Dy Ilirët, njëri i “rripte” nga lekët tjetri i “sterilizimin” nën hijen e rrapit

108
Sigal

Dy Ilirët, Beqaj dhe Rrapaj së bashku me zëvendësin Rjepaj kanë udhëtuar së bashku jashtë shtetit me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që qytetarëve u privohej operacioni ose e paguanin nga xhepi. PPP në shëndetsi janë afera e dytë e shekullit, që shkojnë deri në 1 miliard euro, por si për sterilizimin edhe për tjerat që do vijnë më pas, ngrihet pikpyetje mbi SPAK duke i konsideruar si “shpërthime të kontrolluara” për të shpëtuar njerzit më të rëndësishëm që janë përfshirë në to

Pas firmosjes së koncesionit të sterilizimit, çështjes për të cilën u dhanë tetë masa sigurie nga GJKKO, rezulton se ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendës ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj kanë udhëtuar së bashku. Kjo fakton njohjen mes tyre. Njohja fillon prej muajit nëntor 2013, përpara procedurës së koncesionit. Kështu Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj, Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në pikën e Kalimit Kufitar në Rinas me linjën Ajrore Alitalia Romë në datën 15 qershor 2014,- thuhet në dosjen e SPAK. “Në dokumentacionin për kapacitetin ligjor të investital LLC rezulton se ky subjekt është regjistruar në datën 17 korrik 2014 në Prishtinë me kapital 1 mijë euro nga Ilir Rrapaj, vetëm një muaj pas udhëtimit së bashku me avion me shtetasit Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj. Ilir Rrapaj krijon kompaninë Investital LLC pjesë e kompanive, që hyri në garë për koncesionin me 40 për qind. Kjo kompani është krijuar vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i ministrit të Shëndetësisë më datë 18 gusht 2014 për ngritjen e komisionit të dhënies se koncesionit. Kompania kishte vetëm një të punësuar, krijuesin e saj Ilir Rrapaj”, -thuhet në dosjen e prokurorisë së posaçme. Në materialin voluminoz, renditen disa udhëtime jashtë vendit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me përfaqësuesit e kompanive. Në dosjen hetimore thuhet se Ilir Beqaj ka dalje në pikën kufitare Rinas më 25 shtator 2016. Po ashtu ka udhëtime jashtë shtetit mes Umbro Staçini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, të cilët kanë vijuar të kenë kontakte edhe pas shpalljes fitues të koncesionit. Sipas SPAK, gjithashtu ka hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018. Në dosje përmenden detaje të tjera që nuk janë përmendur më herët sa i takon shprehjes së dakordësisë, ku ish ministri i Shëndetësisë i ka kërkuar takim shefave të Kirurgjisë para se të firmosej kontrata e koncesionarit në dhjetor të vitit 2015, për të cilën Beqaj kërkoi plotfuqinë dhe mori miratimin nga katër ministra të tjerë, Mirela Kumbaro,  Edmond Panariti, Arben Ahmetaj dhe Lefter Koka. Ata bien dakord për marrëveshjen me palën italiane, të firmosur në Umbria që më pas hapi procedurën për koncesionin e sterilizimit në dhjetor të 2015-ës. Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 fitoi koncesionin objekt hetimi dhe Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staçini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018”.