Dy politikanët më të lartë të BE urojnë Presidentin Ilir Meta

499
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dy drejtuesit e institucioneve më të rëndësishmë të BE, urojnë Presidentin e Republikës, Ilir Meta me rastin e marrjes së detyrës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori sot një mesazh urimi të përbashkët nga Presidenti i Këshillit Evropian, z. Donald Tusk dhe nga Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jean-Claude Juncker.
Në telegramin e përbashkët të urimit shkruhet se sfidat me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse.
“Shkëlqesi, ju lutemi pranoni urimet tona të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Sfidat politike me të cilat Shqipëria po përballet aktualisht kërkojnë një konsensus të fortë ndër-partiak për vlerat evropiane dhe politikat e reformat përkatëse. Shpresojmë se ju do të ndihmoni për ta çuar vendin përtej përçarjeve politike dhe se Shqipëria shumë shpejt do të përmbushë pesë Përparësitë Kryesore, në mënyrë që të plotësohen kushtet për hapjen e negociatave”, – vijon mesazhi i z. Tusk dhe z. Juncker, teksa theksohet se Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian do të vazhdojnë të mbështesin reformat e ndërmarra dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Në mars, Këshilli Evropian, përsëriti mbështetjen e tij pa mëdyshje ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar mes çështjesh të tjera, rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në këtë kontekst, dëshirojmë t’ju sigurojmë rreth përkushtimit tonë për vazhdimin e mbështetjes së vendit tuaj ndaj kryerjes së reformave dhe projekteve të orientuara drejt Bashkimit Evropian! Shpresojmë dhe presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë, në mënyrë që Shqipëria të mundësohet për të përparuar në rrugëtimin e saj evropian!”, – mbyllet mesazhi drejtuar Presidentit Meta.
Sigal