Fatmir Mediu: Nëse bëhen zgjedhje parlamentare me Ramën Kryeministër, rrezikohet demokracia

598
Sigal

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane

Opozita, në vend të ankohet, duhet të mësojë, si u bë dhe veprua në Maqedoninë e Veriut dhe të kërkojë ta bëjë të mundshme edhe në Shqipëri, përndryshe,  s’do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme

Nëse bëhen zgjedhje parlamentare me Ramën Kryeministër,  rrezikohet demokracia

Jakup B. GJOÇA

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane në intervistën për gazetën “Telegraf”,  shprehet se nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa qeveri kujdestare, ndërsa zgjedhje me Ramën kryeministër, rrezikohet demokracia. Zoti Mediu, i kërkon opozitës, që të dialogojë dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme vendore, ndërkohë, që amnisitimi i krimeve zgjedhore të dosjeve 184 dhe 339, do të thotë të hapësh rrugë edhe për krime të tjera zgjedhore.

-Zoti Mediu, më thoni një reformë, që kryeministri Rama ka kryer në këto 7 vite të qeverisjes së tij?

– Janë “shumë”, frenimi integrimit europian, përçarje  e faktorit shqiptar, rritja e peshës  së Serbisë dhe Vuçiçit  për politikat në rajon. Shkatërrimi i shtetit Kushtetutës, Ligjeve, Parlamentit, Gjyqësorit. Krijimi i një regjimi autokratik dhe autoritarist. Shtimi i varfërisë dhe papunësisë, largimi masiv i shqiptarëve, manipulimi i zgjedhjeve dhe kriminalizimi i politikës, kanabizimi i vendit.

–  Cili  është  produkti i Reformës në Drejtësi, meqë kanë kaluar 4 vite nga miratimi i saj,  me 140 vota në Parlamentin tonë?

– Reforma në Drejtësi ishte e domosdoshme dhe opozita dha kontributin dhe konsensusin e saj për ndryshimet kushtetuese. Miratimi i njëanshëm dhe i qëllimshëm i ligjeve dhe akteve ligjore për Reformën në Drejtësi, çoi në shkeljet e afateve  kushtetuese  të ngritjes së strukturave të reja të drejtësisë dhe deformimin e saj. Kjo bëri që Shqipëria të jetë një shembull unikal pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë dhe çdo gjë vendoset dhe kontrollohet nga qeveria në mënyrë antikushtetuese dhe korruptive  me ligjet që miratohen dhe shkeljen flagrante të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

– Si e shpjegoni ju, që ambasadorë në Tiranë, e quajnë  të suksesshme Reformën  në Drejtësi,  ndonëse,  pasojë  e drejtëpërdrejtë e saj, është që 3 vjet  Shqipëria,  është pa rend kushtetues, nuk  ka Gjykatë  Kushtetuese,  nuk kemi  Gjykatë  të  Lartë, ende nuk është krijuar BKH-ja, etj?

– Komuniteti ndërkombëtar ka qenë mbështetje për reformën, e cila nuk ka kthim mbrapa. Problemet dhe pasojat e veprimeve  të Ramës,  nuk mund t’ia veshim ndërkombëtarëve. Opozita duhej dhe duhet të komunikonte intensivisht me ta për të  ofruar  zgjidhje kushtetuese,  e jo t’i kundërvihet, apo t’a shohë si problem të Ramës. Ky është një problem i vendit dhe funksionimit kushtetues të shtetit. Sistemi zgjedhor aktual është në dëm të parlamentarizmit, pluralizmit dhe përfaqësimit  të shqiptarëve. Kam shpresuar dhe vazhdoj shpresoj që opozita ta kuptojë këtë. Nuk bëhet lufta me kapterë të emëruar Gjeneralë

– Zoti Mediu,  a nuk është ironike,  që Kryeministri  Rama është presidenti i rradhës i OSBE-së,  ndërkohë,  ambasadorja Kim,  është  kryenegociatorja e marrëveshjes  së Reformës Zgjedhore dhe rezidenca e saj, është tryeza e negociatave, thua se në Shqipëri  kemi luftë civile dhe nuk ka institucione kushtetuese, që të garantonin bisedimet e palëve politike për këtë Reformë?

– Le t’i ndajmë gjërat: Së pari, është e turpshme që kryesuesja e radhës e OSBE-së, Shqipëria nuk bën dot reformë zgjedhore, sipas standarteve të OSBE/ODHIR-it,  dhe nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo më kujton kohën, kur Iraku i Sadam Hysenit,  kryesonte komisionin e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara. Unë falenderoj Ambasadoren Amerikane, atë të BE-së dhe OSBE-së në angazhin e tyre për reformen zgjedhore. Opozita duhet të ketë të qartë qëllimin politik dhe atë tekniko-ligjor të kësaj reforme. Duhet, e përsëris, jo të qahet për ta, por të negociojë me ta. Kur kemi bashkëpunuar dhe negociuar me ta, e kemi bërë Shqipërinë  vend anëtar të NATO-s  dhe kemi liberalizuar vizat me BE-në. Bashkëpunimi intensiv i opozitës me faktorin ndërkombëtar është domosdoshmëri sot në opozitë dhe nesër në qeveri.

– Ne shqiptarët, si duhet ta deshifrojmë apelin që u bëri palëve politike ambasadorja Kim, kur u tha,  se nuk duhet të parashtrojnë kërkesa që nuk janë  në rekomandimet  e OSBE-së, për të arritur marrëveshjen e Reformës Zgjedhore, ndërkohë që nuk iu referua standardeve demokratike që garantojnë  zgjedhje të lira dhe demokratike?

– Rekomandimet e OSBE/ODHIR-it i kanë parashikuar gjithë standardet politike dhe teknike. Që në fillim theksojnë, se duhet ndaluar shitblerja e votës, intimidimi i votuesve dhe përdorimi administratës. Kjo kërkon vullnet politik, prandaj është kërkuar  qeveri kujdestare, si në Maqedoni. Shqiptarët nuk meritojnë më pak se maqedonasit  dhe atje qeverinë kujdestare,  e mbështetën, si amerikanët dhe europianët. Opozita, në vend të ankohet, duhet të mësojë si u bë dhe u veprua atje dhe të kërkojë t’a bëjë të mundshme edhe në Shqipëri, përndryshe,  s’do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne dolëm nga parlamenti, apo nuk hymë në zgjedhjet  lokale për të larguar  Ramën,  nëse hymë me zgjedhje me këtë kryeministër,  kjo do ishte një lëvizje në dëm të Shqipërisë dhe opozitës.

-Zoti Mediu,  PD-ja u kishte premtuar aleatëve  të saj,  se do të këmbëngulte dhe do të kërkonte që në Reformën e re Zgjedhore të bëhej ndryshimi i sistemit  zgjedhor. Ju, a mbetët të zhgënjyer, ngaqë PD-ja nuk donte të mbante  premtimin tuaj, por u darkodësua me PS-në, që të mbanin këtë sistem  zgjedhor?

– Sistemi zgjedhor aktual është në dëm të parlamentarizmit, pluralizmit dhe përfaqësimit  të shqiptarëve. Kam shpresuar dhe vazhdoj shpresoj që opozita ta kuptojë këtë. Nuk bëhet lufta me kapterë të emëruar Gjeneral, por me një strukturë, ku, që nga ushtari i thjeshtë dhe ushtaraku më i lartë,  di dhe njeh pozicionin dhe detyrën e tij.

– A mendoni, se marrëveshja e Reformës  Zgjedhore, do të garantojë atë që kërkoi opozita, zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike?

– Pa qeveri kujdestare është naivitet, utopi, dritëshkurtësi  të mendohet se do ketë zgjedhje  të lira dhe të ndershme. Shqiptarët, siç u larguan nga Shqipëria, do të largohen dhe nga zgjedhjet. Pa qeveri kujdestare është naivitet, utopi, dritëshkurtësi  të mendohet se do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqiptarët, siç u larguan nga Shqipëria, do të largohen dhe nga zgjedhjet

– A mendoni, se krimet elektorale të kryera në zgjedhjet e 2015, 2016 dhe 2017, u amnistuan,  me arritjen e marrëveshjes për Reformën  Zgjedhore?

– Vlen të shikohet puna e institucioneve të drejtësisë, amnistimi i tyre do të thotë hapja  rrugë e krimeve të reja elektorale.

– Opozita, a do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhore, meqë u arrit marrëveshja?

– Opozita ka kohë që kërkon dhe zgjedhjet duhet të ishin bërë me kohë, por të kërkosh është tjetër gjë,  dhe ta mundësosh krejt tjetër. Të paktën, të kërkojmë dhe mundësojme zgjedhje lokale sa më shpejt të jetë e mundur.

–  A do mazhoranca të hapen negociatat  e anëtarësimit  në  BE?  A e saboton qëllimisht  këtë  proces, me qëllim që të konsolidojë  pushtetin  autokrat?

– Ka një grup në qeveri dhe mazhorancë që nuk duan anëtarësimin në BE, duan pushtetin dhe përfitimet në rrugë abuzive të tij. Sa më shumë BE, më pak korrupsion, më pak krim dhe këtë ka shumë në qeveri që nuk e duan.

– Faleminderit!

 

“Reformat” e kryera nga qeverisja e kryeministrit Rama

Janë “shumë”, frenimi integrimit europian, përçarje e faktorit shqiptar, rritja e peshës së Serbisë dhe Vuçcit për politikat ne rajon. Shkatërrimi i shtetit, kushtetutes, ligjeve, parlamentit, Gjyqësorit. Krijimi i një regjimi autokratik dhe autoritarist. Shtimi i varfërisë dhe papunësisë, largimi masiv i shqiptarëve, manipulimi i zgjedhjeve dhe kriminalizimi i politikës, kanabizmi i vendit