Dyshime për milionat dhe dhuratat/ Gruaja e Denar Bibës duhet të justifikojë në vetting rritjen e pasurisë familjare gjatë viteve të fundit

981
Sigal

Bashkëshortja e Denar Bibës para Vettingut, dyshimet mbi milionat e dhuratat

Ndihmësja Ligjore në Gjykatën e Lartë, Elona Kana, bashkëshortja e nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, pritet të përballet këtë të mërkurë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku do të japë shpjegimet lidhur me rritjen e shpejtë të pasurisë gjatë viteve të fundit. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë pasurinë e familjes Biba, si edhe integritetin personal e aftësitë profesionale të Elona Kanës përbëhet nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu. Nga një vëzhgim i kryer mbi deklaratat e pasurisë së Denar Bibës dhe Elona Kanës, të siguruara nga “Boldneës.al” nëpërmjet një kërkese për informacion, rezulton se pasuria e tyre ka marrë një trajektore rritëse, sidomos gjatë viteve të fundit, kur në pushtet është Partia Socialiste. Elona Kana dhe Denar Biba rezultojnë ndër çiftet më të pasura të personave që krijojnë të ardhura vetëm nga punësimi në shtet. Kana dhe Biba nuk rezulton të kenë asnjë trashëgimi, të mos jenë marrë asnjëherë me biznes, të paktën nga viti 2003 e këtej. E megjithatë, të ardhurat e tyre vjetore, herë-herë kanë arritur në vlera 3-4 milionë lekë të reja, të siguruara nga punësimi në shtet, dhënie leksionesh, si edhe nga projektet e fondacionit Soros. Bashkëshortët Biba janë pronarë të tre apartamenteve, njëri prej të cilëve i dhuruar, të llogarive bankare me shuma të mëdha, automjeteve, obligacione e Bono Thesari, si edhe posedues të Fondeve të Investimit në një bankë të nivelit të dytë. Nga të dhënat, rezulton se Denar Biba nuk i ka shpëtuar “virusit” që ka zënë gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga Vettingu, atë të dhuratave mes familjarëve dhe huave pa interes dhe pa afat shlyerjeje.

Pikëpyetjet në deklarimet e para

Denar Biba ka deklaruar pasurinë e tij që në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, në vitin 2003. Në deklaratën e parë ai shënon si pasuri të tijën vetëm të ardhurat 1.3 milionë lekë të reja, si edhe një hua në vlerë 2 milionë lekë. Për këtë hua, nuk deklaron as se kujt ia ka marrë, as nëse ka interes dhe afat shlyerjeje dhe as se përse e ka përdorur. Pra, kjo ishte pasuria e Denar Bibës, në atë kohë Drejtor Drejtorie në Gjykatën e Lartë, si edhe përfitues i projekteve të Soros-it, sipas vetëdeklarimit të tij. Por, një vit më pas, Denari dhe bashkëshortja e tij bëhen pronarë të një apartamenti me vlerë 4 milionë lekë. Në deklaratën e pasurisë nuk jepet asnjë e dhënë për burimin e blerjes së këtij apartamenti-as kredi, as kursime, as borxhe. Asgjë. Shënimi i vetëm është që Denari është bërë pronar i këtij apartamenti dhe, për pagesën e tij ka përdorur një hua në vlerë 1.5 milionë lekë. Nuk është e qartë, nëse kjo hua (1.5 milionë) lekë është e ndryshme nga ajo e para (2 milionë lekë), apo është e njëjta. Gjithsesi, si në deklaratën e pasurisë së mëparshme, edhe për këtë hua nuk jepet asnjë e dhënë se kujt ia ka marrë, nëse është me interes apo jo dhe sa është afati i shlyerjes. Në vitin 2006, Biba blen një automjet 250 mijë lekë, ndërkohë që kursen nga të ardhurat 350 mijë lekë.

Milionat

Në vitin 2007, Biba shet volksëagen-in për 360 mijë lekë (pra, rreth 100 mijë lekë të reja më shtrenjtë se sa e ka blerë). Me të ardhurat e fituara, si edhe disa kursime, blen një Mercedez me vlerë 430 mijë lekë. Ndërkohë, arrin të kurseje edhe 1 milion lekë të reja, të mundësuara nga rritja e të ardhurave familjare nga pagat, të cilat në atë vit përllogariten në 2.6 milionë lekë. Duke nisur nga viti 2007, Denar Biba dhe Elona Kana sigurojnë të ardhura të konsiderueshme nga aktivitetet e tyre profesionale (të punësuar). Nga viti 2007 deri në vitin 2012, të ardhura e familjes Biba nga pagat variojnë në shifrat 2.3-3 milionë lekë në vit. Këto të ardhura u krijojnë bashkëshortëve mundësinë e kursimeve periodike. Në vitin 2012, kursimet e tyre, Biba dhe Kana vendosin t’i investojnë dhe shpenzojnë. Fillimisht ata blejnë Bono Thesari në vlerën 13 mijë euro. Gjithashtu, krijojnë një depozitë bankare në vlerën 2 milionë lekë të reja, si edhe blejnë një automjet Hyundai, 19 mijë euro. Në atë vit, çifti Biba-Kana kanë siguruar nivelin më të lartë të të ardhurave vjetore-në një shifër që arrin në 4.8 milionë lekë të reja nga pagat dhe një dëmshpërblim i bashkëshortes për largim nga puna (në KKRT). Gjithashtu, kësaj shifre u shtohen edhe 13 mijë euro të tjera, të përfituara nga projektet e Soros, fondacionit “Konrad Adenauer”, të ardhura nga depozitat në shumën 1700 euro, si edhe shitja e Mercedezit, në vlerë 4 mijë euro.

Apartament dhuratë

Pikërisht, në vitin më të begatë të Denarit, për sa u përket të ardhurave, ai fiton edhe një apartament 134 m2 dhuratë. Sipas deklaratës së pasurisë së vitit 2012, Biba deklaron se ka përfituar dhuratë apartamentin nga prindërit e tij. Pjesa takuese e Denarit është 50%. Pjesa tjetër është e motrës së tij. Krahas pasurisë, viti 2012 ishte i mirë edhe për karrierën e Denar Bibës. Në tetor të atij viti, ai zgjidhet anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si propozim i Partisë Socialiste. Në periudhën 2013-2016, të ardhurat e çiftit vijojnë të jenë të larta, të cilat i lejonin të shtonin llogaritë bankare, të përdornin para për Fonde Investimesh në një bankë të nivelit të dytë dhe, mbi të gjitha, të prenotonin një apartament të ri, me vlerë 83.400 mijë euro, si edhe një vend-parkimi në shumën 7 mijë euro. Në këtë mënyrë, Denar Biba, gjithnjë sipas deklarimeve të tij, rezulton pronar i tre apartamenteve – i pari i blerë në shumën 4 milionë lekë në vitin 2004, për të cilin nuk ka shënuar asnjë burim; i dyti është apartamenti i dhuruar nga prindërit në vitin 2012; dhe i treti, apartamenti i prenotuar në vitin 2015, në vlerë 83.400 euro. Por, pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme, Denar Biba deklaron se ka marrë një hua me vlerë 5 mijë euro. Sërish, si edhe në deklaratat fillestare, ai nuk shënon se kujt ia ka marrë dhe as, nëse kjo hua është me interes apo dhe kur është afati i shlyerjes. Në vijim, në deklaratat e pasurisë për vitin 2017 dhe 2018, Denar Biba rikthehet të deklarojë edhe huanë në shumën 1.5 milionë lekë që kishte marrë në vitin 2004 për blerjen e apartamentit të parë. Në deklaratat e pasurisë rezulton që Denar Biba, me të ardhura të konsiderueshme prej shumë vitesh, vijon të mbajë të pashlyer një hua në vlerën 1.5 milionë lekë për rreth 15 vjet. Gjithsesi, të dhënat e sipërcituara janë siguruar nga formularët e pasurisë të plotësuar nga Denar Biba dhe bashkëshortja e tij, Elona Kana. /Nga Boldneës.al