“E turpshme”, Spaho: Lleshaj ofendoi 100 mijë qytetarë sepse gjeti disa prej tyre në treg. Në Shkodër të gjitha institucionet i ka maxhoranca

566
Sigal

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho foli për një fushatë kundër Shkodrës vetëm sepse kjo bashki drejtohet nga një përfaqësuese e PD.

Teksa komentoi situatën në vend dhe konkretisht Shkodrën për rritjen e numrit të personave të infektuar me koronavirus, Spaho tha se ministri ofendoi 100 mijë qytetarë në Shkodër vetëm sepse gjeti disa dhjetëra në treg.

Spaho i bëri thirrje të gjithë qytetarëve kudo në Shqipëri të respektojnë rregullat e karantinës.

“Qeveria jonë refuzon testimet masive. Do ishte më e ndershme të thuhej se ne kaq teste kemi. Do ishte më mirë të pranohej realiteti se sa të përpiqesh të gjesh justifikime.
Unë uroj që cikli të mbyllet një orë e më parë dhe të hyjmë në fazën e përmbylljes së kësaj pandemie por dyshoj se jemi në atë periudhë, nga sa dëgjoj dhe nga ekspertët sepse ata duhet të dëgjojmë. Së paku java që kemi përpara do të jetë javë e ngarkuar.

Është e turpshme ajo që bëri sot zoti Lleshaj në Shkodër, ku për disa dhjetëra njerëz që gjeti në treg akuzoi të gjithë qytetarët e bashkisë Shkodër që mund të jenë nja 100 mijë, si të papërgjegjshëm. Do doja ta dëgjoja ministrin dhe për rastin e Kombinatit. Në Shkodër po ndodh kataklizma se drejton një përfaqësuese e PD-së. Kjo është gjuha me të cilën duhet të flasim? Ne e kemi mbështetur karantinën, fort madje por të sulmosh një bashki të tërë, të ofendosh qytetarët e asaj bashkie dhe aq më keq të japësh ngjyra politike, duke krahasuar një model që ja çfarë ngjet në bashkitë tona dhe këtu ku drejton Voltana Ademi, është e turpshme”, deklaroi Spaho.

Ai tha se bashkëpunimi nga opozita nuk i ka munguar kurrë.

“Kemi qenë shumë luajalistë, kemi dhënë propozime, disa i kanë marrë në konsideratë dhe për këtë nuk duam kredenciale politike. E gjithë media në krah të maxhorancës është drejtuar me një fushatë për Shkodrën. Do t’i bëja thirrje që në Shkodër të dërgohen teste me urgjencë. Ne deri më tani jemi shprehur qartë dhe i bëjmë thirrje gjithë qytetarëve kudo në Shqipëri të respektojnë një më një rregullat e karantinës. Është një masë që ndihmon në përballjen me koronavirusin. Nuk është vetëm një por bashkë me masat e tjera kontribuon. Por kjo nuk do të thotë që ta kthejmë në një përplasje politike si ç po ndodh në Shkodër. Të gjitha institucionet në Shkodër i ka qeverisja qendrore, ato shëndetësore madje dhe këshillin bashkiak. Propozimi i kryetares së bashkisë për pezullimin e taksave u hodh poshtë nga këshilli bashkiak”, theksoi nënkryetari i PD.

Spaho deklaroi se kryeministri Edi Rama është paralajmëruar për situatën që në fund të muajit shkurt. Spaho u shpreh se Shqipëria sot fatkeqësisht ka bërë edhe më pak teste sesa Kosova.

“Testimin masiv e kërkojnë ekspertët e organizatave të huaja, në të gjitha vendet që ka rënë koronavirusi. Shqipëria tesotn më pak. Shqipëria teston më pak se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, madje edhe se Kosova. E kemi paralajmëruar kryeministrin deri në fund të shkurtit dhe tha i kemi marrë masat. Në fakt, nuk është kështu, nuk ka marrë masa. Nuk ka bërë teste. Nuk ka kide të reja Shqipëria. Të gjitha Republikat në Ballkanin Perëndimor. kanë porositur kide të reja, vetëm ne jo”, tha Spaho.

Edmond Spaho theksoi se qeveria ka zgjedhur një strategji të gabuar, duke shtuar se duhet të kishte të shtruar me Covid-19 edhe jashtë Tiranës, jo vetëm në kryeqytet.

“Strategjia që është zgjedhur për të mbajtur të shëruarit në Tiranë nuk është e drejtë. Kam ndjekur debatin e profesionistëve. Ata janë të mendimit se duhen hapur edhe pika të tjera, jo vetëm në Tiranë. Edhe spitalet private kanë thënë se duhet që të bëjnë teste. Instituti këtu në Tiranë mund të trajtonte njerëz dhe të dërgonte persona në Shkodër ta themi, në Fier, Korcë etj. Mbajtja e kontrollit të qendërzuar besoj se bëhet për të dalë nga situata sa më pak të dëmtuar politikisht. Nëse do kishte strategji të menduar, situata do ishte më mirë sot”, tha Spaho.