Dosjet 339 dhe 184 në sirtar/ Flasin juristët Hazizaj, Cakrani, dhe Islami: Shitblerja e votave mbahet peng nga politikanë të implikuar

517
Sigal

Dy janë arsyet përse deri tani nuk hetohen 2 dosjet për shitblerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-s

Dosja 339 dhe 184 mbahen peng nga politikanët e aplikuar

Para disa javësh “Zëri i Amerikës” zbardhi përgjigjet nga dosja 339, për shitblerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-s. Mirëpo, e vetmja që ka heshtur deri tani është prokuroria, e cila ende nuk ka thirrur asnjë të dyshuar ose dëshmitar që përmendet, që dëgjohet në ato përgjime, ndoshta të kryera edhe nga shërbimet sekrete të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Gazeta “Telegraf” në forumin me temë “Pse nuk hapen 2 dosjet e blerjes së votave dhe lidhjeve me trafikantë?” mori prononcimin kostitucionalistit Sokol Hazizaj dhe të avokatëve penalistë Kujtim Cakrani dhe Zaçe Islami, të cilët pohojnë se ende prokuroria nuk ka ngritur padi penale, dhe kjo mund të shpjegohet, me arsyen që prokuroria është peng i qeverisë dhe se asaj i bëhet presion nëpërmjet vettingut.

Kostuticionalisti Sokol HAZIZAJ: Ata të dosjes kanë avokatët realë, prandaj nuk hetohen

Kositucionalisti Hazizaj duke dashur të ironizojë heshtjen e prokurorisë në mos-hetimin e dosjes, e cila përmban përgjigjet për shitblerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-s u shpreh, se ata që akuzohen në dosjen 339 kanë avokat të mirë real. Natyrisht, të gjithë e dimë se për kë avokat të mirë dhe real bëhet fjalë, derisa prokuroria trembet të hetojë….

Avokat Kujtim CAKRANI: Shpërdorojnë detyrën, që nuk hetojnë dosjen 339

Prej shumë muajsh flitet për dy dosje që i disponon prokuroria e krimeve të rënda, njëra është e emërtuar me nr. 399 dhe tjetra 184. Deri më sot nga organi i akuzës nuk kemi dëgjuar të jenë marrë persona përgjegjës nën hetim! Organi i akuzës ka dy rrugë; ose të pushojë procedimin penal, ose të marrë të pandehur personat përgjegjës, përfshi këtu edhe politikanë, me dhe pa pushtet. Pra, ekzistojnë dy mundësi që këto dosje nuk po hetohen apo nuk bëhen publike:

  • Ose organi i akuzës është i kapur nga politika, dhe lidhjet e prokurorëve janë në mënyra të ndryshme me partinë në pushtet?
  • Ose organit të akuzës i bëhet presion me anë të vettingut, pasi duhet të kemi parasysh se, prokurorët e krimeve të rënda nuk e kanë kaluar akoma të ashtuquajturin VETTING, të ndodhur përpara kësaj dileme prokurorët shantazhohen nga politika dhe nuk zbardhin krimin elektoral.

Ka dhe mundësi të tjera që organi akuzës nuk heton dosjen e korrupsionit të shitblerjes së votave. Problematika e vjedhjes së votave apo shitblerja e saj, është kthyer në një biznes në Shqipëri, kryetarët e bashkive kryesisht bashkive më të mëdha të vendit ku interesat e grupeve të caktuara janë të pastrojnë parat e pista të korrupsionit apo krimit të organizuar, dhe në këtë mënyrë u ofrojnë atyre votat dhe garancinë e zgjedhjes apo rizgjedhjes duke iu marrë më pas favore me shkelje dhe leje ndërtimi. Është e paimagjinueshme sot, në vitin 2019 të mos ndëshkosh grupet kriminale të lidhura me politikën që me forcën e lekut deformojnë vullnetin e lirë të qytetarëve, por jo vetëm kaq me këto sjellje shkatërrohet edhe demokracia, dhe si rrjedhojë qytetarët humbasin shpresën ashtu si edhe e kanë humbur dhe kjo rrezikon për destabililizim deri në konflikt civil. Prandaj krimet elektorale duhet të zbardhen gjithmonë nga organi i akuzës, kushdo qofshin ata që i kryejnë, dhe rasti është, mjafton vullnet dhe këmbëngulje nga ata pak prokurorë që janë të ndershëm dhe në lartësinë e detyrës, dhe kështu i kthehet shpresa qytetarëve, si tek drejtësia, ashtu edhe tek demokracia dhe shteti së drejtës…

 

Av. Zaçe ISLAMI: Hapja e dosjeve së shitblerjes së votave është betejë fjalësh, nuk do hetohet

Në radhë të parë, nëse e keni vënë re “beteja” e dosjeve është betejë me mullinjtë e erës. Që të hapen dosjet, në radhë të parë duhet të ketë denoncim në prokurori. Deri tani prokuroria si mbrojtësi i parë i ligjit nuk ka thënë, as ka, as s”ka dosje apo denoncim, pasi, nëse do pranojë se ka dosje duhet të përgjigjet, edhe pse nuk e hap çështjen e ta çojë në gjykatë, gjë që deri më sot s’e ka bërë. Unë mendoj se çështja e dosjeve është një betejë fjalësh, pasi në të vërtetë është më e interesuar opozita se sa pozita për mos hapjen e problemit të vjedhjes së votave, sepse të njëjtën gjë ka bërë dhe opozita kur ishte në pushtet. Tashmë është sekret shoqëror që si pozita ashtu edhe opozita kanë të njëjtin padron mbi krye që quhet Xhorxh Soros. I ashtuquajturi vetting s’po bën gjë tjetër veçse seleksionon të bindurit nga të pa bindurit ndaj kastës në pushtet, pasi sa i përket figurës së tyre ata janë që të gjithë një prerje pa as më të voglin ndryshim. Për mendimin tim, jo vetëm që dosjet e vjedhjes së votave nuk do të hapen, por vjedhja e votave nëpërmjet mobilizimit të njerëzve të botës së krimit do të vazhdojë nga të dy anët e politikës shqiptare. ASGJË NUK DO NDRYSHOJË.