Drejt finalizimit programi i PD për ekonomi, punësim, rend e luftë ndaj korrupsionit

401
Partia Demokratike ka përfunduar fazën e parë të hartimit të programit.
Selia blu në një komunikim për mediat thekson se oferta e demokratëve për shqiptarët parashikon zhvillim ekonomik, lehtësi fiskale, punësim, stimuj ekonomik, zhvillim të bujqësisë, infrastrukturës, arsimit dhë shëndetësisë.
Sipas PD, programi i tyre politik për ekonominë parashikon “taksat e ulëta, zbritje e TVSH në nivelin 15 përqind, futja e taksës së sheshtë më të ultën në Ballkan në nivelin 9 përqind, janë disa nga pikat e platformës, që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më atraktiv të rajonit për investime.Prioritet do të jetë po ashtu zbatimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit”.
Deri në fund të muajit janar, do të bëhet edhe konsultimi final me specialistë të fushës, për ti pasuruar më tej këto dokumenta me ekspertizën dhe idetë më të mira.
Në muajin shkurt, programi i secilit prej 22 departmenteve do t’i nënshtrohet diskutimit të hapur me grupet e interesit, në funksion të përmirësimit dhe përfshirjes së çdo opinioni të vlefshëm.
Pas kësaj, në muajin mars, programet e departamenteve sipas fushave që mbulojnë, që janë dhe alternativa e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhëshme, do të bëhen publike.
“Puna e hartimit të programeve për secilin department, ka nisur prej 4 muajsh. Ekspertët më të mirë të fushës së bashkë me drejtuesit politikë të departamenteve kanë dhënë kontributin e tyre për të hartuar alternativën që ofron zgjidhjet më të mira për secilin sektor të jetës” thekson PD.
PD nënvizon më tej se “këto platforma janë një projekt i detajuar dhe i plotë në ekonomi, rend, siguri, shteti i së drejtës, bujqësi, turizëm, infrastrukturë, e shumë fusha të tjera, janë zgjidhje për daljen nga kriza”.
Projektet e detajuara, që sjellin punësim e zhvillim, do të prezantohen si në rastin e prezantimit të platformës së taksave të Partisë Demokratike, një muaj më parë.
Sigal