Erion Braçe: Ksera – Armo dhe Albetroli i Haxhinastos

549
Arrestimi, ditët e fundit i ish-ministrit minoritar, Spiro Ksera u konsiderua nga shumë analistë pak me të qeshur dhe pse jo edhe me të ngjeshur, si “kurban” i të ashtuquajturës luftë kundër korrupsionit. Disa të tjerë e quajtën “greku që u bë kokë turku” për të rritur presionin dhe krijuar terror tek qytetarët dhe ata që dinë apo kanë dijeni për aferat korruptive të qeveritarëve të djeshëm dhe të sotëm. Madje, në kuadrin e kësaj lufte dekriminalizuese u thërrit pranë prokurorisë edhe ish-biznesmeni, Rezart Taçi për disa fatura tatimesh të papaguara. Sigurisht, ne nuk duam për momentin të mbajmë qëndrim, por besoj se analiza duhet trajtuar gjerësisht dhe në këtë gjerësi duhet futur patjetër edhe fakti, se kush e bllokojë në mënyrë të paligjshme këtë kompani dhe pse tatimorët prisnin jashtë ndërmarrjes së ARMOS për sekuestro të mjeteve dhe shkatërrim me urdhër nga Tirana të biznesit të kompanisë ARMO, pasojat e së cilës po i vuajnë edhe sot e kësaj ditë punëtorët e Ballshit dhe rrethinave të sajë?! Megjithatë organi i akuzës le të bëjë punën e vetë dhe madje ta çojë deri në fund, jo për këto dy rastet e fundit, por për gjithçka dhe për të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ajo që përbën një turp dhe një skandal të vërtetë është fakti që një tjetër marrëzi, abuzim dhe krim i pastër ekonomiko-financiar po mbahet i fshehur dhe nuk po merr ndëshkimin e munguar. Bëhet fjalë për tenderin e ALBPETROL, të zhvilluar nga ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, më 7 shtator 2012. Për të gjithë ata që ndoshta e kanë harruar shitjen e Albpetrolit po ua kujtojmë me pak fjalë: Qeveria shqiptare vendosi më 1 shkurt 2012 shitjen e kompanisë së naftës, Albpetrol dhe afati i fundit i tërheqjes së dokumenteve dhe zhvillimit të tenderit do të ishte 07 shtator 2012, ora 12.00. Pikërisht në këtë orë dhe ditë do hapeshin edhe dokumentet ligjore dhe teknike, si dhe ofertat e kompanive pjesëmarrëse. 

Kompanitë e interesuara për këtë tender dhe që kishin tërhequr dokumentacionin ishin 19, ndërsa pjesëmarrëse në tender dhe që u paraqitën ishin vetëm 6 prej tyre. Pasi u shqyrtua dokumentacioni, u hapën ofertat dhe kompania fituese rezultoi të ishte kompania “Vetro Energy”, e cila ofroi rreth 850 milionë euro. Ndërkohë që kompania e dytë, Chine INC me 790 milionë euro, por që u skualifikua menjëherë, sepse nuk kishte garanci të ofertës. Kompania e tretë ishte 303.8 milionë euro e kështu me radhë. Por çfarë ndodhi? Ministri Edmond Haxhinasto, njëkohësisht edhe kryetar i entit prokurues deklaroi se kompania fituese ishte “Vetro Energy” dhe se kjo kompani i kishte të gjitha dokumentacionet ne rregull. Madje u fol për sigurimin e ofertës dhe sipas komisionit ai është i sigurt dhe pa problem. Në momentin kur kjo kompani do të bënte sigurimin e kontratës dhe menjëherë pas lidhjes së kësaj kontrate edhe depozitimin në arkën e shtetit edhe të 150 milionë eurove të tjera, atëherë gjithçka shpërtheu dhe lakrorit të Haxhinastos filluan t’i bien petët. Pra Ministri Edmond Haxhinasto, njëherësh edhe kryetar i Entit të Prokurimit kishte mashtruar, bashkë me komisionin kur patën deklaruar se sigurimi i ofertës në shumën prej 85 milionë euro nga ana e kompanisë, që do e blinte Albpetrol-in ishte e rregullt dhe i sigurt në një bankë amerikane, të cilën vetë ky komision e kishte verifikuar. Por kjo situatë filloi të merrte përmasa të mëdha dhe alarmante, kur nga disa kompani rivale u bë publik fakti që kompania, që kishte ofruar çmimin prej 850 milionë eurosh kishte gënjyer dhe se oferta e sigurimit të saj ishte fallco dhe e pavlefshme. Kështu që deklaratat e Ministrisë së Haxhinastos dhe kreut të Entit Prokurues duhej të merreshin në shqyrtim të menjëhershëm nga organi i akuzës. Por u bënë rreth 4 vjet që askush nuk po merr guximin të hapi dosjen e Edmond Haxhinastos dhe kompanisë “Vetro Energy”. 

Kjo ishte edhe arsyeja dhe shkaku, se përse në hetimin e Armos dhe Kserës të ishte edhe çështja Haxhinasto për dështimin e tenderit të Albpetrolit. Dhe ky është moment më i mirë për t’i rikujtuar edhe njëherë Haxhinastos deklaratën e tij, të atyre ditëve ku bënte të ditur se: “Kanë filluar proceduarat ligjore për të bërë kërkesën e garancisë së ofertës që është paraqitur nga kompania”, shtoi Haxhinasto. Edhe pse ekzistenca e garancisë së ofertës është vënë në dyshim nga opozita, qeveria ka deklaruar se ajo është verifikuar më parë nga firma konsulente “Patton Bogs”. Ndërkohë që më 21 shkurt 2013 deputeti socialist Erion Braçe, i cili kërkoi interpelancë për këtë skandal deklaroi, se privatizimi i Albpetrol nuk ka qenë i ligjshëm dhe se pas tij janë fshehur afera korruptive, duke e bërë një privatizim të dështuar. “Kam depozituar në Prokurorinë e Tiranë padi për gjithë zyrtarët tuaj, si përgjegjës për shitjen e kompanisë më të madhe në vend Albpetrol, si dhe konsulentin tuaj si përgjegjës për mashtrim dhe dëm ekonomik, që arrin 85 milionë euro. Pra, prokuroria e ka të gatshëm denoncimin dhe mjafton që ajo ta shkundë nga sirtarët dhe të nisë hetimin për këtë abuzim. “Telegraf” do të ndjekë dhe do të pasqyrojë gjithçka, që ka lidhje me këtë dosje të “harruar” qëllimisht në ditët në vazhdim…
Sigal