Duhet lidership dhe vizion për të kapërcyer këtë prag katastrofe

367
Sigal

Prof. Dr. Selami Xhepa

Prej rreth dy muajsh, jeta ekonomike dhe sociale janë paralizuar, jo vetëm në Shqipëri, por në nivel global. Duke konsideruar një shpërndarje proporcionale në krijimin e pasurisë gjithëvjetore të vendit dhe duke faktorizuar sektorin bujqësor dhe agroindustrial që kanë funksionuar, të themi në kushte “normale”, dhe sektorin e shitjeve me shumicë dhe pakicë për këtë kategori produktesh, në vetëm dy muaj ekonomia e vendit mund të ketë humbur rreth 1 miliard euro – duke bërë një aritmetikë me pesë gishta.

Sigurisht, që kjo për një ekonomi si kjo e jona është një humbje e konsiderueshme. Dhe nëse rikthimi në normalitet do kërkojë dhe disa muaj të tjerë – siç ka shumë gjasa të ndodhë kështu – atëherë humbjet në ekonomi do të jenë në nivele kërcënuese. Problemi nuk qëndron thjesht te prodhimi i munguar. Problemi real është se zemreku i ekonomisë pothuajse ka stopuar.

Prodhimi i munguar (deri tani) do të thotë të paktën 300 milionë euro të munguara në taksa, tatime e kontribute (mendoj se deri në fund të vitit kjo humbje do të jetë shumë më e lartë se kaq, ndoshta dy herë më e lartë!); do të thotë huamarrje akoma më e lartë vetëm për të kompensuar efektin e të ardhurave të munguara (përtej nevojave të një stimuli fiskal shtesë që kërkon situata).

Këto fakte, bashkë me një prodhim vjetor të ekonomisë shumë më të ulët, krijojnë një efekt ortek mbi borxhin publik, i cili nga ana e tij tremb investitorët që do të kërkojnë një çmim më të lartë për riskun e shtuar, e, për pasojë, kostoja e borxhit rritet dhe më shumë (edhe pse ende aktualisht ai është mjaft i lartë); kjo dikton akoma më pak shpenzime për ekonominë dhe shërimin social të vendit; efekti vijues janë më pak shpenzime nga sektori familjar dhe investitorët dhe për pasojë ekonomia vijon të tkurret akoma dhe më shumë.

Për të kompensuar shpenzimet shtesë që po kryhen aktualisht në sektorin e shëndetit dhe fushën sociale, po bëhet e modës që të shkurtohen “me dëshirë” (!) pagat në sektorin publik dhe “për solidaritet”, edhe në ato sektorë të tjerë privat të ekonomisë, që kanë funksionuar disi normalisht (a neë normal!). Kjo do të thotë se të ardhurat në ekonomi do të tkurren në nivele mbijetese e që për pasojë, nesër askush nuk do të vizitojë më dyqanet, përveçse atyre të mallrave ushqimore dhe gjërave bazike të jetesës.

Pra, investime publike më pak, investime private më pak dhe shpenzime konsumatore në limite mbijetese! Ky lloj kontabiliteti ekonomik është vrastar për rritjen dhe zgjerimin e ekonomisë. Biznesi që mendon të rrisë fitimet, thjesht duke shkurtuar akoma dhe më shumë pagat (kjo paradigmë nuk i referohet thjesht kësaj situate, por një ligjësie të vërejtur me dekada në vendin tonë, me rezultat final emigrimin masiv jashtë vendit); qeveria që mendon të krijojë kursime buxhetore përmes reduktimit të pagave të arsimtarëve dhe nëpunësve publikë; nuk bëjnë gjë tjetër, veçse kufizojnë gjithnjë e më shumë mundësitë për shpenzime konsumatore, që janë thelbi i rritjes së përmasave të tregut, duke rritur njëherësh edhe mirëqenien e familjeve dhe në proces edhe fitimet e kapitalistit.

Ky lloj kontabiliteti shkurtimesh të të ardhurave të individit është vrastar për të ardhmen e ekonomisë, po aq vrastar sa ç’ka qenë dhe kërkimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë që prej tridhjetë vjetësh te pagat e ulëta, i cili rezultoi me një treg pune të boshatisur dhe që pret të plotësohet me emigrantë afrikanë. Ky kontabilitet është kërcënimi më serioz i sistemit social-ekonomik.

Qasja e derisotme e qeverisë ndaj krizës ka qenë shumë apatike (në planin ekonomik) dhe nëse vazhdon kështu, po i shtyn të gjithë aktorët drejt limiteve: individët drejt pamundësive të jetesës, biznesin drejt shterimit të mundësive të mbijetesës (jo si individ, por si sipërmarrje), grupet në nevojë drejt racionimit të kafshatës. Ky skenar është me rreziqe për destabilitet social dhe që do të na kthente shumë vite më pas në kohë.

Këshilla miqësore për qeverinë është ta lexojë realitetin më me seriozitet dhe të ndërmarrë masa energjike për shpëtimin e ekonomisë, që çdo ditë po rrëshqet drejt rreziqeve të panjohura. Është koha për të demonstruar lidership. Publiku sot ka nevojë për t’i dhënë shpresë dhe besim dhe këtë mund t’ia japin ekipe ekspertësh, individë me reputacion dhe të besueshëm për publikun.

Vendimi më me rëndësi që duhet të marrë sa më parë qeveria, do të ishte krijimi i një strukture/ekipi pune për të hartuar politika të shëndetshme, të tanishmet për parandalimin e rrënimit ekonomik dhe social, por dhe për të punuar për arkitekturën e re të ekonomisë së ardhshme, e cila duhet të rimendohet më me kujdes tashmë. Koha e kërkon këtë dhe duhet të punohet sa nuk është vonë. Le t’i lëmë paketat që shkruhen në nxitim e sipër dhe të punojmë për një plan të vërtetë shpëtimi të ekonomisë. Vendi ka mundësi ta kapërcejë këtë prag katastrofe, por duhet lidership dhe vizion.