Drejtuesi politik i Qarkut Dibër, Xhelal Mziu: Qeveria e Rilindjes zonën e Gollobordës e shikon me syrin e njerkës, lë banorët pa rrugë

43
Sigal

Xhelal Mziu,drejtuesi i qarkut politik Dibër, ka reaguar për gjendjen e rëndë të rrugës që lidh 15 fshatra me Bulqizën dhe Dibrën. Ai vendos në dukje situatën e degraduar të rrugës kufitare Çerenecë – Trebisht, një rrugë që ka qenë e hapur për më shumë se një shekull dhe që shërben si arterie për qarkullimin e banorëve të fshatrave përkatëse. Në postimin e tij, deputeti Mziu kritikon ashpër qeverinë, duke u fokusuar në faktin se rruga ka mbetur e paasfaltuar dhe në kushte të papranueshme për banorët që e përdorin çdo ditë. Mziu sqaron se kjo është një rrugë me rëndësi të madhe për komunitetin lokal, duke lidhur më shumë se 15 fshatra me qytetin e Bulqizës. Sipas tij, rruga ka një histori të gjatë si rrugë kufitare, e cila ka shërbyer dhe shërben për mbikëqyrjen e kufirit me ish-Jugosllavinë dhe tani për parandalimin e hyrjeve të paligjshme. “Qeveria e Rilindjes zonën e Gollobordës e shikon me syrin e njerkës! Banorët e fshatrave janë të detyruar të përballen çdo ditë me gjendjen e keqe të rrugës, e cila është thuajse e pakalueshme për shkak të gropave të shumta dhe të thella.” Një tjetër shqetësim i ngritur nga Mziu është fakti që qeveritë qëndrore dhe vendore po luajnë një “pingpong” të vazhdueshëm për kompetencat dhe përgjegjësitë, duke lënë banorët pa një zgjidhje të menjëhershme. Ai thekson se pavarësisht shpenzimeve të shumta për mirëmbajtjen e rrugës, problemet mbeten të njëjta, ndërsa qytetarët vazhdojnë të vuajnë.”Banorët thonë se janë shpenzuar me qindra miliona lekë për mirëmbajtje, por me ato para do të mund të ishte shtruar tri herë e gjithë rruga me asfalt!” Mziu kërkon angazhim të menjëhershëm nga autoritetet për të siguruar investimet e nevojshme për përmirësimin e rrugës dhe lehtësimin e jetës së banorëve të këtyre fshatrave. Në përfundim, deputeti i Dibrës nënvizon se e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem është një bashkëpunim i vërtetë mes institucioneve dhe një angazhim i fuqishëm për përmirësimin e infrastrukturës, që do t’u shërbejë jo vetëm fshatrave përkatëse, por edhe gjithë rajonit të Bulqizës dhe Dibrës.”Kjo rrugë ka vite që nuk po mirëmbahet, ndërsa qeverisja qendrore dhe ajo vendore, po luajnë pingpong me njëri tjetrin se kush e ka kompetencë investimin e saj. Ato që e pësojnë janë banorët e dhjetra fshatrave në këtë aks rrugor.” Mziu kërkon që të merren masa të menjëhershme edhe të qëndrueshme për të përmisuar kushtet për banorët e zonës.

NOA