Donald Lu vë afat: Arrestoni peshqit e mëdhenj duke nisur nga 2018-ta

432
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu në prezantimin e rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit” në ministrinë e Brendshme bëri një apel tjetër të fortë dhe kërkoi rezultate në luftën ndaj krimit.
Ai tha se ka ardhur koha që të kapen sa më parë peshqit e mëdhenj dhe se rezultatet duhet të shihen që në fillim të 2018-ës.
“Ne presim rezultate, presim që ky plan agresiv të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të peshqve të mëdhenj dhe rezultatet duhet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm”,- tha ai.
Ai foli më tej për lidhjet mes politikës e krimit dhe tha se ka ardhur koha të harrohet ajo shprehja që peshku i madh e ha të voglin.
“Të ndiqen penalisht peshq të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë. Së fundmi ju keni një shprehje në gjuhën shqipe: “Dielli duket që në mëngjes”. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve penale. Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Ky problem ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Asnjë nuk është mbi ligjin. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”,- tha Lu.
Sigal