“E pafalshme dhe çnjerëzore”, Basha për shqiptarët e braktisur: Karantinojini te Kavalishenca dhe bëjuni testin

357
Sigal

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon që qeveria të lejojë kalimin e emigrantëve që prej ditësh ndodhen në tokë neutrale në kushte të vështira.

Basha e ka cilësuar braktisjen e tyre nga shteti si kriminale dhe çnjerëzore.

Ai thotë se emigrantët të transportohen dhe futen në karantinë në Kavaleshencë në Durrës dhe t’u bëhet testi.

Mesazhi i plotë

Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë. I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre.

Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale.