Faktet e krimit zgjedhor në KAS/ Në Fier 35 persona votuan për 91 vetë, në Korçë 23 zgjedhës votuan 63 herë. KQZ mbyll dosjet, duke shkelur ligjin

162
Sigal

Faktet në KAS: Në Fier 35 persona votuan për 91, në Korçë 23 persona votuan për 63!

Militantët e ‘Rilindjes’ në KQZ, KAS me urdhër partie mbyllin dosjet e krimeve zgjedhore

Ndonëse Opozita ka depozituar fakte dhe prova të pakundërshtueshme, që në Qendrat e Votimit dhe në KZAZ janë kryer krime zgjedhore, që qeveria ka përdorur burimet e shtetit për fushatën elektorale të Partisë, madje në KAS dhe KQZ kryqëzohen të dhënat, ku dhjetëra votuesë të njëjtë kanë votuar në shumë qarqe qindra herë, prapë anëtarët e KAS dhe të KQZ, që janë emëruar në këto institucione me kritere partie, nuk zbatojnë Kodin Zgjedhor, por urdhërin e partisë, duke mbyllur dosjet e krimit zgjedhor.

Dhjetëra persona votuan secili dhjetëra herë

Kryqëzimi i të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të prodhojë të dhëna interesante. Këtë herë këto të dhëna vijnë për qarkun e Fierit dhe të Korçës. Kështu, sipas të dhënave paraprake, në qarkun e Fierit janë 35 persona që kanë dhënë shenjat e gishtit për 91 votues. Ndërkohë, në qarkun e Korçës, janë 23 persona që kanë dhënë shenja gishtash për 63 votues. Pavarësisht këtyre të dhënave, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve i ka rrëzuar të gjithë ankimet e bërë nga Partia Demokratike deri më tani. Deri tani janë faktuar në KAS se 19 persona në Berat votuan 53 herë, 14 persona votuan 74 herë në Gjirokastër, 51 persona votuan 123 herë në Tiranë.

Opozita në KAS: Të përsëriten zgjedhjet në Korçë, votat u blenë deri në 300 euro

Në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, dje u shqyrtuan ankesat e depozituara nga Partia Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për Qarkun e Korçës. Marash Logu, përfaqësuesi i PD në KAS, kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në këtë qark, si dhe ripërsëritjen e tyre. Sipas tij, PD ka fakte të shumta që mund të arrihet në këtë vendim, ndërsa shtoi, se sipas tyre, një votë në këtë qark është blerë diku te 100-300 euro. Edhe lëshimi i tenderave publikë, lejeve të ndërtimit dhe legalizimeve sipas Logut, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve. Gjithashtu, edhe Partia Lëvizje Socialiste për Integrim, kërkoi shpallje të pavlefshmërisë së zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në Qarkun e Korçës.

KAS rrëzon ankimimet e PD-së dhe LSI-së për 9 qarqet e vendit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shpallje të pavlefshmërisë së zgjedhjeve për Qarkun e Fierit dhe ripërsërtiejn e tyre. “Vendosëm rrëzimin e Kërkesës Ankimore të PD dhe LSI, për shpalljen e pavlefshme të Qarkun e Fier, të pambështur në ligj dhe në prova. Lihet në fuqi vendimi i Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve. Ky vendim hy në fuqi menjëherë, e kundër këtij vendimi mund të bëhet apel në Kolegjin Zgjedhor, brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit”, – tha Ilir Rusmaili, relator i KAS në këtë seancë. Kujtojmë se KAS, ka shqyrtuar ankimimet e PD, LSI në 9 qarqe të vendit. PD dhe LSI kërkonte shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në këto 9 qarqe dhe ripërsëritjen e tyre, me arsyetimin se ka prova të mjaftueshme për ta ndërmarrë këtë veprim, por këto kërkesa nuk janë pranuar nga KAS. Në Qarkun e Durrësit dhe Beratit, ka pasur rinumërim të disa kutive, por edhe pas tyre, rezultati përfundimtar i 25 prillit, nuk ka ndryshuar.

Opozita: KQZ dhe Gjykata nuk bënë transparencë për krimet zgjedhore

Kolegji Zgjedhor rrëzoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Gjirokastër

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso, ka reaguar fill pas dhënies së vendimit të Kolegjit, për rrëzimin e kërkesës së PD-së për shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve në Qarkun e Gjirokastrës. Kaso tha se PD nuk është dorëzuar dhe do e ndjekë këtë rrugë deri në fund. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, refuzuan të jepnin një vendim objektiv dhe transparent. Ivi Kaso: “Nuk do të heqim dorë nga transparenca nga ky proces elektoral, që ka qenë më i ndikuar nga interesat e mazhorancës që nuk lejonte shqiptarët të jetonin të lirë. Beteja për transparencë është shumëpalëshe, kemi zhvilluar plan administrative. Në KAS dhe KQZ, do të bëhet në rrugë penale, mund të zhvillohet në rrafshe të tjera Kushtetuese, sepse shkeljet që ne kemi prekur janë shumëpalëshe. Çdo veprim i tyre, në mos sot, do të vihet përpara shërbimeve ligjzbatuese dhe të gjithë do të japin llogari për procesin e 25 prillit. LSI dhe opozita nuk pranon një vendim të dhënë për këto shkaqe. Nuk ka se si pranon faktin, që lënia e një vendimi kaq të shkurtër të pranohet nga ana jonë. Në këto zgjedhje janë formuluar kaq shumë kërkesa dhe prova se në zgjedhjet e tjera nuk kanë qenë. Anëtarët e KAS e kanë pasur shumë të lehtë për të marrë kërkesat për provë dhe t’i shqyrtonin ato, për të dhënë deklaratë objektive.”