Dr. Ina Zhupa: Shqipëria e fundit e rajonit për mbrojtjen e fëmijëve

1032
Sigal

Zëdhënsja e PD Ina Zhupa përmes një statusi në Facebook ka reaguar lidhur me raportin e organizatës “Save the Children”, ku flet për gjendjen e fëmijëve në Shqipëri.

Statusi i plotë i Ina Zhupës

Shqipëria e fundit e rajonit për mbrojtjen e fëmijëve.

Dje gjithë ditën e 1 qershorit prita që të dëgjoja nga qeveria se si do të adresonte shqetësimet e ngritura nga “Save the Children” për gjendjen e fëmijëve në Shqipëri. Por ishte e kotë, në vend të kësaj pashë një paradë të stilit diktatorial ku fëmijët nuk u kënaqën në mes të bulevardit në pikë të vapës, por me siguri u kënaq udhëheqja.

Organizata Save the Children publikoi raportin “Shumë Fëmijë të Përjashtuar”, ku Shqipëria renditet në vendin 77 nga 175 vende të vlerësuara në gjithë botën. Ndërkohë për të kuptuar gjendjen me vendet e tjera po ju sjell një krahasim të thjeshtë me foto poshtë me Maqedoninë, e cila renditet në vendin e 66.

Raporti i Save the Children na tregon se: Shqipëria është vendi i parë në Ballkan për vdekshmërinë foshnjore, afro 13 fëmijë/për 1000 lindje. Fëmijët shqiptarë janë në masë të konsiderueshme anemikë, e të kequshqyer, poshtë standarteve të rritjes sipas OBSH. Buxhetet për arsimin janë sa gjysma e vendeve të BE-së. Braktisja e shkollës arrin në nivelet 20% për fëmijët romë ndërsa mbi 45% e fëmijëve me AK. Qendrat shëndetësore kanë mungesë të theksuar investimesh në aparatura. Fëmijëve rom në shumë raste iu refuzohet shërbimi shëndetësor. Afro 80% e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë dhune. Mbi 2000 fëmijë gjenden në situatë rruge. 50 mijë fëmijë shfrytëzohen për punë. 20% e fëmijëve jetojnë në varfëri absolute.

Kjo është gjendja qe përshkruhet nga një organizatë ndërkombëtare dhe më e besueshmja në këtë fushë. Në këto 5 vite asgjë nuk është përmirësuar, përkundrazi kemi rënie. Qeveria ka për detyrë të reagoj, të tregoj masat që do merren, të tregoj planet dhe buxhetet e saj në këtë drejtim, por në fakt nuk ka për të ofruar asgjë. Sepse fëmijët përdoren si element elektoral për të bërë foto dhe vetëm kaq ndërsa vëmendja qeveritare është tek milionat që do fusin në xhep herë nga droga dhe herë nga PPP.