Qeveria ka përcaktuar 2.8 miliardë ose rreth 26 milionë euro në buxhetin e shtetit për të financuar rindërtimin e portalit qeveritar e-Albania nga e para, bashkë më Platformën Qeveritare të Ndërveprimit. Sipas tabelave shoqëruese të buxhetit, projekti pritet të zgjasë disa vite, por vitin tjetër ai do të financohet rreth 5.2 milionë euro. Implementimi i portalit e-Albania 2 dhe siti sekondar do të marrin vitin e ardhshëm 3.35 milionë euro. Ndërsa implementimi i Platformës Qeveritare të Ndërveprimit 2 dhe siti përkatës sekondar do të financohen 1.86 milionë euro. Platforma Qeveritare e Ndërveprimit është arkitektura bazë, që mundëson ndërlidhjen e regjistrave elektronike me njëri-tjetrin dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale. Ajo është implementuar si pjesë e infrastrukturës së AKSHI-t në vitin 2013 dhe gjatë këtyre viteve brenda saj janë integruar 60 regjistra elektronikë, të cilët komunikojnë në kohë reale me njëri tjetrin dhe bëjnë të mundur ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Ndërkohë nje tjetër projekt i madh është dhe ai për përmirësimin e shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi dhe open data, i cili ka nje kosto prej gati 20 milionë eurosh të tjera.
Përmirësim teknologjie
Sipas qeverisë, këto shpenzime janë të domosdoshme për të përditësuar teknologjinë, që mundëson ofrimin e shërbimin elektronik për qytetarët.“Teknologjitë e reja mundësojnë modele më elastike si arkitektura e mikroshërbimeve dhe kontejnerizimi, që ofrojnë më shumë fleksibilitet dhe qëndrueshmëri se sa infrastruktura tradicionale në përdorim,” i justifikon qeveria financimin e shpenzimeve për rindërtimin e portalit e-Albania dhe Platformës së Ndërveprimit.




















