PS: “Borxhi, Berisha po dorëzon sovranitetin e vendit ”. PD-ja premton rritje ekonomike

749
Sigal

 KUVENDI/Dje u miratua me votat e maxhorancës Buxheti i 2013. Batutat e deputetëve  u referohen …vaksinimeve politike

1. PD-PS, diametrikisht të kundërta për buxhetin e 2013-s

Projektligji për buxhetin e vitit 2013 u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës gjatë seancës së sotme të Kuvendit. Pr/buxheti u miratua me 74 vota pro, ndërsa opozita votoi kundër, ashtu siç paralajmëroi gjatë diskutimeve maratonë që zgjatën rreth 9 orë, ku u karakterizua  me debate mjaft të ashpra midis maxhorancës dhe opozitës, duke qenë se të dy palët politike kanë këndvështrim diametrikisht të kundërt. Maxhoranca, duke u përpjekur ta paraqesë p/buxhetin e 2013-s si buxhetin më të madh të të gjitha viteve dhe premton një rritje ekonomike deri në 4 %, edhe pse vendi e rajoni në përgjithësi ndodhen në recension ekonomik, për shkak të krizës globale, PS-ja nga ana e saj, bëri fjalë se ky buxhet po e zhyt vendin në borxhe. 
2. Maxhoranca premton rritje ekonomike
Kryeministri Sali Berisha tha se buxheti i vitit 2013 ka objektiv të tij rritjen e investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë dhe rritjen e mirëqenies së shqiptarëve. Ministri i Financave, Ridvan Bode, reagoi duke thënë se buxheti është racional, pasi ul deficitin buxhetor ndërsa premton një borxh të shëndetshëm. Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se buxheti i vitit 2013 është buxhet investimesh, pasi është buxhet për qytetarët. 7 miliardë lekë janë parashikuar nga borxhi 2013 për Ministrin e Drejtësisë. Ndërkohë që, Halimi bëri me dije se 3 milionë dollarë janë parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, gjatë fjalës së tij u bëri thirrje kolegëve socialistë që rritjen e borxhit me 2 % të mos kalohet në debat dogmatik. Sipas ministrit Ruli buxheti përfshin projekte të mëdha për mandatin e ardhshëm të demokratëve 213-2017, teksa theksoi prioritet e bujqësisë. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi se buxheti për vitin 2013 është parashikuar të rritet me 48.24 milionë lekë në krahasim me buxhetin 2012, duke përfaqësuar rreth 1.4 për qind të PBB. Ky buxhet, sipas tij, ka vlerën 19.86 miliardë lekë. Këto fonde, tha Imami, do të shërbejnë kryesisht për mbështetjen me shërbime të reparteve prioritare. Po ashtu krahas investimeve për modernizimin e pajisjeve dhe teknikës, fondet do të përdoren edhe për mbështetjen e ushtarakëve në misionet paqeruajtëse.
3. Naço: Kundër buxhetit, infrastruktura e Beratit në harresë
Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe në intervistën për “Telegraf”, deputeti i LSI-së dhe nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, deklaroi se do të votojë kundër, edhe pse ata janë në maxhorancë. Zoti Naço, njëherazi deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit, deklaroi nga foltorja e Kuvendit  tha se do të votojë kundër pr/buxhetit të vitit 2013, pasi sipas tij, infrastruktura në Berat është lënë në harresë. Naço sqaroi se në parim do të votojë pro buxhetit me argumentin se është dakord të rriten pagat dhe pensionet, të rriten investimet në infrastrukturë, turizëm e arsim, por theksoi se është kundër ndarjes selektive të investimeve për qarkun e Beratit.
4. Opozita “ Buxheti sjell thellon krizën e borxhin”
Projektbuxheti i qeverisë, u hodh poshtë me forcë nga deputetët e PS- së, të cilët argumentuan se ky p/buxhet po e zhyt vendin në borxhe dhe krizë më të thellë. Opozita në debatet e saj e konsideroi p/buxhetin si jo realist. Ish-ministri i Financave, deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj, shprehu shqetësim mbi ndryshimin që po i bëhet ligjit organik të buxhetit të shtetit, që parashikon heqjen e kufirit të nivelit të borxhit publik. Malaj tha se, duket se shkalla e dështimit të qeverisë në rritjen e borxhit publik është kaq e lartë dhe paqartësitë për të ardhmen janë aq të mëdha, sa qeveria jo vetëm që e heq kufirin, por nuk vendos më asnjë shifër tjetër orientuese, çka do të thotë se shkalla e papërgjegjshmërisë në kontrollin e situatës buxhetore në vend rritet, aq më tepër kur jemi në një vit elektoral.  Menjëherë pas ftesës që Kryeministri Berisha iu bëri deputetëve të majtë për të votuar buxhetin më të madh në histori, siç tha ai, fjalën në Kuvend e mori deputetja e PS-së, Mimi Kodheli. Duke ironizuar këtë buxhet, Kodheli tha se, “buxheti më i madh në histori nuk gjen dot 500 mijë lekë për të ndërtuar murin mbajtës së një ure në një komunë dhe për të mos lënë atje me mijëra qytetarë të izoluar”. Deputetja Kodheli tha se rritja ekonomike që pretendon kryeministri do jetë më e vogël se rritja e borxhit publik, 8.9% do jetë borxhi", tha ajo, duke e cilësuar tronditëse. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, në vijim të diskutimeve mbi pr/buxhetin 2013, theksoi se qeveria ka dështuar me të gjitha privatizimet. Ahmetaj vuri në dukje dhe situatën me KESH, duke e cilësuar se kompania nuk ka para për të paguar punonjësit e saj. Ndërsa rreth borxhit publik, Ahmetaj u shpreh se, ‘kostoja e lartë do bjerë mbi fëmijët tanë’.
4. Ruçi replikon për moszbatimin e Rregullores së Kuvendit
Pas dëgjimit të disa debateve, kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi kërkoi që deputetëve të PS t’u jepet koha e mjaftueshme për të shprehur qëndrimin mbi draftin ekonomik. “Ti i le diskutantët të flasin nga 20 minuta, 1 orë foli kryeministri, nga 20 minuta ministrat, deputetët e PS-së nga 5 minuta. Nëse ata do flasin 20 minuta dhe ne 20 minuta. Tani, ose të flasin deputetët e PS-së dhe ministrat t’u përgjigjen atyre, ose do prishim marrëveshjen”. 
5. Batutat e deputetëve që bëjnë fjalë edhe për ....vaksinimin politik
Nuk kishte sesi në këtë debat mjaft të ashpër në Kuvend, midis deputetëve të PD-së dhe PS-së, të mungonin edhe batutat. I pari, siparin e batutave e hapi Kryeministri, i cili, duke iu drejtuar deputetëve të PS-së, u tha, “ ikni puthuni me Milon, për mosfutjen në listat për deputetë”. “Më së fundmi kryetari juaj bëri zbulimin gjenial, ai gjeti metrin e të vërtetës, por në metrin e tij, nga Damiani te Prolerari mbeten në klasë, se ai tha i vërtetë është vetëm ai që së bashku me këpucë është dy metër i gjatë. Pasi mashtroi tetë vjet shqiptarët, tani tha me besoni se jam i gjatë. Nuk kisha dëgjuar kurrë një gjë të tillë, përveç Fidelit të partisë, ju të tjerët absolutisht, puthuni me Milon për listat që vijnë”,- tha Berisha, duke iu drejtuar opozitës.
Malaj: Të vaksinohet qeveria! 
Deputeti Malaj, lëshoi i pari batutën, duke thënë se qeveria ka nevojë të...vaksinohet. “Qytetarët preken nga qeveria, dhe vaksinimi ka dobi më shumë për qeverinë sesa për kafshët”, replikoi Malaj. 
 Topalli: “Pse kafshë jeni ju”?
Batuta e Malaj, nuk mund të mbetej jetime nga Kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, e cila shquhet për batutat e sajat. Duke i kthyer batutën deputetit Malaj, Topalli i thotë:  “Programi për vaksinimin më pëlqeu shumë. Sikur të bëjmë një vaksinim tuajin për të votuar ato tre ligjet. S’po ju vaksinojmë ju, por të vaksinojmë kryetarin tua”.
Erjon Braçe: “Me këtë buxhet, Berisha gënjen për së treti herë shqiptarët”
 Mingo Minga është një burrë në të 60-tat. Në harkun e 1 viti kam komunikuar shpesh me të por vetëm në telefon. I njoh numrin, zërin, problemin, njerëz të afërt të tij, por atë vet nuk e njoh. Nuk del nga shtëpia. Është invalid. Ka shërbyer rreth 25 vite në ushtri dhe atje u dëmtua, humbi aftësinë fizike e tani qëndron mbi një karrocë. Është taksapagues si shumë shqiptarë të tjerë. Paguan çdo faturë e detyrim ligjor. Por nuk ka para e pasuri. Nuk merr dot as borxh dhe pret. Dimri është i vështirë për të. Por është edhe sezoni i buxhetit. Kontribuon në të - si çdo qytetar që konsumon dhe pret prej buxhetit të financojë rikuperimin e tij. Pret edhe prej Ministrisë së Mbrojtjes, ku ka shërbyer e ku ka çdo vit një fond të posaçëm për kurimin e njerëzve si ai. Por hiç! Buxheti nuk ka para për të. Buxheti ka para edhe për Kryetarin e Kuvendit, për tulla e llaç - tenderë domethënë:- 80 milionë lekë për rikonstruksione dhe pajisje zyrash. Buxheti ka para pa hesap edhe për Kryeministrin, për të njëjtën gjë, tulla e llaç:130 milionë lekë për rikonstruksione ambienti në selinë e tij. Buxheti ka para tej çdo limiti për zyrat e Qeverisë, kudo që janë, të çdo niveli: 3.2 miliardë lekë herë si “pajisje zyrash” e herë si “mobilim e orendi për punë”.Buxheti ka para dhe për qejfin e të gjithë këtyre bashkë, për vilat qeveritare anë e mbanë vendit: 23 milionë lekë, për projektim e studim të ambienteve të brendshme te Vila 1 dhe ambienteve ndihmëse në Vlorë:  221 milionë lekë, për projektim dhe mobilim të vilës në Velipojë. 12 milionë lekë, për rikonstruksionin e pjesshëm të vilave 6, 13, 20, 23 në Durrës: 12 milionë lekë, për vilën e rekordeve historike të notit në Dhërmi.  Buxheti ka para edhe për fushatën e partisë së këtyre: 5.8 miliardë lekë për  ”bashkëpunim civilo- ushtarak”.  Sali Berisha erdhi në pushtet për të ndryshuar Shqipërisë, në fakt ndryshoi shtëpinë. Të gjithë ministrat ndryshuan shtëpitë,po të gjithë bashkë shtuan edhe nga një vilë në bregdet!  Ju gënjeu! Ju që kërkoni punë çdo ditë e dini se punë nuk ka, se 160 mijë vende pune nuk u hapën kurrë. Përkundrazi 40 mijë shqiptarë e humbën punën. Në qershor të 2009-s numri zyrtar i të punësuarve ka qenë 973 mijë; në qershor të 2012 numri zyrtar i të punësuarve ishte 933 mijë. Ju gënjeu  2 herë, në 2005 DHE 2009! Po e sfidoj Kryeministrin të më tregojë ku është Boshti Qendror i Jugut, pra Elbasan-Belsh-Kuçovë-Berat-Memaliaj. Këtu thuhet që duhet ta mbaronte në 2009, as nuk ka nisur, ndërkohë Berati është izoluar si kurrë ndonjëherë në 2400 vjet qytetërim të tij, rrugët janë moçale e mbi to lëvizja është me shpejtësinë e gomarit si simbol i Qeverisë!120 milionë dollarë ishte borxhi i Qeverise ndaj kompanive të rrugëve, 250 milionë dollarë pritet të arrijë këtë vit. Ju gënjeu, 2 herë, në 2005 DHE 2009! Madje ju ka gënjyer sa herë janë bërë zgjedhje, në secilin palë prej tyre. Jemi në dhjetor 2012 dhe legalizimi i objekteve pa leje nuk ka përfunduar. Kështu duhej, vetëm duke mos e përfunduar mund ta korruptonin, të përfitonin pa fund nga paratë tuaja por edhe nga toka, sipërmarrja për ndërtime të reja shumëkatëshe në to, Kamza dhe mafia me pushtet e Kamzës është simboli. Borxhi ka stimuluar e mbajtur rritjen e ekonomisë deri tani. Tani ka ardhur koha për të paguar. Nga 2013-ta borxhi është më i madh se rritja ekonomike dhe kjo është kriza. Nga 2013 rritja ekonomike nuk gjeneron punësim, për këtë shkak rritja ekonomike nuk shpërndahet mes shumicës së shqiptarëve dhe kjo është varfëria. 

 Taulant Balla: “Saliu foli dhe për borxhin, por borxhi për Saliun është borxh për korrupsionin e Saliut. Merr borxh për të rritur korrupsionin e vet. Shqiptarët e thjeshtë duhet të kuptojnë se borxhet e Saliut shkojnë për familjen e Saliut. Sali Berisha merr borxh në emër të shqiptarëve për të furnizuar korrupsionin.”

Ben Blushi: “Qeveria në ikje po merr borxh  pasi nuk ka para, s’ka para se s’ka reforma, ka korrupsion dhe arka e shteti është bosh dhe nuk ka të ardhura se nuk ka punë Sot e keni sjellë borxhin 60.2 %. Anëtarët e BE-së do na kishin sanksionuar se borxhi është i pashlyeshëm, pasi Berisha ku flet i parashikon tiranasit si amerikanë, mallakastriotët si francezë etj. Por, me cfarë e shlyejmë borxhin?”.

Genc Ruli: “Sektori ekonomik është parë më me kujdes, ku ka një rënie prej 4 % në investimet infrastrukturore, por ka rritje të ndjeshme në mbështetjet e drejtpërdrejta që i jepet fermerit. Ne arritëm të luajmë një rol proaktiv në rolin e bujqësisë. Në sektorin e ujitjes dhe kullimit me 20 % të buxhetit. Brenda 2013 do rehabilitohen dhe të vihen në funksionim 14 nga rezervuarët më të mëdhenj të vendit. Që do thotë rreth 30 mijë tokë ha bujqësore vihen në ujitje nga këto burime”.

Ridvan Bode: “Ju në kohën tuaj e kishit borxhin publik mbi 57%, ndërkohë që rajoni e kishte 44%. Ne kemi rritur borxhin publik vetëm me 3,7%, modeste rritja krahasuar me rajonin. Ai është i rrezikshëm, por jo kur do të zgjidhësh problemet e ekonomisë, kur je në vështirësi. Ne jemi të fundit në rajon, kemi borxhin më të ulët, ndërkohë që rajoni e ka 11% . Propozimi ynë është ky, për shkak të presionit të krizës ekonomike globale dhe për tronditjen e brendshme që ka marrë konsumi, ai familjar dhe ai prodhues, ekonomia shqiptare edhe në vitin 2013 të ketë mundësinë që ky buxhet, edhe pse modest, të prodhojë disa stimuj fiskal për të mbështetur rritjen ekonomike ”. 

Mimi Kodheli: “Vetëm 2,6 % e GDP shkon për arsimin, ndërsa për shëndetësinë jo më shumë se 2% të GDP. Ky është buxheti i rrugëve të kafshuara. Nuk është vendi i parajsës fiskale, por i ferrit fiskal. Kjo qeveri po lë më keq si i gjeti financat vendore. Shpenzimet për pushtetin vendor në minimumin historik. Të mos e miratojmë kështu siç është shkruar, nuk mund të pranojmë që për makijazh është harxhuar 4 miliard dollarë dhe për pediatrinë asgjë”.

Arben Ahmetaj: “Ecim me bilancin e taksave. I tregojmë qeverisë që të ardhurat nuk i ka rritur dot përkundrazi, janë më zi se kurrë. I tregojmë qeverisë se ka dështuar si qeveri në efektivitetin e vet dhe sigurisht në mbledhjen e të ardhurave. Kemi dëgjuar debate për të qeshur nga kriza globale deri tek efektet e borës dhe të shiut në ekonomi. Po ja po qeshim dhe po i marrim si gallatë. Po padrejtësinë ndaj qytetarit të zakonshëm, ndaj atij tatimpaguesit të klasës së mesme e të biznesit të vogël nuk mund ta marrim dot si gallatë për të qeshur. Jo mor zotërinj nuk mund ta tolerojmë padrejtësinë që keni instaluar me taksën e sheshtë. Pretenduat shumë me taksën e sheshtë si gjetje, si shpikje. A thua se 90% e pjesës demokratike të botës janë më pak të mençur se këshilli këtu, që nuk kanë guxuar ta aplikojnë. Pas taksës së sheshtë ka shumë më shumë borxhe, pas taksës së sheshtë ka më pak rritje ekonomike, pas vendosjes së taksës së sheshtë ka më shumë papunësi, pas vendosjes së taksës së sheshtë ka më pak investime të huaja dhe të brendshme”

 

Buxheti për vitin 2013 është:
Të ardhurat 360 661 milionë lekë;
Shpenzimet 409 594 milionë lekë;
Deficiti 48 933 milionë lekë.