Dr. Kujtim Drishti : Pasioni i nxënësit të Sorosit mbi Mini – Shengenin

584
Sigal

Dr. Kujtim  Drishti 

01

Dëgjova me shumë vëmendje nxënësin e Sorosit, Edi Rama të fliste për mini shengenin në Ballkanin perëndimor me një pasion që nuk më pengoi dot buzëqeshjen. Do ta nis argumentin tim atje ku Ramës nuk i shkon mendja: Në 2005 populli francez votoi në një Referendum popullor kundër Kushtetutës Europiane. Por populli francez nuk votoi kundër Bashkimit Europian. Ai është populli i Viktor Hugoit që ishte ideatori i parë i Europës së Bashkuar. Ai votoi kundër bashkimit ku çdo gjë do të varet nga vendimi i Bankës Qendrore, kundrër një kushtetute që nuk e fillon bashkimin nga popujt por nga bankat. Dhe bankat nuk ulen në parlamentet e shteteve europiane, nuk i nënshtrohen idesë qendrore të çdo kushtetute të vendeve europiane, e cila ide deklaron popullin Sovran. Bankat i nënshtrohen vetëm një logjike: logjikës neoliberale të dokumentuar nga baballarët e saj si një logjikë që e mospërfilli deri në urrejtje Demokracinë. Hayek Friedrich, frymëzuesi i neoliberalizmit që mori pushtetin në gjithë botën e zhvilluar perëndimore pas viteve 70 është deklaruar hapur kundër demokracisë. Ai zëvendëson termin “pushtet i popullit” me termin “popull dhe autoritet”. Por Heyeku nuk jetoi ditët e sotme ku si pasojë e politikës së tij Bankat sot janë mbi shtetet të cilat me mekanizmin e borxhit janë kthyer në një mall si gjithë mallrat për Bankat. Por politikanët i morën Hayekut teorinë ekonomike të  tregut  pa  kufij dhe e ruajtën termin “Demo – cratia” për justifikimin kryesor të Bashkimit Europian, në gjuhën e përdorur për popujt europianë justifikimi ishte: “Bashkimi është i domosdoshëm për të penguar luftën”. Sinjalizoj se po nga kjo familje ka ardhur në histori lufta. Por sot është paqe dhe paqen nuk e kanë vendosur bankat por popujt. Dhe si gjithnjë kondicionimi më me rezultat që i bëhet popujve është kondicionimi nën ide sublime, ashtu siç e filloi komunizmi. Por populli francez nuk e hëngri, votoi kundër njr Kushtetute me mendje dhe zemër neoliberale. Një vit më pas u aplikua teoria e Hayekut: “Ka popull por ka dhe autoritet përballë tij”. Deputetët francezë votuan Kushtetutën e Europës së Bashkuar duke mos iu skuqur fytyra fare për këtë tradhëti të demokracisë. Shengeni, në pamje inoçent sepse lejon qarkullimin e lirë të njerëzve lejon në të njëjtën kohë edhe qarkullimin e lirë të kapitalit siç thotë Rama me pasionin e tij. Por populli e di mirë se në një tregëti të lirë dhe konkurrencë të lirë i madhi blen të voglin. EDI RAMA në këtë rast do të lëshonte me injorancën e tij amatore sofizmin: “Po kush del i humbur këtu”? Në fakt heqja e kufirit presupozon qarkullimin e lirë të gjithçkaje e në mënyrë të veçantë të kapitalit bankar offshore, kjo do të lejojë edhe zhvillimin e mafies ekonomike e nxjerrjen e pasurive nga vendi më kollaj. Kjo përsëri më bën të qesh sepse sofizmi i tij vlen për të kaluar radhën përpara gazetarit jo më pak injorant se ai. Kur teza “Politika është një shprehje e përqendruar e ekonomisë” është një tezë shumë më e vjetër sesa Lenini. Domethënë ne shqiptarët që jemi të vegjël në ekonomi, me lirinë e kufijve tregëtar do shitemi e blihemi shumë lirë. Pushteti ekonomik i vendit fqinj Serbisë do të jetë më i madh. Për pasojë praktikisht edhe pushteti politik në drejtimet ekonomike do drejtohet nga më i fuqishmi. Politikanët shqiptarë do të kthehen në kukulla. Duhet një hipokrizi shumë e madhe dhe një injorancë po aq e madhe për të fshehur këtë të vërtetë.

 

02

“Kush është kundër mini-shengenit në planin ekonomik ai është injorant dhe s’di asgjë” – thotë Edi Rama duke u fryrë si i ditur përpara Kosovarëve. Kjo më shqetëson e nuk më bën më për të qeshur. Edi Rama bën një qark të shkurtër ku e lë Kosovën jashtë kësaj marrëveshjeje. Qarku i shkurtër i tij është shumë naiv: Me heqjen e kufijve në mini-shengen ai do të “zgjidhë dy probleme”:

– heqjen e kufijve midis Kosovës dhe Shqipërisë – defakto realizimi i Shqipërisë së vërtetë të para 1913.

– heqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, kështu Serbia njeh Kosovën automatikisht.

Ndërsa kosovarët mendojnë ndryshe: Serbia do futet në Kosovë si në shtëpi të vet. Edi Rama fryn gushën si gjel deti, si ideator i një zgjidhje ideale të problemeve më shumë se shekullore, madje ai thotë: “Kush është ai që do të më dalë me argumenta racionalë kundër kësaj iniciative”? Papritur Edi Rama me formim piktori, harron se ashtu si njeriu dhe arti janë nën influencën e subkoshiencës dhe të frymëzuar nga ajo. Ideja e tij racionale bie në dashuri aq shumë sa kërkon edhe Historinë ta bëjë Racionale. Historianët e të gjithë botës do qeshnin me vullnetin e tij për të shtypur irracionalitetin kosovar që na dilka për habinë e Edit më patriot se vet Edi. Por harron se irracionaliteti i kosovarëve është i prekur jo vetëm nga një luftë 10 vjeçare por nga 2 shekuj luftërash me serbin të cilit ai nuk ia zë besën kollaj dhe kërkon më parë garanci politike: “Njohjen e Kosovës”. Ndërsa Edi propozon Garanci Tregtare si të ishte i biri i Xhorxh Sorosit. Por Edi Ramës mund ti bëhet një pyetje, meqë hiqet si mjeshtër i racionales pa përfillur irracionalitetitin: A mendon ai se politika neoliberale që drejton shengenin dhe do kërkojë të dominojë mini-shengenin është një politikë Racionale?

Dhe e di se ai do përgjigjet me koktelin fetar “Zoti e bekoftë Shqipërinë!!!”

E unë përkthej “Zoti e bekoftë Paranë!!!”