Djegia e mandateve/ Diaspora shqiptare i kërkon SHBA të mbështetë opozitën antikomuniste. Protestë para konsullatës në NY

467
Sigal

Edhe Diaspora Shqiptare në SHBA mbështet Opozitën Shqiptare për dorëzimin e mandateve

Protestë para konsullatës shqiptare në New York

Një grup të rinjsh shqiptaro-amerikanë kanë njoftuar se të Enjten më 21 Shkurt 2019, në orën 5.00 PM-7.00 PM do të protestojnë kundër qeverise shqiptare. Ata u kanë bërë thirrje shqiptarëve të Amerikës, organizatave dhe individëve, që të dalin në protestë, jo për të treguar solidaritet me ndonjë parti politike, por thjesht për të protestuar për keq-qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, kriminalizimin e politikës, shtetit dhe shoqërisë, rritjen e varfërisë dhe vrasjen e shpresave për të jetuar në vend. Adresa: 320 EAST,79 Street, NY.

Djegia e mandateve, diaspora shqiptare në SHBA mbështet vendimin e opozitës

Një mbështetje për opozitën shqiptare ka ardhur nga Amerika. Është Federata Pan-shqiptare “Vatra” në Michigan që mbështet vendimet e opozitës.

Deklarata e plotë: Përkeqësimi i rendit publik, rritja e korrupsionit në nivele te larta ministrore, parlamentare, vendore etj., dhe mbrojtja ligjore ndaj tij, rënia e tejskajshme e nivelit ekonomik dhe punës së ndershme, kriminalizimi i jetës së popullatës në përgjithësi, nëpërmjet lejimit të punës fiktive, kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike dhe i trafiqeve të tjera, rënia e frikshme e numrit te popullsisë, nëpërmjet emigrimit, janë tregues të qartë për një dështimi total të punës së qeverisë në detyrën e saj për rritjen e mirëqenies së popullit të vet. Perceptimi mbarë-popullor, i zaptimit të pushtetit nëpërmjet tjetërsimit dhe blerjes së votave, përçmimi, arroganca dhe gjuha e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë, instalimi në krye të parlamentit, të qeverisë dhe posteve ministrore, të ish-funksionarëve apo pasardhësve të nomenklaturës komuniste dhe kapja e pushtetit të pavarur gjyqësor, shënon një degradim të demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Diskutimi nga kreu i qeverisë dhe vënia në tavolinë me fqinjët, historikisht me interesa grabitqare, të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe të Kosovës, të paguara me gjakun e martirëve dhe të pranuara botërisht; krijimi i klimës miqësore me Serbinë dhe klimës së mosmarrëveshjes me lidershipin e Republikës se Kosovës, bie ndesh me luajalizmn ndaj kombit, është në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar në vendin amë dhe Diasporë, si dhe krijon një situatë te rrezikshme me pasoja afatgjata rajonale. Prandaj, Federate “Vatra”, mbartëse e vlerave nacionaliste dhe demokratike, në linjën e saj për t’i shërbyer me dinjitet kombit, gjykon se qeveria aktuale e Shqipërisë, e drejtuar nga Edi Rama, e ka humbur të drejtën, detyrimin dhe privilegjin për t’i shërbyer popullit te vet. Në të njëjtën kohë, përkrahim pa rezerva aksionin e forcave opozitare dhe kërkesën për një qeveri të përkohshme, e cila do të normalizonte situatën sociale, politike dhe kombëtare në përgjithësi.

Federata Pan-shqiptare “Vatra” Dega Michigan