Rama ofendon gazetarët, ja cilët cilësoi “kazan mediatik”

573
Kryeministri deklaron se ka menduar edhe për t’u larguar nga politika: Në një zonë të trurit jam duke përgatitur jetën tjetër

Kryeministri Edi Rama ka ofenduar disa nga gazetarët më të njohur në vend, drejtues të mediave dhe emisioneve televizive. Gjatë një interviste në emisionin “Zonë e Lirë”, Arjan Çani e ka pyetur Edi Ramën edhe për mediat që ai i cilëson si kazan mediatik. Çani i nxori me radhë fotot e disa prej gazetarëve më të njohur dhe Rama tha se ata janë kazan mediatik, duke bërë diferencën vetëm për Baton Haxhiun, Shpëtim Nazarkon dhe Lorenc Vangjelin. 

Në startin e bisedës, moderator Arjan Çani shfaqi para kryeministrit foton e Blendi Fevziut dhe Rama i tha se ai është kazan mediatik. Në mënyrë të përsëritur Rama tha, se vlerësimet e tij lidhen me produktin dhe jo me individin. Rama tha se me atë që bën në emisionin e tij, Fevziu është kazan mediatik. Të njëjtën gjë, shefi i qeverisë përsëriti edhe kur Çani i nxori foton e Eni Vasilit, Sokol Ballës dhe gazetarëve të tjerë.

Kryeministri Edi Rama i ftuar në studion e emisionit “Zonë e Lirë” ka deklaruar se, ndonëse po punon fort për të fituar një mandat tjetër qeverisës, ka menduar edhe për t’u larguar nga politika. Ai zbuloi edhe emrin e një personaliteti botëror, që e kishte këshilluar për mënyrën se si duhej të tërhiqej nga pushteti, pa ia kërkuar të tjerët largimin. “Kam pasur një jetë më përpara, e kam shijuar shumë. Nuk erdha në këtë jetë, se ajo s’më pëlqente. Në një zonë të trurit jam duke përgatitur jetën tjetër, se nuk do ngordh në timon”, tha kryeministri. Pasi Çani e ngacmoi duke i thënë se nuk e kishte të vërtetë këtë frazë, kryeministri shtoi: “Është diçka që ka kohë që e përgatis”. “Është shumë e rrezikshme të presësh momentin kur të tjerët thonë ik. Kam pasur biseda interesante me liderë që i kam admiruar shumë. Kam dashur ta kuptoj këtë. Njëri prej tre më tha (Joshka Fisher, ish-ministri i Jashtëm gjerman) më ka thënë se ky është një proces shumë i shëndetshëm kur nis ta përgatisësh më herët”, tha Rama.

Biseda
Çani: Blendi Fevziu?
Rama: Kazan.
Çani: Eni Vasili?
Rama: Eni Vasili, e kam shoqe, por kazan.
Çani: Sokol Balla.
Rama: Sokol Balla, kazan.
Çani: Rudina Xhunga.
Rama: Rudina Xhunga, s’e kam ndjekur më.
Çani: Ylli Rakipi?
Rama: Ooo, kazan. Vetëm shikoje foton e tij.
Çani: Po s’e ka ai fajin që është ashtu.
Çani: Rudina Xhunga?
Rama: Se di, kam kohë që s’e kam parë.
Çani: Artur Zheji?
Rama: Se di, nuk e ndjek, ku është ky?
Çani: Ka një portal.
Rama: Është kosh, jo kazan.
Çani: Henri Çili?
Rama: Kujt i referohesh?
Çani: Gazetës “Mapo”…
Rama: Ooo, kazan
Çani: Armand Shkullaku?
Rama: Patjetër kazan.
Çani: (Andi) Bushati?
Rama: O, thellë në kazan.
Çani: Fatos Lubonja?
Rama: Kazan.
Çani: Besart Kadia?
Rama: S’e njoh fare.
Çani: Andi Tela?
Rama: Nuk është një person i ekspozuar, nuk është si këta. Kam respekt në distancë.
Çani: Robert Rakipllari?
Rama: Kazan komplet.
Çani: Shpëtim Nazarko?
Rama: Shpëtimi është bohem, nuk ka lidhje. Është njeri që është në botën e tij, s’i përket kësaj bote, s’ka lidhje me kazanin.
Çani: Mustafa Nano?
Rama: Kazan, kazan.
Çani: Artan Hoxha?
Rama: Thellë në kazan, thellë.
Çani: Çim Peka?
Rama: Çimi është kazan komplet, asgjë tjetër përveç kazanit.
Çani: Lorenc Vangjeli?
Rama: Ça lidhje ka Lorenci, ai s’është pjesë e kësaj bote, ai thjesht hyn e del aty, nuk jeton me ato interesa.
Çani: Po unë?
Rama: Ti je kazani i parë, por ti je i pranueshëm, se ti nuk e fsheh dhe nuk pretendon t’u japësh njerëzve leksione morali.
Sigal