Evdal Nuri: Shiko dhe këto Kryetar…!

1083
Sigal

Erion Veliaj fitoi një mandat të dytë për Kryetar Bashkie në Tiranë. Që ditën e parë, para katër vjetëve, tha: “E kur të takohemi prapë pas 4 vjetësh unë nuk dua të vij përpara jush me një listë justifikimesh, por me një listë punësh të mbaruara. Me një qytet që mund të mos jetë i përkryer, por të paktën është më i mirë se ai që po trashëgojmë sot”. Dhe kjo është e vërtetë, Tirana ka ndryshuar për mirë. Punët janë të shumta e në çdo fushë. Në bazë e superstrukturë. Në shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, gjelbërim, por dhe në mendime e gjykime!

Tirana kantier ndërtimi. Çdo ditë një punë konkrete

“Pra, në qoftë se kemi bërë 46-47, kënde lodrash për fëmijët të bëjmë edhe 50 të tjera”, tha Veliaj. Për të gjitha këto: “Një bravo të madhe”. Bravo nga të gjallët, por dhe “uratat” nga të vdekurit. Varrezat e” Tufinës” e të “Sharës” janë transformuar rrënjësisht. Kalon lirshëm në rrugë të asfaltuara, të sistemuara, e gjelbëruara“. “Fshati që duket s’do kallauz”. As kishim parë e menduar se “Kryetari i Bashkisë” do të përgëzonte e shpërblente nënat e reja që sapo kanë lindur! Do t’i jepte bursa nxënësve ekselentë. Do të ngrinte në krah e do të përkëdhelte fëmijët në çerdhe e kopshte, duke i krijuar kushte sa më të mira jetese! Do përqafonte fëmijët e ciklit të ulët në këndin e ri të lodrave, duke u bërë pjesë e tyre! Do lozte basketboll me nxënësit e ciklit lartë! Do mbillte pemë me të rinjtë. Do të bëhesh kuzhinier e do t’i shërbente të moshuarve! Çdo ditë një aktivitet, thotë dhe e bën, ashtu si e kemi parë! Çdo mbrëmje themi, duke parë në televizion: Ç’punë ka bërë Erioni sot? Në fakt na është bërë si ” djali i shtëpisë”. Dhe bindemi, duke parë e jo dëgjuar! Bravo i qoftë i reklamon mirë punët që bën!

Thonë, nëse do të mallkosh njeri, i thuaj: “Të hyftë vetja në qejf! “

E t’mos i ndodhë kjo Kryetarit tonë që në një farë mënyre është dhe “Kryefamiljari ynë” po i bëjë disa vërejtje.

Të reja, të gjetura, të mbetura, që lënë shije të keqe:

– Në fasadat e pallateve, shtylla, kaseta elektrike e telefonike, e kudo, çfarë s’gjen të shkruara e të ngjitura: “Tirona zomra jonë. Shqipëri etnike. Blejmë mobilie të përdorura. Bëjmë zhbllokime. Japim me qira. Shesim shtëpi, lokal, zyrë, dyqan. Lajmërim vdekje. Lajmë tapete. Zhvillojmë kurse. Ka humbur një qen. Fizioterapi në shtëpi. Kërkojmë roje, punëtorë lavazhi” … e tjerë. Këto e të tjerë me një shkrim të keq, që e shëmtojnë Tiranën. Ato i prishin bukurinë që kemi kënaqësinë ta shohim. Vite të tëra pallate pa lyera s’i ai tek kryqëzimi i ”21 Dhjetorit”!

-Ka bllokim në qarkullim, që shpesh krijojnë kaos. Nga Berati në Vorë 1.10 minuta. Nga Vora tek “Zogu i Zi” 90 minuta? Zhurmë e makinave të vjetra dhe e motorëve është shqetësuese. Tjetër, rrugët, jo vetëm tek “Rruga e Dibrës” i kemi dy-kalimshe. Nga të dyja krahët janë hapur korsi biçikletat. Rruga është ngushtuar e shpesh shohim bllokime!

-Ndotja , thuhet ishte 30% më e lartë se norma e lejuar nga BE-ja. Tani është dyfishin, nga punimet që bëhen! Jemi vendi i pestë në Botë për numrin e vdekjeve nga ndotja dhe i treti për përdorimin e kokainës, kryesisht në Tiranë! Në Tiranë është rritur 20% numri i të sëmurëve nga kanceri i mushkërive. Qytetarët paguajnë mbi 370 milionë euro në vit taksa mjedisore, por Shqipëria është vendi më i ndotur i Evropës.

-Lana, vjen erë e keqe. Një erë mbytëse “shijojmë” që poshtë urave. Edhe punëtoret e gjelbërimit i rrinë larg në vend që t’i hedhin ujë e t’i pastrojnë! Ajo duhet pastruar, shih mbeturinat tek Brryli e gjetkë…!

-Lapësit i gjen kudo tek të gjallët e tek të vdekurit, në kafene e tek semaforët. Ata janë shtuar e jo paksuar!

-Libra në trotuar! Kur u pyeta një shitës, sqaroi se janë më të lira. Ato shiten kudo tek “Tajvani”, “Parlamenti”, “Kisha Ktolike” ,”Stacioni trenit”, “Piramida” e shumë vende të tjetra…! Mbesës sime Arianës, mjeke ne Grenobël të Francës i bëri përshtypje shitja e librave në trotuare. Në Francë ka vende të posaçme, në bazë lagjeje, që ekspozohen. Edhe tek ne, mund të organizohet diçka me vlerë. Ashtu si janë kioska: “Veshim botën me solidaritet”. mund të ketë kioska: “Falim dijet”. Edhe po s’u kthyen, ato do të lexohen e do kenë ndikim pozitiv. Librat mund t’i dhurohen bibliotekave të lagjeve apo shkollave . Dhe shembujt s’mungojnë. Pr.Dr. Pandeli Çina dhe Pr. Dr. Hysen Kordha i kanë dhuruar bibliotekës “Vexhi Buharaja” në Berat mbi 500 libra. Kush do, mund t’i falim me dhjetra libra, kujtdo që ka dëshirë, por duhet gjetur rruga më e përshtatshme. Shumë mirë që trotuarët po rregullohen, por në pa mundësi të bëhen qindra km, të zëvendësohen pllakat e thyera e të nivelohen, mbase çdo ditë pengohen e rrëzohen njerëzit. Pllakat e gurit tek “1- Maj” e Parlamenti lëvizin dhe dhjetëra gropa të mbetura nga ish-ndriçuesit që janë shkatërruar e mbushur me mbeturina! Kështu tek “Shkolla e Baletit”. Një ditë isha lodhur u ula tek Parlamentit, pranë bustit “Fan Noli”. Një erë urine e padurueshme. Kohë më parë atje ishte një WC portative e një tjetër për ujin. As njëra e as tjetra! Por kështu dhe tek “Parku Rinia” e gjetkë!

-Tregje të mëdha anës trotuarëve. Ditën në prani të mijëra makinave që i ndot e vapa që i përvëlon. Natën mbulohen me mushama me gurë e arka. Aty lëvizin qentë e macet. Të nesërmen ne zëmë radhën për të marrë fruta e perime! E çfarë blejmë e çfarë hamë?! Një ditë vajza vjen me një aparat në dorë, i cili kushtone vetëm 150 euro. Kishim marrë një pjepër, në pamje i bukur. Aparati kishte një kunjë të cilën u futën në të. Norma e lejuar për nitratin ishte nga 80, doli 480. Tek shalqiri nga 40 në 400. Vajza e mori dhe e hodhi në koshin plehrave, por së bashku me to edhe 500 lekët. Të kuptohemi s’i pjepri dhe shalqiri, janë edhe domatja, trangujt e tjerë. Nga vjen ky nivel skandaloz i hormoneve tek këto produkte? Kjo mund të zgjidhet shumë thjesht. Me këtë aparat punonjësit e bashkisë që merren me këtë punë ose nga AKU-ja , çdo ditë të matin niveli e lejuar në perime e fruta në katër magazinat e grumbullimit në Tiranë. Nëse janë jashtë normës të eliminohen. Po u zbatua më përpikëri e vazhdimisht pronarëve të magazinave “do t’i djegë xhepi” Ato s’do grumbullojnë produkte mbi normën e lejuar. Këta nuk do t’ia marrin fshatarëve. Si përfundim dhe ata s’do përdorin praktika të tilla se s’ia merr njeri! Vitin e kaluar ishim në llixhat e Elbasanit. Disa gra na treguan, perimet që përdorim për vete i kemi në parcela të veçanta, e nuk i hedhim hormone! Së fundi, këndi i ri i lodrave tek “7-Xhuxhat”, ishte shumë më i bukur se ky i sotmi. Kishte një hijeshi me pemë e larmi lodrash. Ishte simboli i gjithë këndeve, ose “lokomotiva” e tyre. Ky i riu është më tepër lulishte se kënd, i zhveshur e me një numër të kufizuar lodrash ku s’gjen fëmijë për t’u argëtuar, se të përvëlon dielli. Të kuptohemi, Tirana ka dhe shumë arritje të tjera, por dhe probleme. Ajo është shumë e madhe. Unë trajtova, çka kam parë tek zona ku banoj, por sa të tjera ka…?!