Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një tryezë mbi sistemin elektro-energjetik, lidhur me arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik u shpreh se Shqipëria është bërë një ndër vendet më tërheqëse për investime.
Balluku ndër të tjera, në fjalën e saj është shprehur se energjia elektrike nuk është vetëm një shërbim, por është kthyer në një produkt që qarkullon në tregje kombëtare dhe rajonale.
“Sot sistemi elektro-energjetik shqiptar po ecën drejt integrimit të tregjeve, liberalizimit të furnizimit, vetëprodhimit të energjisë që është një nga incentivat që ne kemi nxitur në 5-vjeçarine fundit dhe padyshim të gjitha këto kanë që komponentët kryesorë të vijnë drejt përmirësimit duke sjellë një rezultat të mirë. Duke pasur parasysh gjithashtu edhe gjithë vëmëndjes që i kemi dhënë pavarësinë energjetike dhe që vendi të kthehet në një eksportues neto. Energjia elektrike nuk është vetëm shërbim, por është kthyer në një produkt që qarkullon në tregje dhe jo vetëm në ato kombëtarë, por edhe rajonalë. Sot Shqipëria ka rritur kapacitetin e saj duke sjellë një diversifikimi të portofolit ashtu siç kemi nisur 5 vite më parë, duke garantuar zhvillim. Shqipëria është gjithashtu sot një nga vendet tërheqëse për investime ndërkombëtare, në energjinë e rinovueshme, duke pasur parasysh të gjitha kompanitë e huaja që operojnë sot në territorin tonë”, u shpreh Balluku.
Ministrja po ashtu është ndalur edhe tek mirëmenaxhimi financiar në këtë sektor, ku cilëson që kjo gjë solli ulje të çmimit të energjisë.
“Duhet thënë që shëndoshja financiare e sektorit elektrik në Shqipëri ka sjellë një sërë rezultatesh të mira ku OSHEE u kurorëzua më një fitim prej 7.3 miliardë Lekësh. Duke na dhënë mundësi që së bashku të krijonim një hap të ri për herë të parë në sistemin elektro-energjetik shqiptar, duke bërë një ulje të vërtetë, një ulje prej 10,5%. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të mirëmenaxhimit financiar, por edhe me dëshirën e mirë të qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama. Duhet thënë që krahas investimeve në infrastrukturë, një punë rigoroze është bërë sa i përket politikave dhe reformave në sektorin energjetik”, tha Balluku.