtetua kurrë duke thënë se nga një laborator i një vendi partner perëndimor rezultoi se zëri i pretenduar si i vëllait të ministrit të brendëshëm, nuk ishte i tij. në intervistën e tij të gjatë në Gazeta Dita (lexo këtu) Xhafaj ka mbrojtur versionin e Rama e bëri këtë për të mbajtur qëndrimin e tij politik dhe jo për llogari të hetimeve të prokurorisë.

“Personalisht isha i bindur që ai nuk ishte zëri i tim vëllai. Natyrisht partnerët nuk mund të mbështeteshin në fjalën time, po në bindjen e tyre. Gjithashtu edhe vetë kryeministri. Një vend partner i rëndësishëm e mori përsipër këtë gjë qysh pasditen e asaj dite dhe brenda 48 orësh ka kthyer përgjigje. Me kërkesën tonë është bërë kjo provë zëri, ashtu siç kam mësuar konfidencialisht se kjo gjë është bërë edhe nga dy agjenci të tjera të vendeve partnere për qëllimet e tyre. Natyrisht e gjitha ishte një gjë konfidenciale dhe e mjaftueshme për kryeministrin që të sigurohej për të vërtetën e pretenduar prej meje. Vetëm pas kësaj, ai ka dalë dhe e ka deklaruar publikisht”, ka thënë ish ministri duke pretenduar se një deklaratë e tillë nuk e pengoi hetimin: “Kryeministri nuk bëri hetim penal, por siguroi një provë të nevojshme për të pasur garanci ai vetë në deklarimin e tij publik. Kjo ishte në detyrimin e tij dhe nuk përbën asnjë shkelje për hetimin. Është një gjë që ndodh rregullisht në raste të tilla kur jemi të detyruar që krahas hetimit penal, të kryhet edhe hetimi administrativ. Kreu i qeverisë nuk krijoi provë për prokurorinë, por për bindjen e tij dhe kishte të drejtë dhe detyrimin ta bënte këtë gjë”.

Por ndryshe nga sa pretendojnë Rama dhe Xhafaj edhe laboratori i policisë italiane në Romë edhe më pas ai privat britanik,“JP French Associates”, nuk mbëritën dot në të njëjtin përfundim që arriti laboratori pa emër i kryeministrit. Në këtë kuptim deklarata e tij kë mbetur ende në erë.