“Mos u zini për gardhin, kemi babanë sëmurë’, motra rrëfen tragjedinë në Klos: Dëgjova krismat në shkallë, i pashë përtokë në gjak

716
Sigal

Një ditë pas tragjedisë që ndodhi dje në Klos ku Sali Dakuci vrau me armë zjarri të vëllain e tij, Kujtim Dakuci dhe nipin, e më pas vrau veten, zbardhet dëshmia e motrës së dy vëllezërve.

Life, motra e dy vëllezërve, ka thënë se kishte udhëtuar nga Manza e Durrësit, ku ishte martuar, drejt Klosit, për të vizituar babain e sëmurë, 85 vjeç.

Ajo thotë se ka qenë prezente në momentin kur ndodhi sherri, dhe iu ka bërë thirrje vëllezërve të mos zihen për gardhin por të shohin babain.

“Erdha për vizitë në Xibër se kemi babain sëmurë. I dëgjova të dy vëllezërit duke u zënë dhe dola jashtë e u thash; Mos u zini për gardhin, por eja shihni babain se është sëmurë.

Duke u ngjitur nëpër shkallë (banesa e vjetër dy-katëshe), pasi ecja me ngadalë se kam sëmurë këmbën, dëgjova një krismë arme. Pash nga sipër Kujtimin të shtrirë përtokë. Më pas djali i Kujtimit, nipi im, iu sul Saliut duke thënë; “ça bërë?”.

Dhe më pas dëgjova krismën tjetër…e pash nipin që u shtri përtokë. Më pas Saliu u largua nga banesa dhe u fut në një parcelë më misër dhe më pas kur pas 20 minutash dëgjova një tjetër krismë brenda tek banesa e tij (një kuzhinë e vjetër).

Kur shkuam aty bashkë me gruan e Saliut, e pamë atë përtokë të mbuluar në gjak dhe pa shenja jete. Kishte qëlluar veten me plumb në kokë”, ka thënë ajo në polici.

Ditën e djeshme, në Klos të Dibrës një ngjarje e rëndë ndodhi në familjen Dakuci, ku Sali Dakuci qëlloi me kallashnikov të vëllain e tij Kujtimin, dhe nipin Flogertin.

Pasi vrau të dy, Dakuci qëlloi edhe veten. Sherri ndodhi për shkaqe pronësie, pasi viktima dhe autorët ziheshin për një gardh me njëri-tjetrin.