Dosjet e bujshme/ Kryeministri Rama paralajmëron deputetët e PS për arrestime nga SPAK: PS nuk do jetë mburojë për asnjë

328
Sigal

Rama paralajmëron deputetët për arrestime të forta nga SPAK, heq shpresat për mbrojtje nga PS

Socialistët duket se po përgatiten për arrestime në radhët e tyre. Në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë 2 dosje të bujshme që pritet të tronditin nga themelet mazhorancën socialiste. Ndërkohë që një paralajmërim të kësaj natyre e ka bërë ditën e djeshme kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS. Mësohet se përveç atyre që deklaroi live në mbledhjen e grupit, shefi i qeverisë iu ka dhënë edhe disa porosi larg medias deputetëve, duke u fokusuar kryesisht tek reforma në drejtësi dhe zhvillimet politike.

Rama paralajmëron zhvillime nga SPAK

Kështu mësohet se kryeministri Rama ua ka bërë të qartë deputetëve socialistë se Partia Socialiste do të distancohet ndaj kujtdo që mban në ballë logon e PS-së dhe ekspozohet si përfitues i paligjshëm i të mirave publike, apo që përfshihet në skandale korruptive dhe jo vetëm. Mësohet se Rama është shprehur se Partia Socialiste, sipas tij, nuk do të jetë kurrë streha e dikujt që me veprimet e veta cenon PS-së.

Madje referuar të njëjtave burime nga mbledhja e grupit, mësohet se kryeministri Rama paralajmëroi deputetët e rinj dhe të vjetër se çdo ndërhyrje apo ndikime në tendera do të konsiderohet shkelje e madhe, duke iu dhënë mesazh të qartë se nëse ata do të kenë punë me SPAK, PS jo vetëm që do të distancohet, por do të inkurajojë organet e drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund hetimeve për zyrtarët e saj.

“Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur. Kjo reformë dhe organet e reja do godasin pa dallim partiak dhe duhet të jetë e qartë për gjithë familjen tonë politike, se Partia Socialiste nuk do të jetë mburojë për asnjë nga ju, nëse ka pune me drejtësinë”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Pra duket qartë se kryeministri Edi Rama po përgatit socialistë për arrestime në radhët e tyre, duke u bërë të qartë se në rast se kujtdo i troket SPAK-u, Partia Socialiste do të distancohet prej tyre dhe nuk do të kthehet në strehë për t’i mbrojtur ata. Thënë troç kryeministri Rama është shprehur i vendosur se PS nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi vlerat dhe parimet e pastërtisë.

Kryeministri flet për reformën në drejtësi

Por për drejtësinë shefi i ekzekutivit foli edhe këtë të premte që shkoi, pas ceremonisë së 11 vjetorit që u zhvillua para Kryeministrisë në përkujtim të katër viktimave të “21 Janarit”. Kryeministri Edi Rama akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha si fajtorët e vërtetë për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011. Madje teksa i quajti protestuesit e vrarë si të pafajshëm, kreu i qeverisë theksoi se detyrimin ndaj tyre PS e ka shlyer me reformën në drejtësi dhe se kjo e fundit do të veprojë, ndërsa kërkoi durim.

“Për herë të parë është vënë një gur themeli për drejtësinë në Shqipëri dhe këtë gur e ka vënë kjo parti në pushtet. Mua mund të më shfryheni sa të doni, i mirëpres të gjitha, por nuk mund të më kërkoni llogari për 30 vjet e as mund të kërkoni të pamundur, funksionimin e plotë të drejtësisë kur akoma nuk është tharë boja në reformën në drejtësi. Po pastrohet llumi i paparë në sistemin e drejtësisë”, nënvizoi Rama.