Drejtori i AMF raporton në Komisionin e Ekonomisë: Tregu i sigurimeve rriti aftësinë paguese dhe provigjonet

57
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete prezantoi sot, më 11 maj 2021, në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2020. Z. Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit të pazakontë 2020, të shënjuar nga efektet e pandemisë dhe ndikimi vazhdues i dëmeve të tërmeteve të fundvitit 2019, ndërkohë që përmendi disa nga masat e marra nga Autoriteti në funksion të garantimit të stabilitetit financiar.

Në fillim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se megjithëse ndikimet fillestare të pandemisë ishin të ndjeshme, tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit u shfaqën rezistentë, ndërsa treguesit e 3-mujorit të parë të këtij viti sugjerojnë rikthimin e tyre në normalitet. Sipas të dhënave paraprake, tregu i sigurimeve ka njohur rritje me 12.5% të të ardhurave për janar-marsin 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa tregu i fondeve të investimit ka rritje me 2.4% të vlerës së aseteve neto për 3-mujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar, – bëri me dije Z. Mete.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv prezantoi disa nga masat kryesore të ndërmarra nga Autoriteti në funksion të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare të tregjeve dhe vijimësisë së veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrje. Vendimi i AMF për pezullimin e shpërndarjes së dividendit, si edhe plani i veprimit me sens rimëkëmbjeje për 2 shoqëri sigurimi ndikuan në përmirësimin e treguesve financiarë të shoqërive të sigurimit, aq më tepër në një vit të vështirë ku u shënua një rënie me 5.73% e të ardhurave nga primet.
Tregu i sigurimeve rriti kapitalet e veta me 1.85 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Treguesi i aftësisë paguese për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës ka pësuar një rritje të konsiderueshme, në masën 67%, nga 106% në vitin 2019 në 173% në vitin 2020. Tregu i sigurimeve ka shënuar përmirësime edhe në treguesin e aktiveve në mbulim të provigjoneve. Aktualisht, ky tregues për tregun e Jo-Jetës është në nivelin 131.6%, ndërsa për Jetën 130.2%.

Referuar trajtimit të dëmeve pas dy tërmeteve të fundvitit 2019, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se vitin e kaluar u paguan rreth 3 miliardë lekë dëme, ndërsa janë mbyllur 90% e praktikave përmes pagesave të dëmshpërblimit. Përgjithësisht shoqëritë e sigurimit kanë trajtuar me korrektësi dëmet nga tërmeti. Rezulton se vetëm 6 çështje janë ankimuar deri tani në gjykatë nga totali prej 6295 kërkesa për dëmshpërblim në lidhje me dy ngjarjet e tërmetit.

Z. Mete deklaroi se me miratimin e ligjeve të reja për tregjet nën mbikëqyrje, Autoriteti mbetet i angazhuar për plotësimin e të gjithë kuadrit rregullator për t’i bërë ato plotësisht të zbatueshme. Ai përmendi gjithashtu disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit gjatë këtij viti dhe në vazhdim, me fokus përmirësimin e praktikave mbikëqyrëse, përparimin drejt parimeve themelore ndërkombëtare në sigurime, thellimin e përdorimit të teknologjisë dhe modernizimin e sistemeve të raportimit, etj.