“EuroStatusi i Shqipërisë vendoset pas zgjedhjeve të 2013-s”

535
Sigal

 INTERVISTA/Ermonela Felaj: “Nacionalizmi folklorik i Berishës bëhet vetëm për interesa të tij të çastit”

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, anëtare e Komisionit të Ligjeve, në intervistën për “Telegraf” qartëson çfarë përfaqëson abstenimi i votës që PS-ja i bëri kandidatit të Kryeprokurorit në Kuvend. Zonja Felaj, shpjegon se PS-ja nuk e bëri kauzë politike shkarkimin antikushtetues të Ina Ramës, pasi nuk është në shërbim të individëve, por lufton për kauza të gjithë shqiptarëve. Sipas zonjës Felaj, eurostatusi për Shqipërinë do të vendoset pas zgjedhjeve të  2013-s. Debatit nëse nacionalizmi i shfaqur kohët e fundit nga Kryeministri, zonja Felaj e cilëson “folklor nacionalist”, që i shërben interesave të çastit të Berishës dhe jo bashkimit të Kombit shqiptar.

– Znj. Felaj, si ta kuptojmë votën abstenuese të PS-së për Kryeprokurorin e ri?

-Abstenimi nga ana jonë është një qëndrim në koherencë të plotë më gjithë qëndrimin tonë të mëparshëm në lidhje e çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kohën e përfundimit të mandatit, apo qëndrimit në detyrë të tij. Presidenti ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ndërsa vrapoi të nxjerrë një dekret të parakohshëm. Në ligjin organik të institucionit të akuzës, pra prokurorisë, përcaktohet qartë se afati i qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm është 5 vjet. Kujtoj se ky afat u përcaktua si i tillë disa muaj pasi ishte zgjedhur Prokurorja e Përgjithshme, mandati i së cilës në momentin fillestar ishte i pakufizuar. Në atë që konsiderohet e drejta civile kryesisht, normat juridike nuk kanë fuqi prapavepruese, pikërisht për t’iu dhënë siguri raporteve juridike të vendosura më parë,  çfarë do të thotë se parashikimi në ligj i një mandati 5 vjeçar për Prokurorin e Përgjithshëm, i ka filluar efektet pikërisht nga momenti kur u vendos ky parashikim dhe jo më parë, pra nga momenti kur tanimë ishte zgjedhur Prokurori i Përgjithshëm. Nga ana tjetër,  nuk mund të paragjykojmë apriori kandidatë të propozuar për të kryer detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.  Në drejtësinë penale ka një parim që unë do ta them shumë thjesht, pikërisht ai sipas të cilit,  dyshimi e zbeh  provën. E pra, kjo votë e jona le t’i shërbejë Prokurorit të Përgjithshëm si një dyshim, të cilin puna me dinjitet dhe paanshmëri, pasioni për rivendosjen e drejtësisë,  do ta fshinin me siguri.

– Përse PS-ja nuk e bëri kauzë politike shkarkimin e Ina Ramës, derisa e vlerëson si veprim antikushtetues? Mos vallë u nis nga mendimi se paraprakisht, e ka betejën e humbur?

– PS-ja është në shërbim të një individi,  por të kauzave që bashkojnë shumë individë dhe që në vetvete përfaqësojnë rrugë drejt vlerave të pakëmbyeshme të demokracisë  e lirisë. Nga ana tjetër, ne nuk i përkasim konceptit mjeran të mëkëmbësit të qeverisë në Presidencë, se Prokurori i Përgjithshëm  dhe prokuroria  duhet t’i përkasin aksh partie politike. Në konceptin dhe vizionin tonë, Prokurori i Përgjithshëm duhet të jetë dhe ngelet deri në fund, figura e paanshme, dhe kjo në vetvete është kauzë drejtësie. Pikërisht, kjo është ajo që me shumë modesti do të pretendonim nga cilido kandidat për Prokuror të Përgjithshëm. Paanësia, pavarësia dhe integriteti moral dhe profesional i Prokurorit të Përgjithshëm, në një institucion hierarkik sikur është organi i akuzës, do t’i jepnin frymëmarrje këtij organi jetik në luftën kundër krimit.

– Derisa PS-ja po mban kauzë moszbatimin e vendimeve të gjykatave për Qarkun e Fierit, aq sa nuk pranon të votojë edhe tre ligjet për kushtet e statusit eurokandidat, përse reagon kaq pak për veprimin antikushtetues të Presidentit, në shkarkimin e Ina Ramës?

 – Rasti i Qarku Fier nuk ka asnjë lidhje me rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, që, sipas një logjike shumë të thjeshtë, kërkon reagimin e vetë individit, më së pari. Ky rast është prova e plotë e moszbatimit me vullnet të vendimeve të gjykatave, të Gjykatës  së Lartë  për më tepër, dhe për  këtë arsye nuk ka asnjë kuptim  që të votojmë ligje në letër  me vetëdijen e qartë se nuk do të zbatohen ndonjëherë nga kjo maxhorancë. Dua gjithashtu t’ju shpreh dhe një tjetër konsideratë, atë që rasti i Qarkut Fier,  si një rast i pastër i moszbatimit të ligji,t me pasojë deformimin e vullnetit të pothuaj 300 mijë zgjedhësve,  lidhet ndër të tjera dhe me prokurorinë,  që, si organ ligjzbatues,  duhet të kishte reaguar pa asnjë mëdyshje dhe, natyrisht, përsa i takon të bëjë sipas ligjit, ndaj gjithë personave përgjegjës për këto shkelje të legjitim duke marrë në përgjegjësi penale për “shpërdorim detyre”, “kryerje të veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatave”,   prefektin e këtij qarku, të emëruarin nga maxhoranca, si Kryetar i jashtëligjshëm i këtij, që bashkëpunuan hapur dhe kundër një institucioni të zgjedhur nga qytetarët e për t’iu shërbyer atyre.

– Tani a mendoni se Berisha ka uzurpuar të gjitha institucionet e pavarura?

– Sali Berisha  ka pasur tendencë dhe jo vetëm sepse e ka bërë fakt, që të uzurpojë çdo hapësirë të shoqërisë shqiptare, ndërkohë që, fatmirësisht ka  pasur edhe plot raste,  kur disa segmente i kanë dalë jashtë kontrollit,  koha gjithsesi ngelet dëshmitari më i mirë..

– Mendoni se statusi eurokandidat i Shqipërisë varet nga miratimi i tre ligjeve?

– Prononcimi i fundit të Komisionerit për Zgjerim Stefan Fule, thotë se, statusi varet  po aq edhe  nga një kusht  i pakëmbyeshëm që i është vënë Shqipërisë dhe  është  themelori,  ai për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky kusht qartësisht i adresohet Sali Berishës, uzurpues patologjik i çdo lirie në këtë vend.

– Duke qenë se faktori ndërkombëtar, kohët e fundit, bën apel Shqipërisë, se zgjedhjet e 2013-s, janë test për progresin e integrimit, mendoni se forcat politike kanë marrë mesazhin, gjersa rishpërndarja e mandateve të deputetëve, po vë në dyshim, qysh në fillim, gjithë procedurën e zgjedhjeve?

– Ne kemi që nga shtatori i vitit 2009 që luftojmë për transparencën e zgjedhjeve te vjedhura të Qershorit 2009. Siç duket, edhe faktori ndërkombëtar  është qartësisht i vetëdijshëm tashmë se Sali Berisha kërkon të  manipulojë votën e shqiptarëve. Këtë e kanë shprehur në gjithë prononcimet e tyre titullarët më të lartë të BE-së, SHBA-ve,  ku kërkohet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe kjo i kërkohet Sali Berishës si Kryeministër i këtij vendi.

– Nacionalizmi politik, i shprehur nga Berisha, i shërben interesave kombëtare dhe procesit të integrimit të Shqipërisë?

– Nacionalizmi folklorik i Berishës do ta quaja… Ky nacionalizëm fals i rigjetur i Berishës bëhet vetëm për interesa të tij të çastit. Nuk mund të jetë nacionalist  ai që i fali detin, 300 km2 Greqisë me një të rënë të lapsit,  ai që interesat ekonomike të Shqipërisë i ka hedhur në  duart e bizneseve më të errëta serbe. Ky nacionalizëm fals  është edhe tregues i asaj që Berisha nuk ka ide, nuk ka asnjë alternativë që t’ia paraqesë shqiptarëve, veç asaj të rrjepjes sistematike e për përfitime   të familjes dhe oborrit të tij, të çdo gjëje të vlefshme që ka mbetur. Ai  po kopjon keqazi sjellje të tjerëve me shpresën për t’u bërë i pëlqyeshëm, por sigurisht dhe shumë shpejt ai do të  ketë të njëjtin fat me atë të sivllamëve të tij ballkanas, që nacionalizmin  fals ekstrem,  e përdorën si kartën e fundit për të mbajtur pushtetet e tyre të rrëgjuara.

PD-PS me politikë të kundërt për bashkimin e kombit shqiptar

– Çfarë dëshmon që PD-ja dhe PS-ja kanë qëndrim diametrikisht të kundërt edhe për çështjen e nacionalizmit patriotik, të bashkimit të kombit tonë?

– PD-ja nuk ka asnjë qëndrim në lidhje me këtë  çështje, kjo parti personale e Sali Berishës i shet dhe blen interesat e shqiptarëve si t’ia dojë interesi i ditës, ose  aq  banalisht, si të ishim  në një pazar ku shitet e blihet  sallata e stinës. Pra, PS-ja,  në themel të saj ka çështjen kombëtarë, integrimin europian të shqiptarëve, përmes hapave të  hedhur natyrshëm,  e që pa dyshim do të krijonin mundësitë, rrethanat   për një rilindje shqiptare.

– Faleminderit!