Edi Rama:“Do bëjmë transparencën me pronat e bregdetit”

506
Sigal

Kryetari i PS-së prezantoi dje në Delvinë kandidatët për deputetë në qarkun e jugut. Në një fjalë përshëndetëse para delvinjotëve, Rama vuri theksin tek pronat e bregdetit. “Ishte një problem që e hasa nga Ura e Mifolit deri këtu, pronat. Ne do bëjmë që pronat të mos grabiten. Një nga bukuritë më të mëdha është bregdeti i Jonit, një nga burimet më të mëdha të mirëqenies për këtë popull është kjo vijë bregdetare dhe gjithë kjo zonë në këtë vijë bregdetare që fatkeqësisht sot është nën kërcënimin e shkatërrimit dhe nën grabitjen e vazhdueshme të atyre që i lënë pa të drejta mbi pronat trashëgimtarët e gjithë këtyre zonave që po kthehen në latifondistë tokash në dhjetëra qytetarë dhe ndërkohë që, nuk kanë asnjë lidhje tjetër me këtë zonë përveç lidhjes me labirintet kriminale të pronave të shqiptarëve. Ne do të bëjmë transparencën më të plotë publike për gjithçka ka ndodhur me pronat e bregut”.  Rama u ndal tek taksat duke bërë thirrje që delvinjotët të votojnë numrin 29 dhe se kështu do të shpëtojnë bizneset nga falimentimi. Edi Rama garantoi se, PS-ja është rruga e Rilindjes dhe se premtimet që bëhen sot nuk janë vetëm fushatë elektorale. “Vota ka fuqinë e ndryshimit dhe çdo njeri ka detyrën që kur i jepet kjo mundësi e madhe që ta jep liria dhe demokracia, ta përdorë fuqinë e ndëshkimit për ata që kanë qeverisur në emër të tij, po kanë bërë vetëm punët e tyre. Vota ka dhe fuqinë e ndryshimit, duke i dhënë mundësinë palës tjetër që të vihet në provë, dhe unë ju siguroj këtu në këtë shesh se duke na vënë në provë në 23 qershor, duke na dhënë mandatin që të qeverisim këtë vend nuk do të zhgënjeheni dhe ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë. Rilindja që duam është e drejta për të marrë frymë lirisht pa ta treguar askush se çfarë duhet të besosh dhe pa të detyruar askush të shkosh aty ku nuk do të shkosh. Rilindja është e drejta për të pasur qeverinë në krah dhe jo në qafë. Rilindja është e drejta për t’u krenuar falë punës tënde të ndershme, për të fituar para me punën tënde të ndershme, për t’i thënë vetes me krenari që unë jam shqiptar dhe Shqipëria është një vend që të gjithë e marrin seriozisht, jo një vend që është bërë gazi i botës jo për faj të popullit, por për faj të atyre që e kanë marrë popullin peng. E pra, në 23 Qershor çlirojeni veten tuaj, çlirojini fëmijët tuaj, çlirojini mësuesit e fëmijëve tuaj, çlironi Delvinën, çlironi Shqipërinë me votën tuaj, për të patur më shumë liri, më shumë të drejta, më shumë dinjitet dhe mbi të gjitha falë lirisë, të drejtave dhe dinjitetit për të pasur punë. Ne duhet ta kthejmë Shqipërinë në punë dhe ne do ta kthejmë Shqipërinë në punë!